Sonja Caka
Vleftësimi i masës së arrestit, ish-gjyqtari hesht në sallën e gjyqit. Avokati Visha: I panevojshëm diskutimi për provate dhe akuzat, do i drejtohemi Apelit
Disa ditë pas arrestimit të ish-kreut të Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, i akuzuar për korrupsion, dje ai është shoqëruar në Gjykatën e Tiranës, ku është njohur me akuzat dhe provat që disponon Prokuroria kundër tij. Vetë i akuzuari nuk ka preferuar të flasë para togave të zeza dhe prokurorit për akuzat ndaj tij, duke dhënë vetëm gjeneralitet. Po të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe avokati i tij, i cili ka preferuar që diskutimet për provat që ka organi i akuzës ndaj klientit të tij t’i bëjë në Gjykatën e Apelit. Pasi ka dëgjuar prokurorin Ndini Tavani dhe avokatin Visha, gjyqtarja Marjana Dedi, e cila ka caktuar masën në mungesë, ka vleftësuar si të ligjshëm arrestimin e ish-gjyqtarit dhe ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.
Seanca
Ish kryetari i Gjykatës së Pukës, gjyqtari Shtejfen Lleshi do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve, së bashku me personat e tjerë të akuzuar për të njëjtin episod korrupsioni, atë të skandalit të bërë pblik në emisionin investigativ Fiks Fare. Seanca gjyqësore e verifikimit të masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës zgjati vetëm pak minuta, pasi gjyqtari Lleshi nuk preferoi të flasë për akuzat e prokurorisë. Të njëjtin qëndrim me klientin e tij mbajti edhe avokati mbrojtës Ardian Visha, i cili e cilësoi të panevojshëm diskutimin për akuzat dhe provat, duke u shprehur se do të ankimojnë vendimin pranë Gjykatës së Apelit, ku edhe do kërkohet ndryshimi i kësaj mase sigurie. Më herët, në fillim të seancës, prokurori Ndini Tavani, i kujtoi edhe njëherë gjyqtares Marjana Dedi që caktoi në mungesë masën e arrestit “burg pa afat” se ndaj gjyqtarit Lleshi rëndon akuza e “mitmarrjes”, pasi në bashkëpunim me avokatët, kancelaren dhe sekretaren e Gjykatës së Pukës kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash për t’i liruar nga burgu 5 pjesëtarë të një familje. Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtarja la në fuqi masën e marrë në mungesë, ndërsa avokati Visha u shpreh se do ankimojë në Apel këtë masë arresti.
Arrestimi
Arrestimi i gjyqtarit Lleshi është bërë në kafenenë poshtë banesës së tij në zonën e “Don Boskos”, vetëm tri ditë pas miratimit të KLD-së së kërkesës së organit të akuzës. Sipas policisë, mësohet se gjyqtari nuk ka shfaqur rezistencë gjatë momentit të prangosjes. Siç bëhet me dije, gjyqtari ishte ulur në kafenenë poshtë pallatit, kur oficerët e policisë i kanë vënë pranga, duke i komunikuar akuzat. Burime nga blutë sqarojnë se gjatë marrjes në pyetje gjyqtari ka kundërshtuar akuzën dhe ka shprehur gatishmëri për të qenë në dispozicion të drejtësisë. Ish-kryetari i Gjykatës së Pukës akuzohet për korrupsion për skandalin e publikuar nga emisioni investigativ “Fiks Fare”. Gjykata e Tiranës kishte firmosur disa orë para arrestimit masën e arrestit me burg për ish-kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, duke e çuar kështu në 7 numrin e të arrestuarve si të përfshirë në këtë çështje. Kërkesa është paraqitur nga ana e prokurorisë pas aprovimit të marrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Arrestimi i gjykatësit u bë pas një video-skandali të transmetuar në media, ku dukej qartësisht se si në Gjykatën e Pukës paguheshin miliona para në këmbim të ndryshimit të masës së sigurisë për të arrestuarit. Konkretisht gjykatësi Lleshi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Prençi, Liljana Shkjau, Meliha Kukaj, Fran Dashi, Friz Xhurxhi dhe Dëfrim Prençi, kanë ndërhyrë në procedurat ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”, me qëllim për të përfituar shpërblim financiar.
Skandali
Skandali i korrupsionit në Gjykatën e Pukës, u publikua nga emisioni Fiks-Fare ku dhe u arrestuan ish-shefi i akuzës në Pukë, shoferi i tij, dy avokatë dhe kancelarja e sekretarja e gjykatës. Të martën e javës së kaluar, Gjykata e Tiranës la në qeli gjashtë të arrestuarit për skandalin e korrupsionit në Gjykatën e Pukës. Togat e zeza caktuan masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-prokurorin Pëllumb Prençi, ish-kancelaren e Gjykatës së Pukës Meliha Kukaj, ish-sekretaren gjyqësore Liljana Shkjau, sekserin Dëfrim Prençi, si dhe avokatët e palëve Fariz Xhurxhi dhe Fran Dashi. Gjatë seancës gjyqësore, gjashtë të arrestuarit kanë mohuar përfshirjen e tyre dhe janë përpjekur të shfajësohen para togave të zeza. Për skandalin e Gjykatës së Pukës të denoncuar në “Fiks Fare”, u arrestuan Pëllumb Prençi ish-prokuror i rrethit Pukë, Meliha Kukaj, ish-kancelare, Liljana Shkjau, ish-sekretare e Gjykatës së Pukës, Fran Dashi dhe Fariz Xhurxhi me funksion avokat, si dhe Dëfrim Prençi.
Kuçovë
Harrojnë të mbyllin bombulën e gazit, asfiksohen çifti i të moshuarve
Dy bashkëshortë të moshuar nga Kuçova janë asfiksuar nga gazi pasi mësohet se kanë harruar të mbyllin bombulën e gazit. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se Stilian dhe Krisanthi Thomai 73 dhe 70 vjeç, kishin harruar të mbyllnin bombolën e gazit dhe janë asfiksuar në gjumë. Për pasojë 73-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se gruaja është dërguar menjëherë në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas policisë së Kuçovës, të moshuarit jetonin vetëm në banesë. Kanë qenë fqinjët të cilët kanë lajmëruar policinë, sapo kanë ndjerë erën e fortë të gazit që dilte nga banesa e çiftit Thomai. Fatkeqësisht për 73-vjeçarin Stilian Thomai ndërhyrja e policisë ka qenë shumë e vonë, pasi ai kishte ndërruar jetë.
Tiranë/ Berat
Përfshihet nga flakët banesa, humb jetën e moshuara
Dy zjarre kanë rënë ditën e djeshme thuajse në të njëjtën kohë në dy banesa në Berat dhe Tiranë, afër mesditës. Nga zjarri i rënë në kryeqytet, mësohet se ka humbur jetën një grua e moshuar e identifikuar si, Margarita Shkurti. Zjarri i parë ka pasur si shkak një shkëndijë elektrike, e cila ka shkrumbuar një banesë në fshatin Velabisht të Beratit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 minuta, kur flakët kanë djegur nga themelet banesën në pronësi të Ylli Kodrës. Siç bëhet e ditur, nga flakët ka dëme të mëdha materiale, ndërsa katër pjesëtarët e familjes Kodra; kryefamiljari, bashkëshortja, dy fëmijët, djali dhe vajza, kanë mundur të dalin jashtë pa pësuar lëndime. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur makinat e zjarrfikëses së Beratit por që nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, pasi zjarri kishte shkrumbuar edhe çatinë e banesës në fshatin Velabisht. Edhe vetë familjarët dhe banorët e tjerë kanë tentuar ta shuajnë zjarrin por nuk ia kanë dalë dot sepse konstruksioni i saj ishte prej druri. Ndërsa zjarri i dytë ka rënë pak minuta pas të parit pranë stadiumit Dinamo në kryeqytet, në një banesë afër shkollës 9-vjeçare, “Emin Duraku”. Nga burimet policore mësohet se nga ky zjarr ka humbur jetën një e moshuar, Margarita Shkurti, 81 vjeçe. Kjo e fundit jetonte e vetme në banesë dhe sipas policisë, ajo ka humbur jetën nga asfiksia.
Tiranë
Aksidentohen rrugës për në dasëm dasmorët, tre në gjendje të rëndë
Katër persona janë plagosur rëndë mesditën e djeshme, pasi makina me të cilën udhëtonin ka dalë nga rruga në afërsi të urës së Limuthit, në aksin Tiranë-Durrës. Burime nga policia bëjnë të ditur se të plagosur kanë mbetur 3 femra dhe drejtuesi i mjetit, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur. Të plagosurit u dërguan me urgjencë në spitalin ushtarak, prej ku mësohet se 3 prej tyre janë në gjendje të rëndë. Ndërkohë policia po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se makina, me targë AA038DI, udhëtonte me shpejtësi të lartë dhe në tentativë për të parakaluar ka dalë nga rruga. Mësohet se të plagosurit po shkonin në një dasmë.
Krujë
Drogë dhe armë në lokal, arrestohet pronari 43-vjeçar
Pronari i një lokali në Fushë Krujë ka rënë në prangat e policisë, pasi gjatë kontrollit i është gjetur një sasi droge kokainë dhe një armë, pistoletë. Burime nga policia e Krujës kanë bërë të ditur se është arrestuar Ismet Ahmeti, 43 vjeç pronari i lokalit “Muzik Live Lulishtja” në Thumanë. Sipas policisë, ky person u kap në flagrancë pasi kishte në posedim një pistoletë të llojit “TT” si dhe një 1 gramë kokainë. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij, policia gjithashtu ka gjetur dhe sekuestruar edhe 8 makineta të palicensuara “Apex+multigame”. Në lidhje me këtë ngjarjes, dosja për ndjekje të mëtejshme i ka kaluar Prokurorisë së Krujës.




