Gëzim Saliu
Rama: Irlanda, mbështetje të vendosur për ne. Meta: Vazhdojmë reformat, konstruktivë në rajon
Donohoe: Qeveria e kaluar ka kontribuar shumë për arritjen e objektivave integrues
Irlanda mbështet integrimin e Shqipërisë në strukturat evropiane, duke pohuar se në muajin qershor janë të gjitha mundësitë që vendi të marrë statusin e kandidatit në BE. Kështu deklaroi dje ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Pascal Donohoe, në vizitën e tij në Shqipëri, ku zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të shtetit. Në takimin e zhvilluar me Kryeministrin Rama, Donohoe, pasi vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare theksoi se Irlanda mbështet fuqimisht Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat. Ndërkohë, në foton e postuar në rrjetin social “Facebook” me ministrin, Rama bën të ditur mbështetjen vendosur të Irlandës për Shqipërinë duke nënvizuar: “Ministri irlandez për Çështjet Evropiane Pascal Donohoe që vlerëson lart përpjekjet e qeverisë së re dhe garanton se Irlanda do ta mbështesë fuqimisht Shqipërinë për statusin e merituar të vendit kandidat”. Po ashtu në takimin e zhvilluar me Kryeparlamentarin Ilir Meta, proceset integruese ishin në qendër të bisedës si edhe roli i Shqipërisë në rajon. Meta i shprehu mirënjohje për mbështetjen e hapur dhe të fuqishme të Irlandës për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe theksoi se pavarësisht nga vendimi i Këshillit, qeveria dhe Parlamenti janë të vendosur të vazhdojnë me ritmin e reformave të nisura, në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe mirëqenies së tyre. “Shqipëria do vazhdojë të luajë rolin e saj të rëndësishëm dhe konstruktiv rajonal, duke besuar se avancimi i reformave dhe forcimi i paqes dhe stabilitetit në rajon, i shërben edhe zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit të të gjithë rajonit”, – theksoi Meta.
Ministri irlandez
Në përmbyllje të takimeve me përfaqësuesit e qeverisë dhe Parlamentit, ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Pascal Donohoe, në një konferencë të përbashkët me ambasadorin Sequi nga zyra e informimit të BE-së bëri të ditur angazhimin e shtetit që ai përfaqëson në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në strukturat evropiane. “Dua të theksoj mbështetjen që Irlanda ka për zgjerimin e BE-së, jemi krenarë që gjatë Presidencës irlandeze pamë zgjerimin më të madhe të BE-së. Arsyeja që Irlanda ka këtë mbështetje është se ne besojmë që mundësitë dhe përfitimet që Irlanda ka marrë nga hyrja e BE-së, duhet t’i marrin dhe vendet e tjera, natyrisht duke plotësuar kushtet dhe kriteret. Po ashtu, edhe ekonomia jonë ka njohur transformim dhe është integruar në ekonominë globale. Çdo hap që vjen nga qeveria juaj, Irlanda do ta mbështesë, besoj fort që 2014 do të jetë vit i rëndësishëm për Shqipërinë, presim që vendi juaj të marrë statusin në qershor”, – tha ai. Nga ana tjetër, ministri irlandez theksoi domosdoshmërinë e forcimit të shtetit të së drejtës në vend, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar si dhe diskriminimit. “BE i sotëm është shumë ndryshe nga ai i 2009 kur Shqipëria donte të bëhej pjesë e saj. BE është zhvilluar në vetvete në mënyrë që tu përgjigjet vështirësive të fundit, krizës ekonomike, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Natyra e BE-së ka ndryshuar, BE ka ecur përpara por dhe mënyra për t’iu bashkangjitur atij. Irlanda dha mbështetjen e saj për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, për një të ardhme më të sigurt. Përpjekjet edhe të qeverisë së kaluar kanë kontribuar shumë për arritjen e objektivave integruese, ndaj ju duhet të bashkëpunoni së bashku, kërkoj vazhdimin e këtij procesi nga qeveria dhe parlamenti. Jetësore është dhe një shoqëri civile e fortë. Pa forcuar sistemet e gjyqësorit, pa reduktuar nivelet e krimit të organizuar dhe korrupsionit sikundër dhe diskriminimin ky proces është i pamundur. Integrimi duhet të jetë proces i pakthyeshëm”, – përfundoi ministri irlandez.
Kërkesë Kryeministrit
LSI: Komitet shtetëror për 70-vjetorin e çlirimit. Aleatët e PS-së mblidhen nesër për Ditën e Republikës
Nisur nga fakti se këtë vit Shqipëria kremton 70-vjetorin e Çlirimit, LSI kërkon nga qeveria të ngrejë një komision të posaçëm, i cili do të merret me përgatitjet për këtë ngjarje të madhe historike për kombin tonë. Sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike, Luan Rama, kërkoi dje nga qeveria që të rikonstruktojë të gjitha monumentet dhe varrezat e dëshmorëve në rrethe për ta kremtuar, sipas tij, me dinjitet këtë ngjarje të madhe për shqiptarët. “Por është detyrë e qeverisë të krijojë një komision të posaçëm shtetëror, gjithëpërfshirës me qëllim që programimi i çdo detaji dhe festimi të jetë i denjë për këtë ngjarje të madhe. Në emër të LSI-së propozoj që një çështje e veçantë që duhet të meritojë vëmendjen e qeverisë duhet të jetë edhe rikonstruktimi i varrezave të dëshmorëve në të gjitha rrethet dhe rikonstruktimi i të gjitha monumenteve të luftës. Duhet që këtë vit 2014-ën ta shndërrojmë në vitin e 70-vjetorit të Çlirimit të atdheut duke përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ndaj qytetarëve. Ky është detyrim i madh, ky është vlerësimi më i madh”, – tha Luan Rama. Ndërkohë, ditën e nesërme, një pjesë e aleatëve të PS-së do të organizojnë një takim përkujtimor për atë që ata e cilësuan si Ditën e Republikës. Subjektet politike që do të organizojnë takimin në orën 10:00 në Muzeun Historik Kombëtar janë LDSH e drejtuar nga Astrit Kosturi, PPSH e Muharrem Xhafës, PPR e kryesuar nga Marko Dajti, PK “8 Nëntori” e Preng Çunit si edhe Partia Toleranca e Re me në krye Avdi Keçin. “Ne njohim dhe respektojmë 11 janarin si Dita e Republikës, ndërsa partitë e pushtetit 23-vjeçar le të na thonë se cila është Dita e Republikës që ata njohin? Përse vetëm Shqipëria është një Republikë pa datë dhe pa themel të qartë?”, – drejtojnë pyetjet që pritet të trajtohen ditën e nesërme në konferencë.
Zbardhet axhenda
Marrëveshjet që do të firmosen në mbledhjen e përbashkët të Prizrenit. Presheva, letër qeverisë
Qeveria shqiptare bëri të ditur dje vendimet që do të merren gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, e cila do të mbahet në 11 janar në Prizren. “Sot përfunduam edhe përgatitjet e takimit të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe të qeverisë së Shqipërisë, i cili do të mbahet ditën e shtunë, në Prizren. Disa marrëveshje do të nënshkruhen nga të dyja qeveritë, mes të cilave po citoj: Nënshkrimin e dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik midis dy vendeve; nënshkrimi i marrëveshjes midis dy qeverive për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë; nënshkrimi i marrëveshjes mes dy qeverive për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës; thellim të bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit evropian. Gjithashtu, kemi edhe dy projekte për Preshevën; një propozim për bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore për maternitetin e Preshevës dhe gjithashtu miratimin e një propozimi për krijimin e një fondi të përbashkët për zhvillimin e Preshevës”, – tha ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito. Ndërkohë, ditën e djeshme liderët politikë nga jugu i Serbisë kanë kërkuar nga Shqipëria që në organizatat ndërkombëtare, të kërkojë të merren parasysh edhe të drejtat e shqiptarëve nga kjo pjesë e Serbisë.
Telefonata
Bushati me Velizelosin: Biseduam për prioritetet e Presidencës së BE-së
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, zhvilloi dje një bisedë telefonike me homologun grek Evangelos Venizelos, pasi Greqia mori Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Bushati shkruan se gjatë bisedës telefonike me ministrin Venizelos bisedoi për prioritetet e Presidencës së BE-së dhe rolin e Shqipërisë në nismën adriatiko-joniane dhe EUSAIR. Një ditë më parë, ministri i Jashtëm grek deklaroi se Athina zyrtare do të promovojë në dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, gjatë Presidencës së saj të BE-së.




