Investigimi/ Mijëra dollarë pajisje Smart anës Lanës, por karikuesit për makinat elektrike nuk punojnë

Investigimi/ Mijëra dollarë pajisje Smart anës Lanës, por karikuesit për makinat elektrike nuk punojnë

Në vitin 2026 një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme ka rikthyer në qëndër të vëmendjes një të vërtetë të hidhur; sa herë që kriza shpërthen në zonat kyçe, ne paguajmë çmimin.

Tregjet reagojnë menjëherë, çmimi i karburantit rritet, energjia po ashtu, dhe efekti domino përhapet nga bursat deri tek xhepat e qytetarëve të zakonshëm. Dhe në këtë pikë, makinat elektrike nuk po duken më si një luks i së ardhmes, por si nevojë dhe domosdoshmëri e së tashmes. Dhe Shqipëria nuk mbetet pas, ne jemi shumë të avancuar dhe ecim me hapin e kohës.

Përgjatë gjithë Bulevardit “Gjergj Fishta” në kryeqytet, në anësoret e gjelbërta të lumit Lana janë instaluar plot 20 pemë solare të palëvizshme, 1 wind tree, gjethet e së cilës rrotullohen nga era dhe prodhojnë energji elektrike, si dhe 2 smart flower të cilat fatkeqësisht gjenden të mbyllura.

Megjithatë nëse bëjmë një llogari të thjeshtë të pajisjeve të vendosura anës bregut të Lanës, do kuptojmë se janë hedhur shumë para.

Një pemë solare e cila shërben kryesisht për ndriçime publike kushton minimalisht 30.000$, 20 të tilla janë plot 600.000$, shtuar 50.000$ dy lule smart të cilat shërbejnë për karikimin e automjeteve dhe 50.000$ një pemë ere, e cila gjithashtu shërben për ndriçim publik, janë në total 700 mijë$.

Gjithçka e llogaritur me çmime minimale, pasi mund të arrijë edhe dyfishin.

Kjo pa përfshirë stacionet elektrike që shërbejnë për karikimin e automjeteve, të cilat kushtojnë minimalisht 5000$ copa.

Edhe si këta të fundit ka mjaftueshëm në të dy krahët e rrugës, duke nisur që nga kryqëzimi pranë Shkollës “Vasil Shanto”, deri tek Pallati me Shigjeta, e në kthim përgjatë bulevardit Bajram Curri.

Por kush i ka instaluar dhe a punojnë këto pajisje të destinuara për karikimin e automjeteve elektrike?

Një zonjë e cila operon me biznesin e saj shumë pranë një stacioni elektrik, thotë se nuk ka parë asnjë makinë të karikohet aty, që prej ditës që janë instaluar.

Në krahun e Pallatit me Shigjeta, një tjetër qytetar, punonjës i një biznesi servis automjetesh, deklaron se ato pajisje janë jofunksionale.

Gazetari Freard Rista komunikoi edhe me persona të tjerë, qytetarë që kanë bizneset e tyre pranë këtyre stacioneve elektrikë, mirëpo të gjithë u shprehën njëlloj, që ato pajisje nuk janë funksionale.

“Erdhën disa turistë dhe fut e fut…e provuan, por nuk punonte”, – tha një burrë tek të 50-at, i cili kishte biznesin pranë shkollës “Vasil Shanto”.

Sa i takon institucioneve përgjegjëse, lidhur me instalimin dhe funksionin e këtyre luleve inteligjente,

Bashkia Tiranë njoftoi se kërkesa i ka shkuar për kopetencë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si institucioni përgjegjës, dhe kjo e fundit deklaroi se nuk ka informacion për numrin e luleve smart të instaliuara në kryeqytet, por se ka informacion vetëm për 2 smart flower të vendosura në bulevardin ‘Bajram Curri’ në aksin nga ura e Selitës deri në shkollën ‘Vasil Shanto’, për të cilat pretendon se janë funksionale.

Në përgjigjen e saj, Agjencia për Eficensën e Energjisë deklaron se 1 smart flower e prokuruar në vitin 2021 ka kushtuar rreth 36 milionë lekë të vjetra, me kursin e atëhershëm të këmbimit do të përllogaritej rreth 35 mijë dollarë, plot 10 mijë dollarë më shumë se sa çmimi mesatar i një luleje Smart.

Nga ana tjetër, për të mos harruar Bashkinë e Tiranës, në përgjigjen që kjo e fundit ka marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, bëhet me dije se në asnjë rast nuk janë depozituar kërkesa për kryerje punimesh në sistemin elektronik të lejeve, dhe për rrjedhojë nuk ka patur pranime për punime instalimi të strukturave në fjalë.

Që do të thotë se këto pemë e lule inteligjente, jo vetëm që nuk punojnë, por edhe janë pa leje?!

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :