Intervista / Arben Malaj: Çfarë mendoj për qeverinë “Rama”, PS-në dhe “senatorët”

Intervistoi Gëzim Saliu

 

 

arben malajVendet e punës, shteti ligjor dhe buxheti do të kushtëzojnë kredibilitetin e qeverisë

 Rikthimi, Malaj: Në politikë, kurrë mos thuaj kurrë, s’përpiqem për poste e lista

 Kreditë e këqija, Malaj: Të pritet zinxhiri i borxheve midis sektorit publik dhe privat

 “Transparencë në implementimin e buxhetit dhe treguesit e deficitit dhe borxhit”

 

 

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, analizon situatën ekonomike në vend pas ardhjes në pushtet të qeverisë së majtë. Në intervistën për gazetën, ish-deputeti i PS-së jep “recetën” e tij për të përmirësuar financat e vendit, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e transparencës. Po ashtu, ai komenton zhvillimet politike në PS, rikthimin e mundshëm në jetën politike si edhe deklaratat e kreut të mazhorancës, Rama, për zgjedhjet në PS. Lidhur me këto të fundit, Malaj propozoi që të ndryshohet statuti i Partisë, ku, sipas tij, zgjedhjet në PS duhet të bëhen para atyre parlamentare ose vendore. Ndërkohë, sa i përket përbërjes së kabinetit qeveritar, ish-ministri socialist theksoi se është ende herët për të dhënë vlerësim, duke nënvizuar nga ana tjetër se çdo harmonizim i brezave ndihmon mirëqeverisjen e vendit.

 

 

Një ndër problemet më të mprehta të Shqipërisë aktualisht është situata ekonomiko-financiare. Si e shikoni ju gjendjen aktuale në vend në këtë aspekt?

Ekonomia e vendit tonë ndodhet në një moment që ka nevojë për rritje më të larta ekonomike. Fokusi i qeverisë duhet të jetë pikërisht tek një rritje ekonomike më e lartë dhe që shoqërohet me rritje të punësimit. Një ndikim të konsiderueshëm ka mbështetja e investimeve private, rritja e aksesit për burime financimi dhe implementimi sa më efektiv i buxhetit të vitit 2014, duke filluar me pagesat e prapambetura dhe përfundimin e investimeve publike të copëzuara. Fillimi i dhënies së lejeve të ndërtimit për investime individuale apo projekte private duhet të mos vonohet më.

 

Qeveria ka deklaruar se njohja e borxheve të fshehura sipas saj nga ekzekutivi paraardhës është arsyeja e rritjes së borxhit publik. Ndërkohë, nga ana e saj, opozita ka akuzuar mazhorancën e majtë se me rritjen e borxhit po e dërgon vendin drejt rrënimit. Cili është qëndrimi juaj lidhur me çështjen e borxhit?

Përkeqësimi i stabilitetit të financave publike u ndie gjatë viteve 2009-2013. Kriza ekonomike dhe përkeqësimi i qeverisjes së vendit u konstatuan në treguesit e ulët të rritjes ekonomike dhe në nivelet e larta të deficitit dhe borxhit. Rënia ekonomike, borxhi i lartë, përkeqësimi i administratës publike, problemet e mprehta me funksionimin e dobët të shtetit ligjor janë ndër faktorët kryesorë që kërcënuan edhe stabilitetin e financave publike. Që në vitin 2010 qeveria u paralajmërua nga FMN-ja dhe Banka Botërore për trendin përkeqësues të financave publike. Në 2012, qeveria hoqi nga ligji organik i buxhetit kufirin 60% të PPB të borxhit publik. Viti 2013 shënoi nivelet më të larta të keqpërdorimit elektoral të buxhetit. Në kushtet kur kemi rritje ekonomike të ulët 1.5-2%, në kushtet kur kemi deficit të lartë buxhetor deri 6.6% të PPB-së, borxhi ynë publik vazhdon të rritet. Qeveria e re ka një program trevjeçar me FMN-në, me anë të të synohet fillimi i uljes së ritmeve të rritjes së deficitit dhe borxhit. Ky detyrim duhet ndjekur me shumë përgjegjësi, duhet të ketë transparencë maksimale në implementimin e buxhetit dhe në respektimin e treguesve të deficitit dhe borxhit, të parashikuara edhe si pjesë e marrëveshjes me FMN-në.

