Integrimi në BE Presidenca lituaneze: Do të bëjmë të pamundurën që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit

kukanKukan: Drejtuesit politikë kanë bërë deklarata pozitive, gjë që hap një pritshmëri realiste për të marrë statusin e kandidatit së shpejti

Presidenca e re lituaneze e BE-së dhe Parlamenti mbështesin përshpejtimin e dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Eurodeputetë dhe përfaqësues të grupeve kryesore politike i bënë dje kërkesë në Komisionin e Jashtëm, ministrit të Jashtëm të Lituanisë, vendi i të cilit, mban presidencën e radhës deri në fund të vitit, që të punohet për finalizimin e statusit, për të cilin ka tashmë një rekomandim nga Komisioni Evropian. Po ashtu shefi i Presidencës lituaneze, Antanas Linkevicius, shprehu vlerësimet e tij për procesin zgjedhor dhe kërkoi vijimin e një tranzicioni të qetë dhe ruajtjen e dialogut politik në vend. “Shqipëria kaloi një test të rëndësishëm dhe ne e inkurajojmë atë për një tranzicion të qetë. Për sa i përket dhënies së statusit të kandidatit, ne kërkojmë që partitë politike ta vlerësojnë këtë mundësi, procesi nuk është i lehtë, ato duhet ta mbajnë të hapur dialogun midis tyre për këtë proces”, – tha Linkevicius.

Ministri i Jashtëm lituanez deklaroi gjatë prezantimit në Parlamentin Europian se Lituania do të bëjë gjithçka për të mundësuar që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat dhe për t’i mundësuar Maqedonisë hapjen e negociatave. Lajmi konfirmohet edhe nga agjencia italiane e lajmeve “Nova”, sipas të cilës shefi i diplomacisë lituaneze ka deklaruar se mundësia për të pasur progres në këtë drejtim eshte nëpërmjet forcimit të procesit të reformave në Shqipëri. “Presidenca lituaneze e BE-së do të jetë “e angazhuar fort” për të çuar përpara procesin e pranimit në Ballkan”, – deklaroi ministri i Jashtëm lituanez. “Ne do të jenë të paanshëm, por në të njëjtën kohë konstruktive dhe proaktive,” – tha kreu i diplomacisë lituaneze, duke vënë në dukje se së shpejti do të fillojë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Kosovën. Eduard Kukan, që kryeson Delegacionin e PE për Evropën Juglindore, u shpreh në emër të Partive Popullore se progresi i shënuar në procesin zgjedhor bën që të shpresohet për një marrje të shpejtë e statusit. “Zgjedhjet në Shqipëri bënë që kalimi i pushtetit të fillojë së shpejti. Drejtuesit politikë, deri tani, kanë bërë deklarata pozitive, gjë që hap një pritshmëri realiste për të marrë statusin e kandidatit së shpejti”, – tha Kukan.

Edhe numri dy i socialistëve dhe demokratëve, Libor Ruçek, vlerësoi zhvillimet e fundit politike dhe tha se nuk është më skeptik për Shqipërinë. Ai u shpreh se një dhënie e shpejtë e statusit të vendit kandidat eviton “një ndarje mes popujve sllave dhe josllave” të rajonit të Ballkanit. “Unë nuk jam skeptik për Shqipërinë. Ne kemi qenë atje për vëzhgimin e zgjedhjeve me zotin Kukan. Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm, zgjedhjet ishin të mira. Të dyja grupet më të mëdha politike kanë bashkëpunuar. Le të shikojmë tani kalimin e pushtetit. Unë mendoj se ne duhet t?i japim një shtysë marrjes së statusit. Ne nuk duhet të krijojmë ndarje midis popujve sllavë dhe jo sllavë të Ballkanit Perëndimor”, – tha Rouçek. Në kuadrin e bashkëpunimit për procesin e integrimit në Bashkimit Evropian, ministri i Jashtëm i Lituanisë dhe shefi i Presidencës se BE-se do të vizitojë së shpejti rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërinë, gjatë dy javëve të ardhshme.

 

Të majtët

Beqja dhe Haxhinasto, takim me ambasadorët e BE-së

Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë takuar dy krerët e grupit të punës për hartimin e programit të qeverisë së majtë për 300 ditët e para, Ilir Beqja për Partinë Socialiste dhe Edmond Haxhinasto për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Dy përfaqësuesit e mazhorancës së re të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit kanë dhënë disa ndër detajet që janë diskutuar në këtë takim. “Ambasadorët ishin shumë të interesuar për shtetin e së drejtës, për luftën kundër korrupsionit, për një sistem drejtësie të pavarur, pra për vlerat themelore të Bashkimit Evropian. Ambasadorët ishin të interesuar për të shtyrë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendeve respektive me Shqipërinë dhe ishin shumë të interesuar për klimën e biznesit, për domosdoshmërinë e një sistemi të qëndrueshëm fiskal”, – tha Beqja, pas përfundimit të takimit. Ndërsa nga ana tjetër ambasadorët nuk patën asnjë deklaratë në fund të takimit. Haxhinasto i LSI-së i cili pritet të ketë rol ministror në kabinetin e ri ju përgjigj interesit të mediave: “U vlerësua fakti që në programin tonë kemi një referencë të vazhdueshme për sa i takon detyrimeve për procesin e integrimit të vendit, për paketën e detyrimeve ose të detyrimeve që duhet të ndërmarrim sa i takon këtij procesi, gjithashtu u vlerësua shumë edhe përqasja që ne kemi, sa i takon angazhimit të opozitës në proceset politike që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit dhe me integrimin e vendit dhe sigurisht gatishmëria jonë për të angazhuar sa më shumë opozitën në të gjithë proceset e ardhshme, që do të kërkojë ky proces integrimi”. Sipas zotit Haxhinasto brenda 10 ditëve do të jetë i gatshëm edhe drafti paraprak i programit të përbashkët PS-LSI.

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :