Intervista/ Berisha: Ina Ramën e sollën qarqe të rrezikshme, padia ndaj Imamit, urrejtje e Kryeministrit

beris Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste të dhënë mbrëmë për TV “News 24”, foli për ngjarjet më të fundit politike në vend dhe në të njëjtën kohë, akuzoi krerët e mazhorancë për keqqeverisje të vendit. Gjithashtu, Berisha foli edhe për zgjedhjen e ish-kryeprokurores Ina Rama në krye të organit të akuzës, si dhe për qëndrimet e shumicës parlamentare ndaj opozitës dhe nismat e Partisë Demokratike.

 

Ju e shikoni veten disi përgjegjës apo sa përgjegjës që sot Shqipëria nuk është Shqipëria e ëndrrave?
Në vitin 2001, pas dhunimit masiv të zgjedhjeve, kur erdhi problemi tek përsëritja e zgjedhjeve apo një zgjidhje konsensuale, unë zgjodha të dytën dhe jo interesin e karriges. Për të gjitha problemet në të cilat Sali Berisha ka qenë President me fuqi ekzekutive dhe Kryeministër, për zhvillimet pozitive dhe negative përgjegjës është Sali Berisha.
Ju thatë, kur dhatë dorëheqjen nga kreu i PD-së, se merrni të gjitha përgjegjësitë për humbjen. Ky ishte një veprim civil dhe i një njeriu që di t’i bëjë mirë betejat e veta. Kur thoni marr të gjitha përgjegjësitë, keni parasysh se vendi u qeveris keq dhe ju ishit Kryeministri, keni parasysh se vendi dhe qeverisja ra në korrupsion dhe ju ishit Kryeministri, keni parasysh se kandiduat njerëzit e gabuar dhe latë jashtë njerëz të rëndësishëm? Çfarë konkretisht është përgjegjësia?
Kam parasysh sukseset, të cilat janë të vazhdueshme, të pamohueshme, kam parasysh të gjithë problematikën tjetër, e cila shoqëroi vendin. Po marr problemin ekonomik. Ne ndoqëm një projekt zhvillimi të paprecedent në historinë e vendit, ky është një projekt ambicioz dhe u ndoq ky projekt, por ky projekt u shoqërua me një borxh 60%, nuk ka përgjegjës tjetër përveç meje për borxhin, sepse unë isha vendimmarrësi kryesor. Ministrat i caktoja unë, sigurisht i votonte Parlamenti. Unë nuk mund të shmang përgjegjësinë time edhe për përgjegjësitë e tyre. Ka një parametër, ka një tregues, më të rëndësishmin sot për ecurinë e vendit dhe ky tregues është ecuria e proceseve integruese, sepse bazohet në një vëzhgim të pandërprerë dhe të gjithanshëm. Unë ju them se ka pasur korrupsion, por shumë herë më pak se shumë vite më parë. Ka pasur krim të organizuar, po ka pasur një luftë eficente ndaj krimit të organizuar, por nuk ka qenë faktor bllokues.
Detyra ime ishte të luftoja korrupsionin në kopshtin tim. Korrupsioni mori një përgjigje, janë qindra të penalizuar dhe të dënuar. Nuk ka luftë efiçiente pa një Prokurori të Përgjithshme eficiente. Para Ina Ramës ishte Sollaku, por ai nuk ishte për atë punë, ai bënte gjykime totalisht politike.
Ina Ramën e sollën qarqe shumë të rrezikshme në atë pozicion unë nuk e njihja. E sollën për të mbuluar aferat e tyre. Llalla ka rekordin e tillë që nuk ka asnjë të dhënë ta ketë përdorur Prokurorinë për qëllime politike. Ndihma më e madhe që i jepet korrupsionit është trajtimi i tij politik. Gabim që e kam bërë edhe unë si ish-opozitar. Në rast se Prokuroria merret me politikë, Prokuroria i bën dëmin më të madh luftës kundër korrupsionit.
Z. Berisha si ju duket PD e sotme? Ju duket një parti e djathtë, që mbron familjen, vlerat e saj, mbron pronën, dinjitetin e njeriut, që është për një rol të rëndësishëm të fesë në jetën e vendit, që e quan fondamental moralin personal, që beson se e drejta nuk është një konvencion i shpikur nga njerëzit, por është një entitet i përcaktuar nga Zoti etj.? Sa i shihni ju të trupëzuar këto vlera tek grupi parlamentar dhe tek zyrtarët e PD-së në përgjithësi?
Nëse gjykon veprimtarinë 23-vjeçare të PD-së, unë mendoj se kjo ka ardhur si një nga forcat politike më solide të qendrës së djathtë në Evropën ish-komuniste. Ka përsëritur mandatet e veta dhe i ka dhënë tonin zhvillimeve të vendit. Çfarë mund ti thuash një force që vjen në vitin ‘92 në vendin më hiperkolektivist në Evropë dhe përfundoi në ‘96 me 80% të prodhimit të brendshëm nga sektori privat. Rikthehet në pushtet dhe vendos standardet e taksave, taksës së sheshtë ndër më të ulëtat në atë kohë, standardët më liberale. Pra unë gjykoj se PD në programin e saj ekonomik ka qenë një parti qartësisht e qendrës së djathë dhe e djathtë. PD ka qenë e detyruar ti përmbahet aspektit social dhe unë mendoj se e ka bërë këtë. Natyrisht asgjë nuk ka, asnjë doktrinë nuk është e pastër si kristali, por në trupin e saj, kjo ka qenë një parti e qendrës së djathtë.
Me të njëjtën logjike denoncuese ju i thërrisni njerëzit në protesta në datën 20 shkurt për t’i dhënë fund regjimit të neobllokmenëve, siç e quani ju…
Unë nuk pajtohem kurrë me mashtrimin që u bëri shqiptarëve dhe kam besim që të rinjtë nuk do ta pranojnë një gjë të tillë. T’i mashtrosh qytetarët dhe t’u thuash që do t’u jap shërbim shëndetësor falas, me një platformë të shkruar nga një sharlatan. T’u premtosh legalizim falas, t’u premtosh se do të heq TVSH-në e energjisë dhe t’ua kthesh faturën aforfe. Një qytetar me të ardhura nën mesatare paguante dy herë më shumë se Berisha Kryeministër me atë faturë. Kemi bërë luftën më të madhe gjersa është hequr fatura aforfe. Dhe akti i parë që u bën atyre që u premtoi heqjen e TVSH-së u vendosi faturën aforfe. Jepu qytetarëve matësit, por jo t’i dënosh. Kjo nuk bëhet, plus që është dënim kolektiv. U deklaroi shqiptarëve që do të heqë TVSH e ushqimeve, jo që s’e hoqi, por rriti naftën në mënyrë që të rriten çmimet e ushqimeve. Çështja më kryesore është çështje dinjiteti njerëzor dhe unë do bëj gjithçka.
Gjykata Kushtetuese ju dha të drejtë për aktin normativ për nëpunësin civil, ndërkaq që ka marrë në shqyrtim padinë e PD-së për ndryshimet në buxhetin e 2013-ës. Sot kërkoni kthimin në punë të atyre që u hoqën pa të drejtë. Sa realiste ju duket kjo kërkesë? 
Ke shumë të drejtë. Kur ndërrohet pushteti ndërrohen edhe vende pune. Holanda ka ndërrimin më të vogël në botë. SHBA kanë rreth 8 mijë. Ne nuk kemi qenë kundër lëvizjeve të të gjitha posteve politike. Shumica kanë dhënë dorëheqjen. Çfarë është kjo administratë në krahasim me administratën para vitit 2005? Administrata që i dha Shqipërisë anëtarësimin në NATO. Ai progres-raport është shumë interesant se shqyrton statusin e të gjitha fushave të demokracisë dhe ekonomisë së tregut dhe çështjeve sociale. Sot 1% në këtë administratë ishin të shkolluar në vendet e Perëndimit ne kishim 22% të të shkolluarve jashtë. Marrin drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Kë kishim ne në 2005 ne atë që kishin emëruar këta. Cilin emëruam më vonë atë që ishte nëndrejtor. Me kë i shpartalluam bandat me policinë e PD-së? Jo por me policinë ekzistuese. Sollën drejtor të Përgjithshëm një njeri që shkel tre kritere madhore. Një njeri që është shkarkuar i akuzua për ryshfet dhe ka qenë në disa zgjedhje komisioner i PS-së. Kanë futur në polici numëruesit e parë, të dytë dhe të tretë, po shkatërrojnë institucionet. Ligji i riu u njihte statusin doganierëve që Edi Rama u deklaron se doganieri është simbol i hajdutit. Ka doganierë hajdutë që kanë ndërtuar ndonjë vilë, por doganieri nuk është kurrë simbol i hajdutit. Aty ka njerëz të përgjegjshëm që i kanë shërbyer vendit. Por vilë ka ndërtuar Kryeministri i Shqipërisë.
Procedohet Imami, Burgaj, stafi i Kserës, konsullja e Milanos Nuasika Spahia që është emëruar me firmën tuaj? Keni komente? I druheni procedimit ju vetë? 
E ftoj Prokurorinë që të shkojë deri në fund të çdo çështjeje me transparencën më të madhe. Ftoj mazhorancën të çojë në Prokurori çdo dosje. Por të shkosh në Milano dhe t’i thuash një zonje të nderuar, studente e shkëlqyer, e shkolluar në Perëndim, se keni vjedhur se keni vendosur call center të urdhëruar nga ministri i Jashtëm për të luftuar korrupsionin. Pagesa më e madhe më e keqe do ishte edhe sikur një euro po t’i jepte nën dorë punonjësit të konsullatës. Janë ankuar për këtë call center, po nuk janë ankuar për radhët dhe sekserët. Vendosi standardet më të larta. E hoqi vetë kur ra radha. Kur kërkesat për pasaporta u zvogëluan me disa në ditë. E turpshme beteja e tij armiqësore ose shpallja armik të diplomatëve shqiptarë.
Imami është krejtësisht urrejtje, sepse Edi Rama është njeri i komplekseve dhe meqenëse Imami u bë protagonisti kryesor i inteligjencës artistike në Lëvizjen e Dhjetorit, dhe ky nuk ishte, sepse thotë vetë kam qenë në Korfuz me një ekspozitë. Atëherë ky njëlloj si kompleksi i Eipit i është krijuar kompleksi i Imamit.
I druheni procedimit ju vetë zoti Berisha?
E ftoj të çojë çdo dosje, unë jam i hapur ndaj gjithçkaje. Imami është shprehje e një kompleksi të një njeriu bipolar dhe nuk i ndahet nga urrejtja. Hysni Burgaj, e ka mbyllur prokuroria çështjen. Pse shkoi gjeneral Mimi në Ministri të Mbrojtjes? Vetëm për konfidencën që ka, sepse vetëm Mimi mund ta bënte një dosje të tillë. U katandis tek reklamat që i ka dhënë në përputhje me ligjet e vendit.