 

Sipas jush, sa të drejta kanë qenë masat e ndërmarra nga qeveria në aspektin ekonomik? Po marrëveshja me FMN-në çfarë impakti do të ketë?

Midis rritjes ekonomike dhe stabilitetit te financave publike duhet të marrë prioritet çdo reformë, politikë zhvillimi dhe projekt që ndihmon rritjen ekonomike. Vendi kishte nevojë për një marrëveshje me FMN jo thjesht për burimet financiare për të zgjidhur krizën e borxheve, por sidomos për të dhe ulur kostot e financimit të ekonomisë dhe për të dëshmuar një përgjegjësi sa më të qartë për të implementuar reformat e domosdoshme. Mosarritja e marrëveshjes me FMN mund të zgjasë dhe thellojë krizën, dhe për më tepër pa një vlerësim dhe marrëveshje nga institucionet financiare ndërkombëtare, vendi e ka të vështirë të fitojë kredibilitetin e nevojshëm përballë investitorëve potencialë dhe tregjeve të kapitaleve. Impakti i marrëveshjes së FMN do të kushtëzohet nga cilësia e implementimit të programit të nënshkruar dhe nga zhvillimet sociale e politike në vend. Vendi duhet shpëtuar nga çdo krizë potenciale dhe për këtë mund të gjenden pika bashkëpërgjegjësie dhe bashkëpunimi midis partive politike për parandalimin e tyre. Në rast të kundërt, nuk duhet të bëjmë përgjegjës të tjerët për dështimet tona, aq më tepër që kostot e çdo dështimi mbeten për tu paguar nga shqiptarët.

 

Një tjetër problematikë që shfaqet në vend është edhe ajo e kredive të këqija, ku niveli i tyre në masën 24.4 për qind bëri që BERZH ta klasifikonte Shqipërinë si vendin më problematik për huatë e pashlyera, për ekonomitë në zhvillim të Evropës dhe Azisë. Cila është zgjidhja, sipas jush, në këtë situatë?

Niveli i lartë i kredive të këqija ushqehet nga shumë faktorë, ndoshta më kryesori është rënia e rritjes ekonomike që solli rënien e të ardhurave reale të kredimarrësve dhe të të ardhurave të fitimeve të kompanive, çka krijoi vështirësi financiare për kthimin e kredive për shumë individë e biznese. Papunësia në rritje, rënia e të ardhurave nga emigracioni, cilësia e dobët e planeve të biznesit të kompanive, por edhe cilësia e dobët e kredidhënies nga disa banka kanë ndikimin e tyre në nivelin e lartë të kredive të këqija. Në këtë tërësi faktorësh nuk ka një zgjidhje të menjëhershme dhe të plotë. Pikënisja e zgjidhjes është pagimi i borxheve të prapambetura nga qeveria dhe prerja e zinxhirit të borxheve të këqija midis sektorit publik dhe atij privat, mund të ndikojë në ulje të këtij niveli. Ristrukturimi i kredive të kredimarrësve kredibël gjithashtu mund të jetë një mundësi e zbutjes së tyre. Disa biznese do të përballen me mbijetesën, disa të tjerë duhet të ristrukturohen pa vonesë. Niveli aktual i kredive të këqija, deri tani, nuk rrezikon sistemin tonë bankar dhe as stabilitetin e financave publike, por vazhdon të pengojë rritjen ekonomike të vendit.

 

Në 5 muaj nga marrja e pushtetit, cili është opinioni juaj i përgjithshëm për performancën e qeverisë së majtë?

