SHISH raporton me dyer të mbyllura tek Siguria Mbi 300 informacione për drogën, tritolin dhe Ushtrinë
“S’kemi radar nën 3000 m. Droga nuk rri në Lazarat, por shpërndahet në Vlorë, Fier, Berat etj.”
Kreu i SHISH-it, Visho Ajazi, raportoi dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Për më tepër se katër orë deputetët e Sigurisë pyetën kreun e shërbimeve inteligjente shqiptare lidhur me raportin vjetor të punës së shërbimit për vitin 2013, si dhe për çështje të tjera të ngritura në media apo nga përfaqësues të klasës politike në vend. Seanca e pyetjeve në Komisionin e Sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura për median dhe raportimi i kreut të SHSH-it erdhi pas dështimit të mbledhjes së parë, për shkak se ai dhe disa deputetë të Kuvendit nuk ishin të pajisur me certifikata sigurie lidhur me informacionet e klasifikuara që do të diskutoheshin mes palëve.
Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se pjesë e diskutimeve, përveç raportit vjetor të SHISH-it, ishin edhe çështjet e ngritura në media për sa i përket raportimit nga ana e shërbimit tek institucionet përkatëse, si Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme. Mësohet se SHISH u ka dhënë informacione të plota institucioneve për ata persona që shkojnë në luftë në Siri dhe që disa javë më parë u kapën falë këtyre të dhënave. Gjithashtu, informacione mësohet se i janë dhënë policisë dhe Ministrisë së Brendshme për trafik minash dhe lëndësh eksplozive në vjeshtën e vitit të kaluar. Burimet theksojnë se janë dhënë plot 15 të tilla.
Por përtej këtyre të dhënave, qëndron edhe deklarata e mëparshme e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka theksuar se shërbimi nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me shpërthimet me eksploziv. Ndërkaq, burimet nga Kuvendi thonë se kreu i SHISH-it ka nënvizuar se drejtuesve të rinj të policisë iu desh kohë të merrnin detyrën praktikisht dhe shkresat me informacion të SHISH-it qëndruan në tavolinat e tyre pa i parë. Lidhur me informimet ndaj ministrit të Brendshëm, mësohet të jetë thënë se kreu i SHISH-it informon drejtorin e Policisë, dhe jo ministrin. Gjithashtu, mësohet se pjesë e diskutimeve mes kreut të SHISH-it dhe deputetëve të Kuvendit është bërë edhe çështja e ngritur së fundmi nga opozita, ajo e implikimit të mundshëm të forcave të ushtrisë në trafiqet e drogës. Edhe pse disa deputetët kanë mohuar publikisht diskutimet në Komision për këtë çështje, nga burimet mësohet se është raportuar se në Shqipëri nuk ka shërbim radari nën 3000 metra, gjë kjo që duket se mbështet qëndrimet e opozitës lidhur me dyshimet e ngritura për një transport të mundshëm të lëndëve narkotike me avionë të vegjël nga Shqipëria jashtë kufijve të vendit. Një deklaratë e fortë duket se është dhënë nga përfaqësuesit e SHISH-it se nuk ka trafik të madh droge pa mbështetjen e strukturave shtetërore. Ndërsa lidhur me moratoriumin, mësohet se SHISH ka parashikuar që heqja e moratoriumit të skafeve do të shtonte trafikun. “Droga nuk rri në Lazarat, por shpërndahet në Vlorë, Fier, Berat etj.”, – mësohet të jetë thënë në Komisionin për Sigurinë Kombëtare. Gjithashtu, është folur për shifra, ku rreth 317 informacione në janar-prill janë dhënë nga strukturat e shërbimit për policisë, ndërsa është evidentuar fakti se është rritur me 53 % rrjeti i informacionit dhe 40 % burimet e informacionit.




