Kombëtarja kuq e zi po hedh hapat e parë drejt një reformimi të kombëtares që do të mundë të mbështetet në lojtarët me origjinë shqiptare
Ditë historike duket se po vijnë për futbollin shqiptar. Kjo pasi shumë afër Kosova mund të bëhet pjesë e Fifas dhe Uefa. Një e drejtë që do i jepet sportit kosovar dhe i jep të gjithë mundësinë që të njihet në mbarë botën me skuadrat dhe kombëtaren e saj. Nuk janë të pakët emrat që luajnë në ekipe evropiane dhe që janë me origjinë kosovare. Shaqiri, Xhaka apo dhe Januzaj janë disa nga yjet që në të ardhmen mund t’i bashkohen kombëtares së re të Kosovës. Ndryshime pritet që të ketë edhe kombëtarja jonë që do duhet në të ardhmen të mbështetet në lojtarët me origjinë shqiptare. Një kombëtare që do të humbi një pjesë të mirë të lojtarëve të saj por që do ketë gjithashtu edhe një fytyrë të re.Një muaj më parë duket se janë hedhur dhe hapat e para të kësaj lëvizje të re që do të kryhet. Katër trajnerët e ekipet kombëtare (U- 17, U-19, U-21 dhe Kombëtarja A) do duhet të stacionohen më së shumti në të ardhmen e afërt nga të rinjtë që dalin nga Shqipëria, përfshi këtu edhe ata të lindur në Perëndim nga prindër shqiptarë, duke lënë disi mënjanë Kosovën. Kjo është ajo çka është diskutuar mes temave të ndryshme në mbledhjen e zhvilluar drejtori i zyrës së talenteve, Redi Jupi në dhjetor. Siç dihet, në këtë takim i cili do të pasojë tryeza të tjera, morën pjesë menaxheri i Kombëtares Alban Bushi, trajneri dhe zëvendëstrajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi dhe Paolo Tramexani, trajner i ekipit të Shpresave Skënder Gega, ai i Kombëtares U19 Foto Strakosha dhe i U-17, Xhemal Mustedanagiç. Nga sa u bë e ditur, një nga problemet ka qenë edhe aktivizimi i lojtarëve kosovarë që luajnë aktualisht në ekipet tona përfaqësuese, ku numrin më të madh e ka skuadra e parë. Nisur nga fakti se Kosova së shpejti do të pranohet nga FIFA dhe UEFA dhe natyrisht do të ketë kombëtaren e vet, teknikut kuqezi, por jo vetëm, i është sugjeruar që të shikojë më shumë “brumë” vendës, kjo me qëllim që në të ardhmen Shqipëria të mos ketë problematikë me një “eksod” të mundshëm të lojtarëve me origjinë kosovare. Edhe pse duhet thënë se një pjesë e mirë e lojtarëve kosovarë, të cilët kanë tashmë pasaporta shqiptare dhe kanë luajtur e luajnë me Shqipërinë, e kanë thënë qartazi në deklaratat e tyre se nuk do të ndryshojnë kombëtare edhe kur Kosova të njihet nga FIFA dhe UEFA, përsëri në federatë duan t’i paraprijnë çdo të papriture të pakëndshme. Të gjithë lojtarët kosovarë që luajnë aktualisht me kombëtare të tjera (Zvicër, Suedi, Austri, Shqipëri etj.) do kenë mundësi që të zgjedhin, nëse do duan të luajnë për Kosovën, edhe pse kanë luajtur ose luajnë për një kombëtare tjetër. Ky është një rregull i FIFA-s, i cili është aplikuar në të gjitha rastet kur është anëtarësuar një shtet i ri. E njëjta gjë ka ndodhur më parë me të gjitha ish-shtetet nën Bashkimin Sovjetik, apo edhe nën ish-Jugosllavi. Duke qenë se lojtarët kosovarë nuk kanë pasur mundësi që ta zgjedhin ekipin e tyre përfaqësues, pra të origjinës, në momentin kur janë grumbulluar për herë të parë nga një kombëtare tjetër (rasti i të gjithë lojtarëve kosovarë që luajnë për Shqipërinë apo edhe për Zvicrën), pasi shteti i tyre i origjinës nuk njihej nga FIFA, atëherë, direkt pas njohjes ndërkombëtare, ligjërisht atyre u lind e drejta që të ndryshojnë ekip përfaqësues, nëse do dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Natyrisht, FIFA dhe UEFA do lënë një afat të caktuar, ku të gjithë lojtarët me origjinë nga Kosova do kenë mundësi të shprehen ose zgjedhin nëse do qëndrojnë te skuadrat kombëtare ku janë apo do kalojnë te Kosova. Në këtë këndvështrim, teorikisht, edhe kosovarët që luajnë për ekipet përfaqësuese të Shqipërisë do ta kenë këtë mundësi, të cilën natyrisht nuk mundet që t’ua privojë Federata shqiptare. Eroll Salihu kur u pyet dy muaj më parë mbi këtë ccështje u shpreh: “Synimi i Kosovës nuk është dobësimi i Kombëtares shqiptare. Çdo veprim për çdo lojtar do të bëhet në diskutim dhe miratim edhe nga FSHF-ja. Sigurisht, ne do kemi përfaqësuesen tonë dhe do duam që ajo të jetë sa më e fortë. Kështu që nga momenti kur Kosova do hyjë zyrtarisht në FIFA, ne si federatë kemi si detyrim moral, e theksoj, moral, që t’u bëjmë ftesa të gjithë lojtarëve kosovarë kudo në botë, përfshi edhe Shqipërinë, pastaj do jetë në dorën e tyre që të zgjedhin se ku duan të luajnë”, pat thënë ai. Kështu, drejtuesit e Federatës shqiptare, në takimin me trajnerët kuqezinj, i kanë mëshuar më shumë idesë së afrimit të lojtarëve nga Shqipëria, për të evituar ndonjë problematikë në të ardhmen. Këtë ia kanë sugjeruar më së shumti De Biazit, duke qenë se italiani ka afruar më shumë se 10 lojtarë me origjinë kosovare gjatë dy viteve të funit. Edhe pse senatorët e skuadrës me origjinë kosovare e kanë si Cana apo edhe Dallku, një histori tjetër mund të ndodhi me të sapo afruarit të cilët do të duan që të kontribuojnë në shtetin e tyre. Pritet që tashmë me pranimin e Kosovës nga Fifa dhe Uefa të nisin edhe lëvizjet që do të përcaktojnë fatin e kombëatres së re dhe asaj të sapo formuar.
