Ish-kreu i grupit në Parlament/ Humbja e PD-së, Patozi: S’bëhet dasmë në vaki, neveri për ata që e quajtën rritje. LSI, si thithëlopa

Gëzim Saliu

meta-patoziPatozi: Shifrat e zgjedhjeve përvëluese, nuk bëmë diferencën me qeverinë që shqiptaret të na shihnin si shpresë për të dalë nga moçali i politikës

“S’shoh ndryshim mes deleve në këtë sallë dhe atyre që pranojnë ta shesin votën për 50 mijë lekë, përveçse çmimi ynë është rreth 1 mijë euro në muaj. Fitoret e mafias janë të përkohshme”

Ish-kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, deklaroi dje në formë të prerë nga foltorja e Kuvendit se PD humbi qartësisht në zgjedhjet e 21 qershorit. Përmes një fjale, e cila trokiti fort si tek kolegët e paktë në sallë të grupit parlamentar që përfundimin e fjalimit e përcollën me një gjysmë duartrokitje, por edhe tek rivalët socialistë që u ndien “të prekur” tek akuzat për aleatin e madh LSI, ligjvënësi demokrat vuri pikat mbi “i” për atë që mund të cilësohet si analiza në vija të përgjithshme e rezultatit zgjedhore për opozitën. Në këtë kontekst, ai nuk ngurroi të shprehte neveri ndaj atyre zërave që sipas tij shprehën entuziazëm për rritjen e opozitës pas zgjedhjeve lokale. “Ne i humbëm qartësisht, por edhe qeveria nuk i fitoi dot zgjedhjet e 21 qershorit. Nuk ka asnjë nonsens logjik në këtë përfundim, sepse ka ndodhur edhe herë të tjera, që betejat të mbyllen pa fitues. Kam dëgjuar këto ditë, jo pa neveri, edhe tipa, që megjithëse vinin nga një humbje e drejtpërdrejtë në terren, flisnin me entuziazëm për rritje të ndjeshme të opozitës dhe Partisë Demokratike në gjithë vendin. Dhe kam menduar për një çast se çfarë duhet të bënte, fjala vjen, Frani, që ka fituar në Lezhë, në rast se do të ishte i pacipë. Duhet të merrte një mitraloz 12.7 mm dhe të qëllonte në sheshin “Skënderbej”, ndoshta. Por Frani, mendoj unë, nuk ndihet, sepse e di që, ai PO, por partia e tij nuk ka fituar, dhe të ngresh sot dy gishtat e fitores është njësoj si të bësh dasmë me orkestër, në të njëjtën ditë që të kanë vdekur njerëzit e shtëpisë”, – u shpreh deputeti i PD-së. Më tej, Patozi tha se nuk e kishte për turp të thoshte se nuk ua arrit ajo që pritej, madje sipas tij shifrat e zgjedhjeve janë përvëluese për forcën më të madhe opozitare. “Do të duhet pak kohe që të shpjegohen të gjitha arsyet që çuan në këtë mosarritje, por një gjë është e sigurt dhe shkëlqen së largu. Ne nuk ia dolëm të bënim diferencën me qeverinë, që shqiptaret të na shihnin si shpresë për të dalë nga moçali i politikës, që zhvat pa mëshirë pushtet dhe para, e cila nuk ka asnjë molekulë ndjeshmërie qytetare brenda vetes. Dhe dihet që mazhoranca fiton gjithmonë, sa herë që krijohet perceptimi se këtu janë të gjithë njësoj”, – u shpreh ai.

 

Për LSI-në

Ndërsa pjesa e parë e fjalimit të deputetit demokrat ishte e përqendruar tërësisht te rezultati i zgjedhjeve dhe opozita, pjesën e dytë të fjalimit Patozi ia “kushtoi” tërësisht Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilën e cilësoi si thithëlopën e këtyre zgjedhjeve. “Ajo është e specializuara në këtë fushë, ajo ka ekskluzivitetin në shitblerjen e votës, se ajo ta kthen më shpejt se të gjithë nderin, se pazarit të saj nuk i shpëton asnjë nga nivelet e pushtetit, që nga legjislativi, e deri tek gjyqësori, që nga institucionet e pavarura, e deri tek pushteti lokal”, – deklaroi ligjvënësi i PD-së. Në këtë kontekst ai tha se nëse do të flitej për numra, atëherë në këto zgjedhje sipas Patozit fitues është LSI. Por kjo forcë nuk kënaqet ende, theksoi më tej deputeti demokrat, pasi pohoi: “Stomaku i të babëziturit nuk ngopet kurrë”. “Ka shumë njerëz sot që thonë se LSI është kanceri i Shqipërisë, se Ilir Meta është e keqja e madhe e këtij vendi. Unë nuk mendoj kështu, sepse tek e fundit edhe LSI, edhe Ilir Meta janë produkte “made in Albania”, natyrisht jo bio. Unë mendoj se LSI nuk është sëmundje, por krijesë. Suksesi i LSI-së, sipas meje, qëndron në faktin se si krijesë ajo rritet shumë më tepër se çdo gjallesë tjetër në një mikroklimë të caktuar. Njësoj si përbindëshat e filmave fantastikë, që shndërrohen në gjigantë nga ambientet pa dritë dhe me lagështirë”, – nënvizoi Patozi. Në këto kushte për ish-kreun e grupit parlamentar demokrat është e rëndësishme që të ndryshohet me urgjencë “ambienti moçalor” për të shpëtuar, siç tha ai, nga sëmundja LSI. “Unë nuk mund të pranoj kurrsesi që ai, i cili është votuar dhe paguhet si Kryetar i Kuvendit të jetë njëkohësisht edhe Kryeministër, edhe ministër Bujqësie, edhe ministër Drejtësie, edhe kryetar gjykate, edhe kryetar KQZ-je, edhe drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, edhe drejtor policie, edhe prokuror, madje edhe pronar i të gjitha medieve, edhe… gjithçka në këtë vend. Fitoret e mafias janë të përkohshme dhe se pasuritë e vjedhura nuk gëzohen kurrë gjithë jetën”, – deklaroi deputeti demokrat, i cili nuk ngurroi që në fjalimin e foltores së Kuvendit të përcillte një mesazh për të gjithë deputetët duke pohuar: “Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh mes deleve në këtë sallë dhe të atyre që pranojnë ta shesin votën për 50 mijë lekë, kudo në Shqipëri, përveç faktit që çmimi ynë është pak më i shtrenjtë, rreth 1 mijë euro në muaj”.

 

Humbja e PD dhe LSI-ja, përgjigjja e Metës për Patozin: E ke kot, se keni fituar

Ndonëse në fjalimin e tij deputeti demokrat Astrit Patozi foli gjerë e gjatë lidhur me humbjen e PD-së në zgjedhje si edhe atë që ai e quajti “krijesën” LSI, ishte kryetari i kësaj force politike, Ilir Meta, i cili iu përgjigj përmes një deklarate të shkurtër ironie. “Faleminderit, po kot e ke, se keni fituar”.

Share it :