Koha është relativisht e shkurtër për rezultate te ndjeshme, por jo e shkurtër për fillimin e reformave konkrete në prioritetet më të rëndësishme të vendit. Duhet maksimizuar impakti i çdo politike dhe i çdo projekti që nxit investimet në ekonomi dhe që rrit efektivitetin e buxhetit në prioritetet e tij. Disa reforma sapo kanë filluar dhe duhet të arrijnë objektivat e tyre. Reforma e organizimit territorial të vendit, reforma e pensioneve, reformat në arsim dhe shëndetësi janë në hapat e tyre të parë. Qeveria duhet të mbajë parasysh se implementimi i reformave do të kushtëzohet nga ndërtimi i institucioneve përkatëse dhe nga cilësia e ekipeve dhe administratës që do t`i realizojë ato. Hapja e vendeve te punës, funksionimi shtetit ligjor, cilësia e ecurisë të reformave dhe buxhetit do të kushtëzojnë kredibilitetin e qeverisë, ndaj nuk duhet humbur kohë për rezultate konkrete.

 

Përbërja e kabinetit qeveritar është vlerësuar nga Kryeministri Rama, i cili ka pohuar se aktualisht të gjithë ministrat kanë shënuar një ecuri pozitive. Si e shihni ju këtë përbërje?

Struktura dhe përbërja e qeverisë është miratuar në forumet politike të PS dhe ka marrë votëbesimin në Parlament. Sfida e kësaj qeverie është e madhe dhe jo e lehtë. Vendi ndodhet në nivelet më të ulëta të rritjes ekonomike dhe në nivelet më të larta të borxhit publik. Viti 2014 duhet konsideruar si viti kritik që duhet të bëjë dallimin, duhet të ndalë përkeqësimin e ekonomisë dhe të krijojë premisat për zhvillime pozitive ekonomike dhe stabilitetin e financave publike. Qeveria duhet të ridrejtojë zhvillimet tona ekonomike drejt ritmeve më të larta të rritjes me më shumë punësim dhe me sa më pak varfëri. Përballë këtyre objektivave dhe në raport me premtimet çdo ministër ka mundësi për një kontribut konkret, vlerësimi i tyre duhet të jetë në dinamikë.

 

A besoni se një pjesë e mirë e figurave të PS-së, të cilësuar si “senatorë” të kësaj force politike, do të ndikonin në një ecuri më pozitive e njëkohësisht në shtimin e përvojës në këtë kabinet?

Jo vetëm sepse vendi po kalon vite të vështira, por edhe sepse harmonizimi i brezave dhe kontribuuesve të çdo force politike ndihmon mirëqeverisjen; vlerësoj pozitivisht çdo harmonizim më të mirë në çdo nivel të përfaqësimit politik, si në strukturat organizative të PS-së, në mandatet përfaqësuese parlamentare dhe në ato qeverisëse. Për strukturat e qeverisë, përbërjen e ministrive dhe agjencive qeveritare jam konservator në aspektin që çdo ndryshim i tyre duhet të jetë shumë i kujdesshëm, i studiuar dhe i konsultuar mirë. Lidhur me përbërjen e qeverisë ka më shumë fleksibilitet për ndryshime përmirësuese edhe gjatë një mandati qeverisës. E rëndësishme është që çdo riorganizim të mund ta bëjë qeverinë sa më efektive dhe të rrisë mbështetjen publike për reformat, politikat dhe projektet e saj prioritare.

 

Pak kohë më parë kreu i PS-së, Rama, deklaroi se nuk do të ketë zgjedhje për kryetar në forcën politike që ai drejton, pasi, sipas tij, me fitoren e zgjedhjeve, nuk votohet më për kreun e ri, por ai rikonfirmohet automatikisht. Si një ndër figurat e PS-së dhe ish-anëtar i kryesisë, sa qëndron, sipas jush, kjo deklaratë?

Çdo parti politike ka kushtetutën e saj, statutin, i cili qartëson parimet, afatet dhe procedurat e zgjedhjes së forumeve të saj drejtuese. Jo vetëm për PS-në dhe jo vetëm për këtë rast, ciklet e zhvillimeve të brendshme të partive politike duhet të jenë në funksion të cikleve qeverisëse të vendit, çka përbën përgjegjësinë më të lartë dhe mundësinë më të mirë për çdo parti politike për t`i shërbyer vendit të saj. Kjo nënkupton që zgjedhja e përfaqësuesve politikë të partive politike në nivel vendor dhe qendror duhet t`u paraprijë zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve lokale, sepse në konferencat dhe kongreset elektorale duhet të qartësohet programi dhe ekipi qeverisës, për të cilin votuesit japin votën pro ose kundër.

PS e ka riparë shpesh statutin, ka bërë shpesh ndryshime të rëndësishme strukturore, ka ndarë apo ka bashkuar postin e kryetarit të PS me atë të Kryeministrit, ka zgjedhur nga kongresi me të njëjtën fuqi vote kryetarin e PS dhe sekretarin e Përgjithshëm, ka shtuar apo ka hequr postin e sekretarit të Përgjithshëm, ka kufizuar me statut pjesëmarrjen jo më shumë se 50% të anëtarëve të qeverisë në forumet e saj politike, si në nivel vendor edhe qendror, duke eliminuar përqendrimin e pushtetit në pak duar, duke krijuar më shumë hapësira për angazhim të sa më shumë kolegëve të përkushtuar. Në rastin konkret, parimi i harmonizimit më mirë të cikleve zgjedhore partiake me ciklet qeverisëse të vendit mund të qartësohet më saktë në statutin e PS. Saktësimi mund të diskutohet/votohet në kongresin e PS dhe sipas rezultatit të votimit përcaktohen hapat e mëtejshme zgjedhore në PS. Diskutimet midis kolegëve i mirëkuptoj dhe një zgjidhje statutore sa më të mirë dhe të përhershme e konsideroj të domosdoshme.

 

Ju nuk u përfshitë në listat e deputetëve të PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit e në këto kushte konkurruat si i pavarur në qytetin e Vlorës, ku edhe nuk mundët të merrnit mandatin. Që nga ajo kohë është vënë re një shkëputje nga aktiviteti politik. A besoni se mund të riktheheni më në PS apo edhe në mazhorancën e majtë, për të dhënë kontributet tuaja?

Duke qenë aktiv në analizat dhe diskutimet për sfidat e ekonomisë dhe politikës, shpresoj të vazhdoj të përmbush detyrimin mirënjohës ndaj PS-së dhe vendit tim për mandatet përfaqësuese që kam pasur. Nuk jam shkëputur nga kontributet, por nuk kam ngutje apo padurim për kthim në struktura përfaqësimi partiak. Aktualisht jam shumë i kënaqur me angazhimin në Fakultetin e Ekonomisë, mes kolegëve dhe studentëve të mi. Këshillën e kolegëve, që: “Në politikë, kurrë mos thuaj kurrë”, e konsideroj dashamirëse ndaj dhe e respektoj.

 

A mund të na thoni nëse keni komunikuar ose jo me kreun e qeverisë, Rama, që prej elektoraleve të 23 qershorit? D.m.th. ka një “ripajtim” pas “përplasjes” në fushatë?

Fushata si kandidat i pavarur vetëm me mesazhe pozitive, rezultati i një votimi të pabarabartë dhe mbështetja që ndiej edhe pas zgjedhjeve vazhdojnë të më inspirojnë në angazhimet e mia. Asnjëherë nuk i kam ngatërruar marrëdhëniet individuale me marrëdhëniet që krijohen nga raporte të ndryshme përfaqësimi. Për aq kohë sa kam qenë në strukturat përfaqësuese të PS-së, kam ndier detyrim të diskutoja për atë që vlerësoja se ishte e dobishme për vendin, për rrjedhojë edhe për PS-në. Për aq kohë sa kam drejtuar Ministrinë e Financës dhe Ministrinë e Ekonomisë, grupin parlamentar të PS-së apo Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, së bashku me kolegët kemi ndërmarrë reforma që kanë rezultuar të suksesshme. Marrëdhëniet midis kolegëve, jo vetëm në politikë, nuk i kam përcaktuar kurrë si marrëdhënie qejfbërjeje apo qejfmbetjeje. Kurrë nuk jam përpjekur për mbijetesë nëpër poste apo lista. Në çdo mandat përfaqësimi kam vlerësuar parësore jo raportet individuale, por angazhimet dhe përgjegjësitë e përbashkëta.

 

 

Share it :