Florenc Drizari
Ruçi: Dakord për hetimet, të fillojnë nga 2009
Paloka: Nuk pranojmë ndryshimin e kërkesës së objektit
Pas rreth tetë orë debatesh mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, Kuvendi u tërhoq nga votimi i kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor për administratën. Kryeparlamentari Ilir Meta, pasi dëgjoi propozimet e palëve, tha se i duhej kohë për t’u konsultuar lidhur me qëndrimin përfundimtar, duke vënë në dukje gjithashtu se vendimi që kërkesa të votohet javën tjetër të shërbeje që palët të gjejnë një konsensus që nuk e arritën dje në seancën plenare.
Pak çaste para se kërkesa për projektvendimin “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore” të kërkuar nga deputetët e opozitës të hidhej në votim, kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, tha se shumica ishte dakord me ngritjen e këtij komisioni për të hetuar fenomenin që, sipas tij, ishte shqetësues, por duke ndryshuar objektin e hetimit, që çështja të fillojë që nga viti 2009. “Lexoj kërkesën e kërkuesve: “Për emërimet e kundërligjshme”, por ju i paskit bërë hetimet. “Për emërimet politike”, “për çka realizuar krime apo dyshohet se ka realizuar krime”, të katërt këto terma bien në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, ajo që ne kërkojmë është kjo: Urdhëroni të hetojmë”, – tha Ruçi, me kërkesën e vetme që hetimit të fillojnë që nga 2009-ta.
Ky qëndrim shkaktoi reagimin e fortë të opozitës, deputetët e së cilës nuk pranuan ndërhyrje për një të drejtë që ata e konsideruan si kushtetuese. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka
“Nuk mund të na përcaktoni ju objektin ne. Nëse doni të hetoni për atë periudhë nuk ju ndalon askush. Ne do të marrim pjesë në atë komision nëse doni të ngrini komision hetimor për atë çështje, por është alogjike sepse keni të gjithë ministrat, administratën në dorë. Nëse doni të hetoni letrat aty i keni dhe çojini në prokurori apo ku të doni. Pra, është absurde të kërkoni komision hetimor për emërimet. Nëse doni të debatojmë me afatet tona, gjë që unë e shoh se nuk e keni ndërmjet, hajdeni të diskutojmë. Nuk mund të na detyroni ne të hetojmë ato se çfarë doni ju”, – replikoi Paloka.
Në përgjigje të dy kërkesave të ndryshme të mazhorancës dhe opozitës, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ftoi palët që të shtyjnë për javën tjetër votimin për ngritjen e Komisionit Hetimor për emërimet në administratë. “Unë personalisht kam nevojë për më shumë kohë, personalisht, si Kryetar i Kuvendit që mbaj përgjegjësi për ndjekjen e procedurave. Jam midis dy kërkesave. Grupi i shumicës që kërkon që të votohet propozimi i tij me argumentet përkatëse, me të drejtë apo pa të drejtë, edhe ata i referohen Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Grupi i Partisë Demokratike kërkon që të votohet vendimi sikurse ju e keni kërkuar. Ndërkohë që edhe ju e pranoni që përveç afateve ka nevojë dhe për një riformulim dhe jeni të gatshëm që të bisedoni. Prandaj unë edhe një herë tjetër do ju kërkoja që ta shtyjmë për votim për të enjten tjetër, sepse debatin e kemi konsumuar dhe të bëjmë një përpjekje të sinqertë për të gjetur mundësinë e një kompromisi dhe në rast se jo, unë të paktën të jem i qetë për procedurën”, – deklaroi Meta.
Diskutimet për shtyrjen e votimit të komisionit hetimor
Paloka: Nuk ka pas asnjë tentativë për marrëveshje. Është diskutuar në Konferencën e Kryetarëve për këtë çështje, është diskutuar sot gjithë ditën dhe nuk ka marrëveshje. Ne kërkojmë të te hetohet nga periudha që kemi përcaktuar ne, jo nga 2009-ta.
Meta: Jemi në një situatë që kemi nevojë ta eksplorojmë më tek për shkak se Gjykata Kushtetuese ka shumë vendime për komisionet hetimore dhe kjo është arsyeja kryesore dhe tjetra, nëse kemi mundësi të gjejmë një kompromis
Stërkaj: E kuptoj zotin Paloka që këta e kërkojnë me forcë, por këta dojn me e përsërit si në ’97 kur u bë një amnisti e su gjykua asnjë lloj problemi. U liruan me qindra kriminelë me dekret të Presidentit. Edhe sot këta u interesojnë jo kur janë bërë shkeljet dhe për këtë unë nuk e mbështes kërkesën e PD-së.
Ruçi: Ne jemi në zbatim të plotë të Kushtetutës, të ligjit për komisionet hetimore, në zbatim të plotë të katër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Paloka: Nëse nga mazhoranca ka vullnet të diskutojmë, ka një pikë ku ne nuk mund ta ndryshojmë objektin e hetimit dhe lidhet me periudhën. Nuk mund të na përcaktoni ju objektin ne. Nëse doni të hetoni për atë periudhë nuk ju ndalon askush.
Meta: Situata është sa e qartë edhe aq e domosdoshme të sqarohet më tej.
Bode: Në të vërtetë këtu nuk po pyetet as për Kushtetutën dhe aq më pak për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por ajo që thoni ju është në kundërshtim me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese e cila thotë se objekti nuk mund të ndryshohet për pranimin apo miratimin e propozuesit.Meta: Prandaj po them që ta shtyjmë me një javë se ju (opozitës) qëllimin e keni që të realizoni atë objektiv që keni, nuk është kryesorja ta hedhim në votim e të rrëzohet.
Spaho: Zoti kryetar, po shprehemi mjaft qartë, por s’po arrijmë të kuptohemi. Mazhoranca ka të drejtë të ngrejë shqetësime nëse propozimi ynë nuk plotëson normat kushtetuese. S’jemi dakord të zgjerojmë objektin e hetimit. Zgjerimi i kohës së hetimit, është ndryshim i objektit të hetimit.
Paloka: Nëse afati i hetimit që kërkojmë ne nga viti i përcaktuar nga ne është antikushtetues? Le të dali një jurist e të thotë që kjo kërkesë është antikushtetuese e ta bëjmë që nga 2009? Kaq logjikë fëminore është kjo…
Bare: Nëse do të pranojmë propozimin e PD-së, do të biem në vorbullën e akuzave primitive që ky Parlament herë pas here përjeton.
Noka: Kjo që po shohim është një tentativë e mazhorancës për të prishur të gjithë objektin e hetimit.
Xhafaj: Në vendimin e fundit thuhet se e drejta e ¼ e deputetëve për të ushtruar hetimin parlamentar nuk mund të konsiderohet absolutisht e pakufizuar. Do të thotë që e drejta e opozitës nuk mund ta dominojë vullnetin e Kuvendit. Që do të thotë që për objektin e hetimit do të diskutojnë të dy palët.
Bylykbashi: Sot jemi përballë kërkesë së ¼ së deputetë dhe kërkesa jonë sipas nenit 77 është e detyruar për tu aprovuar. Pra, Kuvendi i Shqipërisë nuk ka tagër për ta rrëzuar kërkesën tonë. kjo është thënë qartë në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Meta: Personalisht për këtë debat, si kryetar i Kuvendit që mbaj përgjegjësi për ndjekjen e procedurave kam nevojë për më shumë kohë.




