Intervista Rama: Ja marrëveshja me FMN-në, kushtet që pranuam

Kryeministri: Nuk marrim parasysh amendamentet e opozitës për projekt buxhetin

“Do bëjmë reformë pensionesh , ka rrezik që një gjeneratë e tërë të ngelet pa pension pas 15 vitesh”

Rama ne Top StoryNë përmbyllje të vitit si edhe më shumë se 100 ditëve të qeverisë, Kryeministri Rama bëri të ditur dje në një intervistë për emisionin “Top Story” në Top Channel të gazetarit Sokol Balla, bilancin e vendimeve të marra, masat për ekonominë si edhe pritshmëritë për të ardhmen e vendit. Ai zbardhi detaje të marrëveshjes me Fondin Momentar Ndërkombëtar, shprehu kundërshtinë e tij mbi amendamentet e opozitës për projekt buxhetin si edhe foli për një reformë të thellë në pensione.

 

Maxhoranca miratoi në parim paketën fiskale dhe në një nga pikat kryesore të debatit është taksa progresive. A nuk mendoni që me këtë po godisni shtresën më produktive të shoqërisë, atë më korrekte ndaj shtetit, profesionistët e rregullt në pagimin e taksave?

Nuk mendoj kështu. Mendoj se po vëmë në jetë një nga zotimet kryesore dhe jam shumë i lumtur që po e bëjmë këtë brenda 100 ditëve, pasi zotimet që një mazhorancë bën në fushatë janë për harkun e katër viteve të ardhshme. Është qesharake dhe e dëshpëruar përpjekja e opozitës që na rendit të gjithë zotimet e na kërkon llogari, edhe pse e mirëpres këtë të fundit, në kaq pak kohë. Unë mendoj se kemi bërë gjënë e duhur, duke i mbetur parimit tonë të shpallur se kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe anasjelltas, duke hequr sistemin abuzues të taksës së sheshtë. Duke filluar nga 1 janari, një sanitereje që rrogën e  ka 307 mijë lekë, do t’ia ulim taksat në atë mënyrë që në fund të vitit të ketë kursyer 357 mijë lekë, pra më shumë se një rrogë. E kështu punonjësit në arsim, e kështu me radhë. Kemi vënë në vend një padrejtësi të tmerrshme që shoferi i kryeministrit paguante më shumë taksa se kryeministri, që infermierja ose polici paguanin më shumë se ministrant përkatës. Nga 1 janari do të jenë ministrat, kryeministri, presidenti të gjithë të mirëpaguarit që do të paguajnë më shumë taksa.

 

Në të gjithë vendet e Eurozonës, edhe në ato në krizë, qeveritë kanë qenë të përmbajtura në rritjen e tatimeve mbi biznesin, ndërsa ju keni shpallur rritjen me 50% për të gjithë bizneset me xhiro mbi 80 milionë lekë, një masë që nuk është pritur mirë nga sipërmarrësit. Në kushtet e një informaliteti të lartë, a mendoni se për të mbledhur të ardhura për arkën duhet të ishin ndjekur metoda të tjera?

Të themi një të vërtetë, fjala taksë nuk i pëlqen askujt, por 15% tatim mbi fitimin është një taksë shumë e ulët që nuk gjendet në Europën që ne duam të hymë. Këtu flasim edhe për një taksë që do të jetë kjo dhe vetëm kjo. Sepse e vërtetë që e kishin 10%, por të gjithë e dinin që shkonte shumë herë më tepër përqind ndonjëherë, për t’i paguar për pushtetin në formë gjobash, rryshfetesh në format që s’kanë bërë të mirën, por të keqen e ekonomisë dhe shoqërisë sonë. Ne kemi intervistuar përpara zgjedhjeve 5 mijë sipërmarrës, patjetër që e kemi bërë ilegalisht sepse askush nuk mund të fliste lirisht si sot dhe kemi konstatuar se mesatarja e pagesës ishte 22% edhe pse nuk shkonte në arkat e shtetit, por kjo është ajo që paguhej. Për ne flitet me një ulje prej 7%, për ne nga ana tjetër është detyrë që të ofrojmë një administratë që të mos shkelet barazia dhe të mos zëvendësohet një kastë zyrtarësh me një kastë të tjerësh dhe jam i sigurt që tatim fitimi 15%, jo vetëm nuk do të sjellë goditje, por do të jetë me ndikim zero nëse do të jemi në gjendje të garantojmë sigurinë, respektin dhe qetësinë për sipërmarrjen, së bashku me lirinë e konkurrencës dhe të garantojmë që të gjithë të fitojnë në bazë të konkurrencës e jo në bnazë të lidhjes me rryshfetin që paguan e kështu me radhë.

Keni një parashikim sa do të jetë rritja ekonomike?

Niveli i rritjes ekonomike dhe ai i borxhit është i diskutueshëm në qeveri. Flitet që rritëm borxhin, por ne nuk e kemi bërë këtë thjesht kemi legalizuar një borxh që zotërinjtë përpara nesh nuk e njihnin.

Zoti Rama ju e keni quajtur buxhetin 2014 buxhet që të ndalë rrënimin, megjithatë duket që, sic e the edhe vetë, që fatura në fakt është shumë e lartë dhe kjo ju ka detyruar që jo vetëm të thërrisni FMN, por të paktën thuhet që marrëveshja ka kushte të rënda dhe kërkesa të forta që mund të shkojnë deri në rritjen e moshës së pensioni. Mund të na thoni dicka më tepër rreth kësaj marrëveshje?

Marrëveshja nuk ka kushte të rënda për qytetarët. Marrëveshja ka kushte të rënda për qeverinë, në kuptimin që përkundër një marrëveshje, që nuk është detyruese për ulje rrogash, ulje pensionesh apo ndërprerje investimesh deri sa të balancohet borxhin i shtëpisë, por është një marrëveshje që përkundër kërkesave tona që të lehtësojmë njerëzit e zakonshëm, që jetojnë me punën e tyre të ndershme falë një rroge, të lehtësojmë rrugën e njerëzve që duan punë dhe të hapim vende të reja pune që duan investime, duhet të marrim përsipër një sërë reformash të rëndësishme strukturore për t’i dhënë fund një historie humbjesh, sic janë humbjet që shkaktohen cdo vit në sistemin elektroenergjitik. Pra kërkohen reforma që nuk janë të dhimbshme për qytetarin e zakonshëm, por janë të dhimbshme për koorporatat në kuptimin e kastave, klientelave, klaneve që janë krijuar që nga niveli më i lartë politik tek niveli i fshatit i komunës për të përfituar duke qenë anëtarë bordesh, anëtarë rrjetesh, duke hequr lekë këtej, hequr lekë andej duke fshehur fatura e kështu me radhë. Kërkohet reformë e thellë në të ardhurat. Duhet të garantojmë që informaliteti që është shumë i lartë, numri i atyre që nuk paguajnë taksa, që u fshihen taksave është shumë i lartë, sic është i lartë numri i atyre që nuk paguajnë faturat e energjisë. Edhe këtu kërkohet reformë. Duhet të bëjmë një reformë të thellë. Kërkohet edhe një reformë e pensioneve sepse skema aktuale nuk e ka jetën e gjatë dhe do të vijë dita që ky shtet, s’flitet as për 4-5 vite, por do të vijë dita që gjeneratat e tjera e pensionistëve nuk do të marrin dot pensione. Këtu kjo do diskutim. Në parim ne e kemi pranuar dhe do ta bëjmë një reformë pensionesh, por jo një reformë të shpejtë dhe të thellë në shpejtësi për të goditur ata që sot janë pensionistët më të moshuar dhe nuk kemi se cfarë kemi t’u kërkojmë më, mirë se nuk kemi cfarë t’u japim dot, por t’u kërkojmë sakrifica në këtë drejtim, të prekim pensionin e tyre, ne këtë nuk e kemi pranuar. Por…

E vetmja gjë është se duhet të mendoni për pensionin e  brezit tonë, ajo që thoni ju…

Jo, kur vjen fjala që të shoh ty këtu përballë mendoj që ti e meriton të rrish në punë deri 80 vjeç. Problemi është që të marrim masa që në afat 10-15 vjecar të ndryshojmë të gjithë skemën në mënyrë që skema të funksionojë. Përndryshe, jeto sot, po punë e madhe se ç’bëhet nesër, një gjeneratë e tërë do të ngelet pa pension. Kjo është situata.

Zoti Rama opozita ka paraqitur 30 amendamente mbi buxhetin, bazuar, sic thotë ajo, në premtimet tuaja elektorale. Një lëvizje, që padyshim ka edhe cinizmin brenda, por që tenton të vërë në provë nëse ju keni premtuar në fushatë, apo seriozisht që do të bëni ato që keni premtuar. Do të merrni parasysh ndonjë prej këtyre amendamenteve?

Ne nuk marrim parasysh asnjë amendament provokativ, aq më tepër të një opozite që ka mbetur peng e një plaku që i ka sosur kandili i arsyes. Shqiptarët e bënë të tyren dhe e larguan opozitën e sotme nga qeveria dhe e cuan shqiptarët në pension gjyshin që s’kishte më se cfarë t’u jepte shqiptarëve, përvec përrallave dhe s’kishte më asgjë më të mirë përvec borxheve ku i zhyti shqiptarët. Edhe ne nga ana jonë e bëmë tonën, edhe PD nga ana e saj duhet të bëjë të veten. Nuk është fat i mirë, por ndodh kur plaku i shtëpisë rrjedh, por ama familja e përgjegjshme e mban në shtëpi, kujdeset për të brenda shtëpisë, i krijon kushte, nuk ka asgjë jonatyrale, por ama nuk e lë të dalë cdo mëngjes të tërbojë të gjithë lagjen. Kështu që ata duhet ta bëjnë të tyren dhe amendamentet që burojnë nga shkuarja pas marrëzisë së plakut të shtëpisë së tyre, ne s’kemi ca të pranojmë. Ne do t’i mbajmë zotimet tona në 4 vjet dhe të kërkosh një qeverie që në 100 ditë të mbajë të gjitha zotimet, do të thotë të pretendosh se zgjedhjet do të bëhen cdo 100 ditë.

 

Nuk na thatë konkretisht për cfarë shume parash bëhet fjalë nga FMN?

Bordi i FMN do të mblidhet. Unë nuk dëshiroj të flas për shuma specifike, por kemi marrë edhe me fjalët e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, një nga marrëveshjet më të mira që një qeveri ka marrë nga FMN ndonjëherë edhe bazuar në natyrën e programeve dhe marrëdhënieve që FMN ndërton me qeveritë e vendeve të ndryshme.

Në fund të pjesës ekonomike, që është e rëndësishme për qytetarët…

Sa për të dhënë një shembull, se nuk dua të krijohet ideja sikur po fsheh ndonjë gjë, kur kemi nisur bisedimet jemi nisur me një ide paraprake për të marrë 150-100 milion euro. Sot kemi mbi 300 mln euro nga FMN plus me një rishikim të programit të Bankës Botërore, presim një shumë të konsiderueshme edhe nga kjo, dhe ajo që është më e rëndësishmja, vitin e ardhshëm në disa forma, qoftë me investime direkte, qoftë të shlyerjes së borxheve , qoftë në formën e disa investimeve të tjera nëpërmjet Fondit të Zhvillimit Rajonal, ne do të injektojmë në ekonomi, 1.1 miliard dollarë.

 

 

 

Share it :