Ja 13 monumentet e natyrës që tërheqin turistët në Tiranë

Plani i ri vendor i Tiranës parashikon t’i japë një hov të ri turizmit në kryeqytet. Pjesë e strategjisë së zhvillimit të turizmit do të jenë edhe monumentet e natyrës.

Brenda territorit të Bashkisë Tiranë përfshihen edhe disa monumente natyre që janë dhe zona të mbrojtura dhe në të cilat zbatohet shkalla e parë e ruajtjes. Monumenteve natyrorë vlerësohet se përbëjnë një atraksion të madh për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Por cilat janë monumentet e natyrës në Tiranë:

1-Shpella e Zezë. 

Shpella e Zezë, ose siç quhet ndryshe shpella e Pëllumbasit (ndodhet pranë fshatit Pëllumbas), 25 km në juglindje të Tiranës, pikërisht në Parkun Kombëtar të Dajtit, në grykën e Skoranës që përshkohet nga lumi Erzen. Për të shkuar tek Shpella e Zezë ndiqet rruga Tiranë – Elbasan deri në Ibë. Më pas ndiqet ajo që të çon në fshatin Pëllumbas. Prej këtij të fundit, për të arritur deri në shpellë, rruga është këmbësore.

2. Shpella e Shutresë. 

Kjo shpellë ndodhet në afërsi të fshatit Val (Martanesh), në skajin lindor të Malit me Gropa, në një lartësi prej afro 900 m mbi nivelin e detit. Është shpellë karstike rreth 800 m e gjatë. Ka dy hyrje, njëra në formën e një pusi rreth 100 m të thellë, që përfundon në galerinë kryesore dhe tjetra në formën e një zgavre, rreth 30 m mbi shtratin e përroit të Peshkut, degë e lumit të Matit. Shpella ka vlera shkencore, didaktike dhe turistike të karakterit vendor. Për ta vizituar ndiqet itinerari Tiranë- Bizë-Val.

3. Shpella e Valit. 

Edhe kjo shpellë ndodhet në afërsi të fshatit Val (Martanesh), rreth 1000 m mbi nivelin e detit. Është shpellë karstike e formuar në kryqëzimin e thyerjeve tektonike në gëlqerorët. Është e gjatë 250 metra, e gjerë deri në 35 m dhe e lartë 25 m. Hyrja e shpellës ndodhet në rrëzën e shpatit dhe në të humbet përroi i Bizës. Shpella ka vlera shkencore, didaktike, ekologjike dhe kulturore të karakterit vendor. Për ta vizituar atë duhet ndjekur rruga automobilistike Tiranë – Dajt – Mali me Gropa – Bizë – Val, ku të jepet mundësia që të shikosh edhe monumentin tjetër të natyrës, peizazhin karstik të Malit me Gropa.

4. Tarraca detare e Dajtit. 

Ndodhet në lartësinë 1000 m mbi nivelin e detit, në shpatin perëndimor të Parkut Kombëtar të Dajtit. Ajo përfaqëson një fragment të nivelit të tarracës detare të formuar miliona vjet më parë , nga veprimtaria e valëve të detit. Është e gjatë rreth 2 km dhe e gjerë rreth 800 m. Tarraca është një fushë me livadhe, përreth së cilës ka pyje ahu. Kjo tarracë ka vlera shkencore didaktike, ekologjike dhe turistike, të karakterit vendor. Për të vizituar këtë monument merret rruga automobilistike 26 km Tiranë – Linzë – Dajt.

5. Gryka e Skoranës. 

Ndodhet përgjatë rrjedhjes së lumit të Erzenit, në afërsi të shpellës së Zezë dhe fshatit Pëllumbas. Është një kanion i formuar nga veprimtaria erozive e lumit me të njëjtin emër në shkëmbinjtë gëlqerorë që ndërtojnë malin e Pashkasheshit në veriperëndim dhe Pashtreshit në juglindje. Në të njëjtën kohë gryka përbën edhe një ekosistem interesant karstik. Kjo grykë ka vlera shkencore, didaktike, kulturore, ekologjike, estetike dhe turistike të karakterit vendor. Ajo  mund të vizitohet, duke ndjekur rrugën automobilistike Tiranë – Ibë – Pëllumbas.

6. Gryka e Murdharit. 

Ndodhet pranë zonës së Krrabës. Përshkohet nga përroi i Murdharit , që është degë e lumit Erzen. Gryka ka trajtën e një kanioni mjaft interesant. Gjithashtu ajo shquhet për shpatet e thepisura, me guva e shpella karstike të vogla. Përbën një ekosistem karstik me vlera turistike të karakterit vendor. Tek ky monument shkohet duke ndjekur rrugën Tiranë – Ibë – Kllojkë.