 

 

Kërkesa e opozitës/ Mungesa e kuorumit, Kushtetuesja shtyn  kërkesën e PD-së për aktin normativ të buxhetit

Gjykata Kushtetuese shtyn seancën ankimore të Partisë Demokratike për aktin normativ të qeverisë lidhur me disa ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2013. Vendimi u mor, pasi në këtë seancë nuk ishte i pranishëm numri i nevojshëm i gjyqtarëve për të vijuar shqyrtimin.

Partia Demokratike argumenton se akti normativ i qeverisë është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor. Sipas PD, ligji lejon marrjen borxh vetëm për investime dhe jo marrjes borxh për shpenzime operative në administratë. PD thekson se akti normativ, krijon një precedent të rrezikshëm për prishjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit.

Në kërkesën e saj, PD-ja thekson se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se qeveria është e detyruar të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën konkrete që e kanë detyruar të nxjerrë aktin normativ me fuqinë e ligjit.

“Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Shpjegimin, qeveria është e detyruar ta pasqyrojë në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr, minimalisht në preambulën e tij. Nga analiza e aktit normativ nr. 6/2013, rezulton që qeveria të mos ketë evidentuar përmbushjen e kushteve të “nevojës” dhe “urgjencës” për miratimin e këtij akti. Në preambulën e aktit normativ nuk evidentohet asnjë rrethanë që të përligjë ushtrimin e këtij funksioni ligjvënës nga ana e pushtetit ekzekutiv. Për këtë arsye, në kushtet e mungesës së “nevojës” dhe “urgjencës”, akti normativ nr. 6/2013 bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës”, – thuhet në ankimimin e PD-së.

Më herët Gjykata Kushtetuese ka zbardhur edhe vendimin e plotë për “aktin normativ” të qeverisë lidhur me “ligjin e nëpunësit civil”. Zbardhja e argumentit ligjor të gjykatës disa javë pas publikimit të lajmit për rrëzimin e aktit të qeverisë si antikushtetues. Kjo çështje u ankimua nga 36 deputetë të opozitës në Gjykatën Kushtetuese më datën 26 nëntor 2013, dhe që nga kjo periudhë, mes pozitës dhe opozitës ka pasur akuza të ndërsjella për kushtetutshmërinë e aktit normativ dhe qëllimet për të cilat ai vendim u ndërmor nga ekzekutivi.

Në argumentimin ligjor Gjykata Kushtetuese vlerëson se akti normativ i qeverisë ka cenuar balancimin e pushteteve, duke marrë nga kompetencat e pushtetit legjislativ. Gjithashtu Gjykata çmon se edhe Kuvendi i Shqipërisë me miratimin e aktit me procedurë të përshpejtuar ka shkelur procedurat e funksionimit të tij. Sipas vendimi të zbardhur të Gjykatës, vlerësohet se çdo ndryshim që mund t’i bëhet ligjit “Për nëpunësin civil” në tërësi, ose dispozitave të veçanta të tij, nuk mund të arrihet nëpërmjet një ligji të thjeshtë, siç ka ndodhur në rastin konkret, por nëpërmjet një ligji të cilësuar, të miratuar në një procedurë normale nga Kuvendi, me të paktën tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij.

 

 

 

PD propozon Ristanin si kryetar të komisionit hetimor për lëvizjet në Polici

 Partia Demokratike propozon deputetin Arben Ristani, si kryetar të komisionit hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit. kërkesa e PD-së u depozitua një ditë më parë në Kuvend dhe emri i Ristanit figuron si kryetar i këtij komisioni. Në total, ky komision do të ketë 15 anëtarë dhe do të drejtohet nga mazhoranca. Një javë më parë Kuvendi miratoi pas 12 orë debatesh ngritjen e komisionit hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit. Gjatë seancës pati diskutime lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e këtij komisioni. Por në mbrëmje kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i propozoi opozitës të rishikonin planin për ngritjen e komisionit. Në përfundim të negociatave, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, u shpreh se ky do të jetë një hetim i rëndësishëm për policinë. Ai bëri me dije se do të hetohen lëvizjet në Policinë e Shtetit nga muaji shtator 2013 deri në janar të këtij viti.

 

Share it :