KKT, lavatriçja për Gysin e ortakët e Olsit – Plug zbardh skemën e pastrimit të parave
Emisioni investigativ Plug, publikoi të dhëna që ngrenë dyshime të forta se ortaku i Olsi Ramës, Amant Josifi përdor prestanome për të pastruar paratë e call centerave në Shqipëri. Personazhi kryesor në këtë skemë është shtetasi Arbër Habilaj, një ish-punonjës në bashkinë e Tiranës, i cili ka krijuar disa kompani. Nëpërmjet këtyre kompanive, ku janë ortakë dhe disa ish-punonjës të call centerit të Amant Josifit, dyshohet se janë pastruar qindra milionë euro në ndërtimin e disa kullave dhe resorteve në Tiranë dhe bregdet
Teksa Kryeministri Edi Rama ka sulmuar dhe akuzuar Syri Televizion për pastrim parash, emisioni investigativ Plug publikoi këtë të mërkurë (18 mars) prova që tregojnë se pastrimi i parave është pikërisht simboli i qeverisë së Edi Ramës.
Vetëm pak ditë më parë emisioni Le Iene në Italia 1, publikoi një tjetër investigim për biznesin e call centerave, ku ndër të tjera, ish-punonjës të këtij sektori deklaronin se pas këtij biznesi dyshohet se fshihet pikërisht vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama.
Ky i fundit është një ortak i vjetër biznesi me Amant Josifin, i cili dyshohet se nëpërmjet biznesit të call centerave ka kryer mashtrim dhe zhvatje të qytetarëve europianë deri në 2.5 miliardë euro. Të dhënat e Plug tregojnë se Amant Josifi dhe Olsi Rama janë ortak biznesi që prej vitit 2014, pikërisht në fushën e call centerave nëpërmjet kompanisë Pegasus shpk.
Por Plug shkoi më tej, duke zbardhur se Amant Josifi, i cili ndodhet në arrati në Dubai pasi kërkohet nga drejtësia spanjolle, dyshohet se ka ngritur një skemë të mirfillitë të pastrimit të parave duke përdorur prestanome pikërisht shtetasin Arbër Habilaj.
Ky i fundit, rezulton se ka qenë punonjës në bashkinë e Tiranës në pozicionin e specialistit, ndërsa shef i tij ka qenë Ditjon Baboçi.
Arbër Habilaj, pas vitit 2017, ka krijuar disa kompani, mes të cilave Artech Group, e cila ka përfituar disa leje ndërtimi për ndërtim kullash dhe të një resorti në Himarë, të firmosura pikërisht nga Kryeministri Edi Rama.
Të gjitha kompanitë e Arbër Habilajt, përfshi edhe adresën e tij si person fizik, janë të regjistruara në pallatin Domus në Myslym Shyri.
Ky pallat u ndërtua në vitin 2021, ndërsa projektimi është bërë pikërisht nga kompania Artech Studio, ndërsa leja e ndërtimit është firmosur nga dy shefat e Arbër Habilajt, Erion Veliaj dhe Ditjon Baboçi. Më pas kompania Artech Group, ka marrë dhe tre leje ndërtimi për kulla e resorte me firmë direkte të Edi Ramës, ku vlera e investimit për ndërtimin e këtyre objketeve llogaritet se i kalon 100 milionë euro.
Arbër Habilaj, rezulton gjithashtu se është ortak në disa kompani të tjera, ku ortak janë gjithashtu dhe shtetasit Luis e Renald Shtëpani, dhe Kliton dhe Eris Xhemali.
Këta shtetas rezultojnë gjithashtu se kanë qenë punonjës të kopanisë Ever Plus, e themeluar nga Amant Josifi në vitin 2019. Vartësit e Josifit, në kompanitë që kanë në bashkëpronësi me Arbër Habilajn, kanë investuar disa qindra mijëra euro cash, ndërsa nuk dihet burimi i tyre.
Shtetasi Luis Shtëpani në vitin 2014 ka themeluar kompaninë AGRA – LU, e cila si aktivitet ka patur, Zyrë këmbimi valutor. Në vitin 2017, Luisi ja kalon aksionet dajës së tij Agim Cani. Edhe kjo kompani në vitin 2020 ka përfituar leje ndërtimi për pallat në ‘Ali Demi’, ndërsa në vitin 2024 KKT e drejtuar nga Edi Rama, ka firmosur edhe një tjetër leje ndërtimi për këtë kompani për një kompleks vilash në Mjull Bathore në Tiranë, i cili gjithashtu është projektuar nga Artech Studio e Arbër Habilajt.
Pyetja më e thjeshtë që ngrihet në këto raste është se si një specialist bashkie si Arbër Habilaj dhe 4 punonjës Call Centeri arrijnë të shndërrohen ndër biznesmenët më të sukseshëm në Shqipëri, e më naive është pyetja se ku i gjetën lekët për të hapur kompani dhe marrë leje ndërtimi në vlera qindra milionë euro. E pa përgjigje do të mbetet pyetja se si këta personazhe i hynë në zemër kryeministrit Edi Rama që brenda pak muajve të firmoste për ta mbi 5 leje ndërtimi kullash e resortresh me vlerë disa qindra milionë euro.