7. Shkalla e Tujanit. 

Ndodhet në luginën e lumit të Tiranës. Ka formën e një kanioni interesant. Në shpatet e thepisura të tij ka guva e shpella karstike, që e bëjnë edhe një ekosistem karstik. Përgjatë shkallës, që në periudhën e antikitetit, ka kaluar rruga me rëndësi të madhe për të gjithë Shqipërinë Qendrore, që lidhte Durrësin e Tiranën me Dibrën e Madhe dhe më tej me brendësinë e Ballkanit.  Ky monument është i përshtatshëm për itineraret ditore turistike që përfshijnë rrethinat e Tiranës. Në shpatet e pjerrët ka kushte për të mësuar ngjitjet alpiniste, eksplorimin e shpellave etj. Për të vizituar këtë monument duhet ndjekur për rreth 50 minuta rruga automobilistike: Tiranë – Brar – Zall Dajt.

8. Karsti i Malit me Gropa. 

Ky monument shtrihet në lartësitë e malit tepër interesant, emri i të cilit lidhet me gropat e shumta, sa të lenë përshtypjen e hojeve të bletëve. Këto gropa me pamje të çuditshme janë formuar nga procesi karstik, ose i tretjes në ujë të shkëmbinjve gëlqerorë, prej të cilëve është ndërtuar ky mal. Bokërimat e Mënerit. Ndodhen në afërsi të fshatit Mëner, rreth 400 m mbi nivelin e detit. Mund të vizitohet duke ndjekur rrugën Kodër Kamëz-Bovillë-Mëner.

9. Bokërimat e Mustafa Kocajt. 

Ndodhen në afërsi të fshatit homonim, në kodrat e Krrabës, komuna Baldushk. Përbëjnë një peizazh të veçantë, të formuar nga erozioni i fuqishëm në shkëmbinjtë me përmbajtje të madhe argjili. Ato janë pasojë e veprimit të faktorëve natyrorë dhe të ndërhyrjes pa kriter të njeriut në mjedis. Mund të thuhet se ato kanë vlera sidomos edukuese mjedisore të karakterit vendor. Për të vizituar këtë monument duhet ndjekur rruga automobilistike Tiranë –Baldushk – Mustafa Koçaj.

Bio-monumente:

1. Rrapi i Ndroqit.

Ndodhet në qendër të fshatit me të njëjtin emër. E veçanta e këtij rrapi është historia e tij, pasi vite më parë aty organizohej dita e pazarit, dhe kështu u quajt ndryshe edhe “Rrapi i Pazarit”. Mosha e këtij rrapi është shumë e vjetër, rreth 400-vjeçare, lartësia e tij 15-17m, diametri i trungut rreth 2.2 m. Ka vlera historike, shkencore dhe didaktike. Vizitohet duke ndjekur rrugën Tiranë- Ndroq-Durrës.

2. Rrapi i Priskës. 

Ndodhet pranë fshatit Priskë e Madhe. Ai konsiderohet si druri më i vjetër (mbi 500 vjeçar) dhe më i lartë (14,5 m) në të gjithë fshatin. Prej këtij rrapi mund të vrojtosh të gjithë fshatin e Priskës, shpatin perëndimor të Parkut Kombëtar të Dajtit, kryeqytetin, si dhe fushën e kodrat përreth tij. Bukuria e peizazhit, që shpaloset nga lartësitë e këtij monumenti i jep atij vlera turistike dhe historike të veçanta. Ai mund të vizitohet duke ndjekur për rreth 20 minuta rrugën automobilistike Tiranë- Linzë-Priskë e Madhe.

3. Rrapi i Kranës. 

Ndodhet pranë fshatit Priskë e Madhe, në afërsi të Honit të Gjyshit dhe burimit me të njëjtin emër. Ai ka një moshë 300 vjeçare, një lartësi prej 18 m. Ai ndodhet në rrugën e lashtë të Arbrit që lidhte pjesën perëndimore të vendit me Dibrën. Thuhet se nën hijen e tij çlodheshin udhëtarët e lodhur. Në ujërat e tij, janë ngritur ambientet e rritjes artificiale të troftës. Prej këtu mund të sodisësh gjithë fushën e Tiranës, kodrat përreth saj, kryeqytetin etj. Mund të vizitohet, duke ndjekur rrugën automobilistike Tiranë – Linzë – Qafa e Priskës.

4. Arra e Babë Myslimit. 

Ndodhet pranë qendrës së fshatit Pezë e Madhe, vetëm pak metra larg shtëpisë muze të Babë Myslimit. Është e lartë rreth 12 m, ndërsa gjerësia e kurorës arrin në 4 – 5 m. Këtu më 16 shtator 1942 u organizua Konferenca e Pezës, ku forcat politike shqiptare hartuan platformën e luftës çlirimtare nga pushtuesit e huaj fashistë. Në hijen e kësaj arre pushonte heroi i popullit Myslym Peza. politike”. Për ta vizituar atë merret rruga automobilistike (25 km) Tiranë – Pezë e Vogël – Pezë e Madhe.

Share it :