Julian Çela Shtator-nëntor, kërkime nga policia në Sharrë

Anxhela Tato

 

Asnjë gjurmë nga 11-vjeçari, dyshime ende të pakonfirmuara se mund të jetë trafikuar

 Hetimet, konfirmohet biseda misterioze e Prrenjasit ku thuhej: Djali është gati, hajde merreni

 

julian-Cela3Mbetet ende mister fati i të miturit Julian Çela, i cili rezulton i zhdukur që në 30 nëntor të vitit 2012. Ndonëse ka kaluar një vit nga ngjarja e rëndë, e cila tronditi opinionin publik me zbulimin e pedofilit Ardian Prrenjasi, nuk ka asgjë gjurmë ku mund të orientohen hetimet. Burime nga policia bëjnë me dije se rreth muajve shtator-nëntor të vitit 2013, me urdhër të organit të akuzës, janë ndërmarrë sërish kontrolle në zonën e Sharrës, në zonat ku Prrenjasi ka rrëfyer të ketë hedhur trupin e pajetë të 11-vjeçarit, por asnjë rezultat, as gjurmë, as pjesë veshjeje ose mbetjeje që të forcojnë dyshimin se 11-vjeçari Julian Çela është ekzekutuar nga maniaku Prrenjasi. Për sa kohë që nuk gjendet një gjurmë e vetme nga i mituri, ndaj Prrenjasit nuk mund të ngrihet akuza e vrasjes, por burime nga uniformat blu pohojnë se pista e radhës së hetimeve është ajo e trafikut. Që në momentet e para të kësaj çështjeje ka pasur dyshime se fëmija mund të ishte trafikuar jashtë shtetit nga maniaku, me ndihmë të ndonjë bashkëpunëtori. Dyshimet u forcuan, kur nga dëshmia e të miturit 10-vjeçar A. R., të përdhunuar nga maniaku, përmendej një bisedë telefonike ku thuheshin këto fjalë: “Fëmija është gati, mund ta merrni”. Ky fakt fillimisht u publikua nga blutë dhe më pas u kundërshtua si i rremë. Ndërkohë, burimet konfidenciale pohuan faktin se kunati i Prrenjasit dyshohet se është i shpallur në kërkim në vendin tonë për trafik të miturish dhe ka një bazë veprimi në Volos të Greqisë, ku ka ndërruar edhe identitet. Një mori të dhënash, të cilat ende nuk kanë gjetur fakte konfirmuese. Burime të policisë shprehen se në mungesë provash shkresore dhe dëshmish nuk mund të kërkojë nga ana e policisë helene që të bashkëpunojë në zbulimin e ndonjë informacioni, nëse i mituri është trafikuar. Në lidhje me kunatin e Prrenjasit këto burime pohojnë se ai është një personazh me precedentë penalë, por momentalisht nuk ka prova faktike që të jetë i përfshirë në këtë çështje pavarësisht nga dyshimet.

 

Hetimet

 Ende nuk përcaktohet dot nëse Prrenjasi është autori i vrasjes apo trafikimit të Julian Çelës. Vetë i pandehuri, i cili po gjykohet për përdhunimin dhe heqjen e paligjshme të lirisë së një të mituri 10 vjeç, ka ndryshuar disa herë versionin e dëshmisë dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Disa momente pas arrestimit, Ardian Prrenjasi ka pohuar se pasi e kishte vrarë të miturin, e kishte mbështjellë me një batanije dhe e kishte hedhur në kazanët e plehrave, por në muajin qershor të këtij viti Prrenjasi del me një version të ri, ku mohon kategorikisht të ketë lidhje me vrasjen e Çelës. Madje, edhe gjurmët e gjakut, të gjetura në banesën e maniakut, nuk i përkisnin të miturit, por vetë Prrenjasit, çka mohonte ekzekutimin e fëmijës në banesën e maniakut. Prokuroria është duke vijuar hetimet për Julian Çelën, ndonëse në ngarkim të Prrenjasit nuk u ngrit asnjë akuzë për këtë rast. Rasti i Julian Çelës i bashkëngjitet historisë së Bleona Matës, e cila u zhduk në malet e Kukësit pa lënë gjurmë. Dyshimet janë se këta dy të mitur mund të jenë trafikuar, por mbetet për t’u verifikuar akuza.

 

 

Mallakastër

Gjendet i vdekur një 32-vjeçar, dyshime se është vrarë

 Një person i moshës 32-vjeçare është gjetur i pajetë në fshatin Kalenj të Mallakastrës, njoftoi dje policia rajonale. Blutë dyshojnë se i riu është vrarë. Të njëjtat burime theksojnë se Jetmir Lazaj, 32 vjeç, u gjet në malin e Goricës i pajetë dhe në trup kishte shenja të shumta. Nga këqyrja që bëri ekspertiza, dyshohet se Lazaj është vrarë me mjete të forta. Policia thekson se po heton për konfliktet që ka pasur Lazaj me qëllim gjetjen e autorëve të krimit dhe zbardhjen e motiveve. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore, e cila do të ndihmojë në zbardhjen e motivit të vdekjes.

 

 

Fushë-Krujë

Grabiten për skrap pjesët metalike të urës

 Tregtisë së skrapit nuk i kanë shpëtuar as urat. Një e tillë është sulmuar nga hajdutët ditën e djeshme dhe i janë marrë pjesët metalike. Policia bën me dije se urës mbi lumin Mat, që lidh segmentin rrugor Fushë-Krujë – Shkodër i janë vjedhur pjesë metalike, duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme. Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar kanë shkëputur nga ura pjesë të konsiderueshme metalike në mënyrë që t’i shesin për skrap. Blutë e Fushë-Krujës bëjnë me dije se kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

 

 

Lezhë

Dy të moshuar gjenden të pajetë, dyshime se janë asfiksuar

 Dy të moshuar janë gjetur të pajetë në banesën e tyre, në lagjen Varosh të Lezhës, në afërsi të Kalasë së qytetit. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se të moshuarit dyshohet se kanë humbur jetën, pasi janë asfiksuar nga tymi i sobës së drurit, të cilën e kishin lënë ndezur gjatë gjithë natës. Mësohet se viktimat janë Pal Boçi, 82 vjeç, dhe Dava Boçi, 77 vjeçe. Policia dhe forcat zjarrfikëse, të cilat u njoftuan nga fqinjët e të moshuarve, mbërritën në vendngjarje dhe bënë të mundur hapjen e derës së banesës, e cila ishte e mbyllur me çelës. Pasi kanë hyrë në banesë, ata kanë gjetur bashkëshortet të pajetë në krevat. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

 

Tiranë

Do të kryente grabitje, pranga në makinë të dyshuarit

 Një person i dyshuar si grabitës me armë është vënë në pranga nga efektivët e Policisë së Tiranës. Aksioni është zhvilluar mesditën e djeshme në Tiranë dhe, sipas policisë, të arrestuarit A. Kurti i është bllokuar edhe një armë e llojit pistoletë. Burime nga policia kanë bërë të ditur se Kurti vinte nga Burreli në Tiranë, me qëllim që të kryente grabitje. Arrestimi i tij është bërë nga efektivët e sektorit të Operacioneve Speciale në Policinë e Tiranës dhe uniformat blu të komisariatit numër 2 në kryeqytet.

Share it :