E paralajmëruan për “Ballukun”, 9 vende të BE-së ngrijnë negociatat me Shqipërinë

Negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian janë futur në një fazë frenimi, që i dedikohet votimit të datës 12 mars në parlament, kur Edi Rama me 82 vota socialistësh rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, një akt për të cilin ishin paralajmëruar pasojat nga zëra të fuqishëm të BE dhe nga disa ambasada perëndimore në Tiranë.

Ndaj, ajo që deri dje ishte një përplasje e brendshme mes prokurorëve të SPAK-ut dhe Partisë Socialiste ka udhëtuar drejt Brukselit si një test i dështuar për reformën në drejtësi.

Lapsi.al mësoi se në diskutimet e datës 1 Prill në COELA që është një grup pune i Këshillit të Bashkimit Europian, ku përfaqësues të të gjitha shteteve anëtare diskutojnë në nivel teknik dhe politik procesin e zgjerimit, nga 9 vende anëtare të Bashkimit Europian janë ngritur disa çështje që rrezikojnë avancimin me negociatat.

Mungesa e besimit nga 9 shtete anëtare për Shqipërinë

Burime diplomatike konfirmojnë se një diskutim i detajuar është zhvilluar mbi raportin IBAR, instrumenti teknik që mat nëse një vend kandidat ka përmbushur standardet ndërmjetëse për të avancuar në negociata, veçanërisht në GrupKapitullin 1, që përfshin shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe institucionet demokratike.

Ky raport është një lloj filtri kritik që përsëritet herë pas herë në vlerësimet për një vend kandidat: pa kaluar IBAR-in, kapitujt nuk mbyllen dhe procesi mbetet në vendnumëro.

Në këtë fazë, Presidenca e Bashkimit Europian prezantoi një draft të rishikuar të pozicionit të përbashkët, duke reflektuar pjesërisht komentet e shteteve anëtare. Ndryshimet prekën një gamë të gjerë fushash, nga funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma në administratë, tek konfiskimi i pasurive, liria e shprehjes, të drejtat e pronësisë dhe lufta kundër korrupsionit.

Komisioni Europian, nga ana e tij, mbrojti një qëndrim teknikisht pozitiv për Shqipërinë. Në mbledhje iu dhanë përgjigje të detajuara rreth 43 pyetjeve të shteteve anëtare dhe u theksua se Shqipëria “ka bërë mjaftueshëm për të mbyllur pikat ndërmjetëse të Grupkapitulli 1”. Por duket se nota pozitive në një vlerësim teknik nuk mjafton kur mungon besimi politik.

Dhe pikërisht këtu nis ana tjetër e procesit, që nuk paralajmëron asgjë të mirë për Shqipërinë.

Lapsi.al mësoi se një grup i konsiderueshëm shtetesh anëtare, 9 prej tyre, që përfshin Gjermaninë, Luksemburgun, Holandën, Suedinë, Austrinë, Finlandën, Poloninë, Greqinë dhe Bullgarinë, nuk janë ende të bindura se është momenti për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë. Secila prej tyre ka ngritur flamuj të kuq në fusha të ndryshme: Polonia për klimën e biznesit, Greqia për të drejtat e pronësisë, pakicat kombëtare, Bullgaria për pakicat, Austria për çështje konkrete si IPARD-i etj. Hezitimi i tyre kërkon pyetje të tjera shtesë.

Vende të tjera ishin më fleksibël. Estonia kupton shqetësimet e Holandës, Gjermanisë dhe të tjerëve, por thekson rëndësinë e avancimit të procesit. Nëse Bashkimi Europian ka kushte shtesë për Shqipërinë, ato duhet të përcaktohen qartë, dhe jo të vazhdohet pafundësisht me diskutime pa objektiv. Nga ana tjetër,
Spanja dhe Italia shprehën mbështetje, duke theksuar se ky është edhe një problem komunikimi strategjik për BE-në, nëse nuk arrin t’i shpjegojë Shqipërisë pse procesi po vonohet.

Çfarë ndodh më pas?

Në sipërfaqe shqetësimet e 9 vendeve duken si teknike. Në thelb, ato janë shprehje e një mosbesimi më të thellë: a funksionon realisht shteti i së drejtës në Shqipëri, apo mbetet i varur nga vendimet politike?

Nëse Shqipëria do të ecë para në procesin e negociatave, tani u takon shteteve anëtare të bien dakord për një qëndrim të përbashkët të BE-së për Grup Kapitullin 1, i cili do të përcaktojë piketat përmbyllëse në fushën e Shtetit të së Drejtës, por për momentin, kjo marrëveshje mungon.

Procesi pritet të hyjë në një tjetër raund diskutimesh më 7 prill në COELA, ku shtetet anëtare do të kërkojnë sqarime shtesë nga Komisioni, përpara se një draft i ri të hidhet në tavolinë më 9 prill.

Kjo do të thotë më shumë pyetje, më shumë kushte dhe më shumë verifikime.

Si lexohen diskutimet e Brukselit në Tiranë

Ndërkohë, në Tiranë, kryeministri ka vazhduar me fjalimet mohuese dhe vijon të shesë një optimizëm që nuk përputhet dhe aq me situatën. “Ky është një moment kur ne mund të bëjmë historinë duke hyrë në Bashkimin Europian. Është hapur një dritare, ose më saktë, është hapur dera, por dera mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet dera dhe ne nuk do të bëhemi sebep që të mbyllet dera”, u shpreh Rama pikërisht në datën 1 Prill në një takim me studentët me temë integrimin në Bashkimin Europian.

Në anën tjetër Sali Berisha e lexon situatën si një bllokim të drejtpërdrejtë të shkaktuar nga mbrojtja politike e Ballukut. “Malit të Zi ju votua, ndonëse kanë një seri vërejtjesh, por IBARI-n ja votuan. Kurse Edi Rama është bërë parzmore e korrupsionit. Përdori 83 mandatet për Lubi Ballukun. Edi Rama është kreu i organizatës kriminale, jo vetëm në rastin e qeverisë, por edhe në rastin Balluku”, deklaroi ai në një konferencë për mediat.

Kontrasti me Malin e Zi është domethënës. Radio Evropa e Lirë raportoi pak ditë më parë se Podgorica arriti të kalojë IBAR-in dhe të avancojë në negociata. Tirana, në të kundërt, po ngec në të njëjtin prag, duke u përballur me dyshime për mënyrën se si premtimet për drejtësi dhe luftë ndaj korrupsionit po zbatohen në praktikë.

Në fund të ditës, qeveria e Ramës ishte paralajmëruar për pasojat që do të kishte për negociatat dhe po dështon pikërisht aty ku pretendon se ka bërë revolucion: tek drejtësia. Dhe në qendër të këtij revolucioni, si simbol i përplasjes qëndron një emër i vetëm: Belinda Balluku. /Lapsi.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news