Krasniqi: Dakord me kushtet e Fifa dhe Uefa por jo Serbisë
Për kapitenin e skuadrës së Prishtinës Driton Krasniqin dalja në skenën evropiane për lojtarë është çështje me rëndësi të madhe. “Kuptohet se pranimi pa kushte në UEFA e FIFA do të ishte gjëja më e mirë për ne. Por edhe nëse ka ndonjë kusht që na lejon të marrim pjesë në garat ndërkombëtare mendoj se mund të jetë e pranueshme pasi na jep mundësi të dëshmojmë vlerat tona në arenën ndërkombëtare. Kjo pasi ne me pjesëmarrjen tonë do të mund t’i bindim ndërkombëtarët se meritojmë më shumë, se duhet të na pranojnë me të drejta të plota dhe ata do ta shohin se po na bëhet padrejtësi. Kur e kam fjalën te kushtet që na parashtrohen, unë po mendoj në kushtet nga UEFA e FIFA, dhe jo nga kushtet që mund të ketë Serbia.
Kosovarë që luajnë në kombëtaret shqiptare
KOMBËTARJA A
Lorik Cana
Armend Dallku
Debatik Curri
Samir Ujkani
Ahmed Januzi
Mërgim Mavraj
Etrit Berisha
Besart Berisha
Burim Kukeli
Alban Meha
Amir Abrashi
Migjen Basha
Vullnet Basha
Azdren Llullaku
Ilir Berisha
Loret Sadiku
Shkëlzen Gashi
Ermir Lenjani
Valdet Rama
Agon Mehmeti
SHPRESAT (U-21)
Valentin Gjokaj
Herolind Shala
Leonit Abazi
Valon Ahmedi
Enis Gavazaj
Imran Bunjaku
Arbnor Fejzullahu
Agonit Sallaj
Mërgim Bajraktari
Leotrim Gashi
Gjelbrim Taipi
Shpend Matoshi
Haxhi Neziraj
Amir Rrahmani
KOMBËTARJA U19
Lorik Aliu
Faton Ademi
Almedin Murati
Berat Beqiri
Fabian Lokaj
Fatlum Ramadani
KOMBËTARJA U-17
Dren Feka
Herolind Gjoshi
Ardit Humolli
David Domgjoni
Endrit Grainçan
Visar Bekaj
Agim Zeka
Qëndesa Krasiniqi spallet futbollistja e vitit në Kosovë
Futbollistja Qëndresa Krasniqi është shpallur nga Federata e Futbollit të Kosovës për të dytën herë me radhë si futbollistja më e mirë në Kosovë. Talenti dhe puna e saj bëri që ajo të vlerësohej si mbretesha e futbollit të femrave kosovare. Ajo u shpreh“Jam shumë e kënaqur me vlerësimin që më është bërë. Falënderoj Federatën e Futbollit, bashkëlojtaret, trajnerin Suad Keçi dhe Afërdita Fazliun për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë gjatë gjithë kohës. Ky çmim më motivon edhe më shumë të punoj në të ardhmen dhe të kam suksese të reja” është Krasniqi. Futbollistja e Prishtinës ka treguar se shumë shpejt do të transferohet në futbollin gjerman për ta vazhduar karrierën futbollistike. Krasniqi thotë se është duke punuar shumë të ketë sukses edhe në këtë vend. “Pres që karrierën ta vazhdoj në futbollin evropian, në Gjermani. Besoj se edhe aty do të kam sukses, pasi jam duke punuar në mënyrë intensive për faktin se në futbollin evropian kërkohet shumë më shumë se në Kosovë”, ka shtuar ajo. Lojtarja foli edhe për faktin se futbolli i femrave akoma nuk po vlerësohet nga ana e financiare duke e shtruar si një problem që duhet të zgjidhet.




