Kameleonizmi politik i Edi Ramës

Kameleonizmi politik i Edi Ramës

Nga Ndriçim KULLA

Shpesh në historinë e kombeve të vogla kur drejtimi i tyre nuk ngjan më me një vijë të qartë në hartë, por me një shigjetë që dridhet në ajër, e paaftë të zgjedhë një kah të vetëm, e cila, si e kapur nga një dorë e padukshme, lëkundet mes erërave të kundërta, duke prodhuar jo orientim, por ankth; dhe pikërisht në këtë hapësirë të pasigurt, ku politika nuk është më një akt i menduar, por një refleks mbijetese, shfaqet figura e liderit që e trajton shtetin si një instrument të brendshëm të pasigurive të veta, si një mekanizëm që duhet të përshtatet vazhdimisht me klimën e jashtme për të ruajtur ekuilibrin e brishtë të pushtetit personal.

Në këtë kuptim, sjellja politike e Edi Rama nuk mund të lexohet thjesht si një seri qëndrimesh të ndryshueshme në raport me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, por si një strukturë më e thellë psikologjike dhe politike, ku mungesa e boshtit ideor zëvendësohet nga një instinkt i mprehtë për të ndjerë kahun e erës, për ta përthithur atë dhe për ta riprodhuar në formën e një diskursi që, megjithëse i veshur me retorikë strategjike, mbetet në thelb një reagim i menjëhershëm ndaj rrethanave.

Dikur ai i kërkonte Evropës të emancipohej nga hija e Amerikës, duke artikuluar nevojën për një autonomi strategjike që tingëllonte si një aspiratë për pjekuri politike të kontinentit, ndërsa në një moment tjetër, me një kthesë të papritur që nuk kërkonte as shpjegim dhe as reflektim, e akuzonte Amerikën për prirje destruktive që di të hedh veç bomba , për një logjikë ndërhyrjeje që prodhon konflikte më shumë sesa zgjidhje; dhe më pas, në një spirale që nuk ndalet kurrë në një pikë të vetme, ai afrohet sërish me të njëjtin aktor, duke ofruar jo vetëm mbështetje simbolike me baza ajërore , por edhe angazhime konkrete që tejkalojnë përmasën reale të vendit që përfaqëson.

Kjo lëvizje e vazhdueshme, që në pamje të parë mund të interpretohet si fleksibilitet diplomatik, në fakt mbart në vetvete një kontradiktë të brendshme: sepse fleksibiliteti, për të qenë i tillë, kërkon një bosht rreth të cilit të rrotullohet, ndërsa këtu kemi të bëjmë me një rrotullim pa qendër, një lëvizje centrifugale që e largon gjithnjë e më shumë politikën nga ideja e një orientimi të qëndrueshëm.

Në këtë kontekst, raporti me figurat globale si Alex Soros apo qëndrimet ndaj Donald Trump nuk janë thjesht episode të veçuara, por pjesë e një logjike më të gjerë, ku politika shndërrohet në një skenë ku rolet ndërrohen sipas nevojës së momentit, ku aleancat nuk ndërtohen mbi interesa të qëndrueshme, por mbi perceptime të menjëhershme të dobisë.

Por problemi nuk qëndron vetëm në këtë fluiditet; ai bëhet më i thellë kur kjo sjellje projektohet në emër të një shteti të vogël, i cili, për shkak të pozitës së tij gjeopolitike, nuk mund ta përballojë luksin e paqartësisë, sepse çdo devijim nga një linjë e arsyeshme strategjike nuk është thjesht një gabim retorik, por një rrezik real për ekuilibrin e tij në një rajon ku interesat e fuqive të mëdha ndërthuren në mënyrë të ndërlikuar.

Dhe këtu lind pyetja që e përshkon gjithë këtë situatë si një hije e pashmangshme: a kemi të bëjmë me një strategji të mirëfilltë, apo me një improvizim të vazhdueshëm që maskohet si strategji?

Sepse kur një lider i një vendi të vogël si Edi Rama , deklaron gatishmërinë për të ofruar baza ushtarake në një konflikt potencial global, ndërkohë që vetë fuqitë e mëdha evropiane tregojnë rezervë dhe kujdes të madh, kjo nuk mund të lexohet si një akt guximi strategjik, por më shumë si një përpjekje për të fituar vëmendje, për të hyrë në radarët e vendimmarrjes globale përmes një oferte që tejkalon përmasat reale të kontributit.

Kjo sjellje, në thelb, ngjan me një lloj “teatri të besueshmërisë”, ku lideri përpiqet të kompensojë mungesën e besimit të qëndrueshëm dhe dyshimeve të mëdha korruptive që ka mbi tërë veprimtarinë e tij, me akte spektakolare të gatishmërisë, duke krijuar një iluzion angazhimi që, megjithatë, nuk mbështetet mbi një analizë të thellë të pasojave.

Ndërkohë, raporti mes Evropës dhe Amerikës, pavarësisht tensioneve ciklike që mund të lindin nga interesa të ndryshme apo nga dinamika të përkohshme politike, mbetet i rrënjosur në një qytetërim të thellë të përbashkët, në një sistem vlerash që, edhe kur sfidohet, nuk shpërbëhet; dhe pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për të kapitalizuar mbi këto tensione në mënyrë oportuniste është e destinuar të mbetet sipërfaqësore, sepse nuk arrin të depërtojë në thelbin e marrëdhënies euroatlantike.

Por në universin kafkian të kësaj politike, ku logjika shpesh zëvendësohet nga absurdi dhe ku veprimet nuk lidhen domosdoshmërisht me pasojat e tyre, kjo nuk përbën pengesë; përkundrazi, ajo bëhet pjesë e një mekanizmi ku qëllimi nuk është ndërtimi i një politike të qëndrueshme, por ruajtja e një shpikjeje që i shërben momentit.

Në këtë kuptim, flugeri diplomatik i liderit global mbetet një strukturë e fantaksur e këtij lloj pushteti, një instrument që mat jo drejtimin e erës në kuptimin meteorologjik, por intensitetin e nevojës për mbijetesë politike, dhe që rrotullohet jo për të orientuar, por për të reflektuar çdo ndryshim të klimës së jashtme.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron tragjedia e vërtetë: sepse një shtet që drejtohet nga një logjikë e tillë e shthurur makiaveliste, nuk është më subjekt i politikës së vet, por objekt i rrethanave, një hapësirë ku vendimet nuk burojnë nga një vizion i qartë, por nga një seri reagimesh të njëpasnjëshme ,në tërësi krijojnë një tablo të paqartë, të fragmentuar dhe, në fund, të rrezikshme.

Në fund të kësaj eseje, mbetet një ndjesi e rëndë, pothuajse kafkiane: sikur shteti të jetë futur në një korridor pa dalje, ku çdo derë që hapet të çon në një dhomë tjetër të të njëjtit labirint, dhe ku lideri, në përpjekje për të gjetur rrugën e daljes, vazhdon të lëvizë pa ndalur, duke krijuar iluzionin e një progresi që në fakt është vetëm një rrotullim i pafund në vend.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :