Florenc Drizari
Intervista me deputetin e Partisë Demokratike
Luçino Boçi: Nis ristrukturimi i PD-së, çfarë pritet nga procesi i zgjedhjeve
Koordinatorët e zgjedhjeve s’kanë lidhje vertikale me drejtuesit, gjë shumë e mirë për procesin
Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, thekson se procesi i ristrukturimit në PD sapo ka filluar dhe nga ky proces priten disa ndryshime thelbësore. Në një intervistë për gazetën “Standard”, deputeti Boçi shpejgon fazat në të cilat do të kalojë analizimi i zgjedhjeve të shkuara parlamentare dhe ai i hapjes së PD-së për anëtarësimet e reja. Gjithashtu z. Boçi flet për emrat e koordinatorëve të PD-së që do të merren me organizimin e grupeve e punës në bazë, qëndrimin që duhet të mbajë opozita shqiptare përballë vendimeve të mazhorancës për sa i përket reformës administrative-territoriale, fushës së ekonomisë dhe respketimit të institucioneve të pavarura.
Z. Boçi, pak ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka folur për nisjen e procesit të analizës së zgjedhjeve të shkuara parlamentare dhe hapjen e degëve të partisë për anëtarësimet e reja. Çfarë pritet nga ky proces?
-Procesi ristrukturues i PD-së, i cila sapo ka nisur, sipas dhe lancimit të tij nga kryetari i PD-së, ka pritshmëri të mëdha brenda strukturave të PD-së dhe në tërësinë e opinionit qytetar. Ai do të kalojë nëpër disa faza brenda realizimit të cilave synohet krijimi i rregjistrit kombëtar elektronik i anëtarësisë së PD-së, paisja me formatin e ri të kartave të anëtarësisë për të gjithë të angazhuarit, shtimi i radhëve të saj me anëtarë të rinj për ta rivitalizuar atë në formë dhe në thelb, kryerjen e plotë të analizave zgjedhore në të gjitha nivelet, përgjatë të cilave nëpërmjet një debati konstruktiv synohet të përcaktohen qartë përgjegjësitë, të metat, raportet e munguara me anëtarësinë e qytetarët si dhe të vendosen saktë piketat e punës partiake në të ardhmen. Gjithshça do të shërbejë si parapërgatitje për të hyrë dhe në fazën përfundimtare, në atë të zgjedhjes së përfaqësuesve më dinjitozë në nivelet drejtuese që prekin si qelizën e PD-së, seksionin po ashtu dhe të gjitha nivelet e tjera sipas hierarkisë organizative të grupseskionit, të degëve në rrethe e qytete, të kryesive përkatëse dhe të kryesisë së PDSH-së.
I ardhur për arsye krejtësisht objektive në këtë kohë kulmesh të përplasjeve me mazhorancën më të paskrupullt dhe arbitrare të këtyre viteve demokraci, dhe i bashkëshoqëruar me një opozitë të fortë në të gjitha nivelet: parlamentare, mediatike e qytetare, ky proces, synon të rikthejë besimin politik të vetë anëtarësisë së PD-së, për këtë forcë politike, për vlerat që mbart, përçon dhe aspiron ajo, si dhe të rikthejë vrullshëm besimin qytetar, të çdo shtetari i cili afirmon dhe gjen tek PD përfaqësuesen më të mirë dhe mbrojtësen më të mirë e interesave të tij dhe e synimeve të tij, për të përmirësuar të sotmen dhe për të ndërtuar të ardhmen, sikurse të ringjallë shpresën e venitur dhe të bërë pluhur nga papërgjegjshmëria e kësaj qeverisje.
Njëkohësisht procesi pritet të instalojë me sukses idetë e reja, vizionet e reja, qëllimet afatgjata dhe afatmesme të një partie e cila përgatitet të sfidojë me sukses kundërshtarin në betejën më të shpejtë politike si dhe të afirmojë mbështetjen e plotë të saj për historinë e suksesit të lidershipit të saj të vjetër dhe mbështetjen e plotë, pa asnjë ekuivok, për lidershipin e saj të ri.
A ka nisur një proces i tillë në qytetin e Elbasanit dhe në cilën fazë ndodhet?
-Procesi ka nisur dhe në rrethin e Elbasanit. Drejtuesi i grupit të punës, Z. Ferdinand Xhaferri, në bashkëpunim me ne, drejtuesit e degës, ka kontaktuar menjëherë kryesinë e PD-së si dhe të gjithë kryetarët e sekretarët e grup seksioneve të qytetit dhe të komunave dhe i ka njohur ata me udhëzimin e shpërndarë nga PDSH-së, për objektivat e vendosura për fazën e parë të procesit të nisur. Paralelisht ka formatuar dhe grupin e punës i cili do të mbikqyrë me imtësi procesin në të gjithë gjatësinë e tij kohore dhe hapësinore në rrethin e Elbasanit.
Çfarë mendoni për të deleguarit në rrethe në rolin e koordinatorëve dhe të organizatorëve për procesin e analizës së zgjedhjeve dhe anëtarësimeve të reja, emra në të cilën shfaqen figura ish-deputetësh dhe zyrtarë të lartë të qeverisjes së Partisë Demokratike?
-Në tërësinë e tyre, është bërë kujdes që emrat e përcaktuar si koordinatorë ose drejtues, të jenë emra të njohur për anëtarësinë, emra me kontribute të spikatuara politike dhe emra të cilët janë teknicienë me përvojë, pra që kanë një njohje të saktë të mënyrës së si funksionon mekanizmi konkret partiak. Njëkohësisht, krahas këtyre, duket që është marrë në konsideratë dhe fakti i mosekzistencës së lidhjeve vertikale të drejtuesit, me përfaqësues të tjerë brenda degëve përkatëse, me qëllim shmangjen e subjektivizmave të panevojshëm, përgjatë realizimit të këtij mandati si i besuari i procesit. Gjë shumë e mirë kjo në fakt, pasi sfumon dukshëm paragjykimet dhe prapagjykimet e një procesi, i cili si synim mbi të gjitha, ka në fund të fundit, unifikimin e besimit politik dhe jo thjesht nominime të caktuara personash.
Cili është qëndrimi juaj për situatën e rendit në vend dhe çfarë mendimi keni për rolin e policisë së shtetit për ngjarjet e fundit kriminale?
-Shpesh ky debat kanalizohet dhe reduktohet nga përfaqësuesit e qeverisë drejt shifrave, shpesh spekulativisht dhe krahasimtare, pavarësisht se dhe këtu bilancet për ta janë negative, dhe shmanget thelbi i vlerësimit për situatën. Dhe situata dëshmon qartë që krimi ka fituar terren ndaj policisë, që krimi duket se është i frymëzuar nga segmente afër qeveritare, që krimi është sofistikuar, si të thuash është bërë, më inteligjent, që krimi është bërë më i pamëshirshëm nga thellësia dhe mënyra e kryerjes së akteve kriminale, që është bërë më arrogant nga koha dhe vendi i kryerjes së tij dhe njëkohësisht më sfidant ndaj shtetit. Dhe e gjitha kjo ka ardhur për pasojë e rënies së cilësisë së punës së policisë, për arsye të atyre shkarkimeve en bloc arbitrare, për arsye të trysnisë politike mbi uniformat blu, për arsye të shmangies së profesionistëve dhe stimulimit të diletantëve dhe për arsye të paqartësisë strategjike që një qeverisje ndërton në raport me luftën ndaj krimit.
Aktualisht thuhet se qeveria ka ulur pritshëmëritë për rritje ekonomike, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet e fundit të rajonit. Sipas jush, kjo vjen për shkak të krizës ekonomike që ka prekur një sërë vendesh kohët e fundit, apo për ndryshime në politikat e qeverisjes së majtë?
-Paralajmërimet tona për mbjelljen e kësaj fortune të pritshme ekonomike, për shkak të një programi të çalë ekonomik, për shkak të politikave të reja arbitrare, ineficente, të papërputhshme me realitetin ekonomik e social të vendit, për shkak të aplikimit të një sistemi taksimi absurd, frenues e penalizues për biznesin, për shkak të rritjes së shpenzimeve qeveritare dhe uljes së investimeve, për shkak të vetëushqyerjes nga mazhoranca të një euforie të pashpjegueshme politike, ranë në vesh të shurdhët. Madje jo vetëm kaq. U konsideruan si shprehje xhelozie për “fitorjet” e pritshme të kësaj qeverisjeje, si padije ekonomike si blasfemi ekonomike, e shumë e shumë përcaktime të tjera.
Dhe e gjithë kjo, nuk ka të bëjë me justifikimin e radhës për një krizë ekzistenciale, pasi kriza ka pas qenë dhe në kohën e qeverisjes së PD-së, madje në pikën e saj më kritike dhe është përballuar me sukses, duke ruajtur tredin rritës të ekonomisë me një mesatare më të lartë se rajoni. Kjo krizë është produkt i mbledhjes së thjeshtë matemotikore të padijes ekonomike të kryeministrit plus paaftësinë totale të një ekonomisti të kohës së shkuar, të bërë ministër në një kohë të re, sikurse tabela e saj e mbledhjes mbetet programi ankroniko-naiv i kësaj mazhorance e cila fjalën krizë e ka bërë sinonim të qeverisjes.
Cili është qëndrimi juaj lidhur me reformën administrativo-territoriale, ndërkohë që mazhoranca në seancën e fundit plenare miratoi emrat e gjysmës së anëtarëve dhe të bashkëkryetarit të komisionit?
-Reforma administrativo-territoriale është konsideruar e domosdoshme në të gjitha nivelet e ligjërimit tonë politik, sikurse qartësisht, kemi theksuar dhe theksojmë se ajo është paralelisht dhe një reformë politike, pasi efektet e saj prekin drejtpërdrejt rezultatet e reformës zgjedhore, e cila u mbyll me konsensus para zgjedhjeve të 2013. Duke qenë e tillë, ajo kërkon një konsensus të gjërë politik dhe jo thjesht modalitet parlamentar të mbështetur në numrin e votave. Me një konsensus tashmë të rrëzuar në tokë, nga një arrogancë gjithmonë e në rritje ndaj opozitës, klima e besimit politik, duket tërësisht e zeruar dhe e ç’instaluar. Dhe rikuperimi i saj, domosdoshmërisht, duhet të kalojë nëpërmjet akteve konkrete të kësaj mazhorancë, e cila duhet të heqë dorë nga aplikimi i aktit normativ për nënpunësin civil, i rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese, duke i rikthyer gjërat në gjendjen e tyre fillestare e duke ndërprerë pogromet e shkarkimeve politike. Të heqë dorë nga sulmet ndaj organeve kushtetuese të pavarura si ILKDPI e AMA, për të cilat është betuar me firmë e vulë, në rezolutën e përbashkët. Njëkohësisht, të kërkojë konsensus politik, duke mos trysnuar me rrugë alternative për miratimin e saj.
Në momentin që kjo mazhorancë ndërgjegjësohet për atë cka duhet të bëjë për mbarëvajtjen e politikës në këtë vend, ne jemi të gatëshëm të ulemi dhe të nisim një punë konkrete për realizim e kësaj reforme. Kjo punë konkrete duhet të nisë nga bazamenti themelor, nga përcaktimi i shtyllave, themeleve, parimeve, kritereve mbi të cilat do të realizohet ky proces dhe jo të jetë i paracaktuar sipas orekseve politike në drafte pasionante.
Emrat e të deleguarve të PD-së në rrethe
Enkelejd Alibeaj, Vlorë
Ferdinand Xhaferri, Elbasan
Fatbardh Kadilli, Lushnjë
Ervin Minarolli, Berat
Niazi Kosovrasti, Skrapar
Gazmend Dibra, Dibër
Armand Teliti, Bulqizë
Arben Ibro, Durrës
Alfred Rrushaj, Krujë
Osman Metalla, Gramsh
Ylli Asllani, Fier
Ilir Rusmali, Mallakastër
Leonard Olli, Patos
Arta Musaraj, Gjirokastër
Aurel Bylykbashi, Përmet
Pal Dajçi, Tropojë
Eno Bozdo, Korçë
Kreshnik Çollaku, Devoll
Gjokë Uldedaj, Mirditë
Arben Qirjako, Kurbin




