INSTAT Ja si funksionojnë bizneset në Shqipëri, sa kanë punësuar dhe fituar

INSTAT: Ja struktura e ndërmarrjeve ekonomike shqiptare

 

dyqan-560x300Instituti i Statistikave ka publikuar rezultatet e anketës strukturore të ndërmarrjeve ekonomike për vitin 2012. Sipas rezultateve të anketës, në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve, shifra e afarizmit në vitin 2012 u rrit 9,5% krahasuar me vitin 2011. Numri i të punësuarve gjithsej dhe investimet u rritën përkatësisht 5,4% dhe 13,2%, ndërkohë që edhe numri i ndërmarrjeve është rritur në masën 2,9%.

Prodhuesit e shërbimeve zënë 84,4% të numrit të ndërmarrjeve dhe realizuan 63,8% të shifrës së afarizmit. Prodhuesit e të mirave kanë 41,1% të të punësuarve dhe realizuan 60,8% të investimeve.
Gjatë vitit 2012, ndërmarrjet aktive në sektorin e tregtisë zënë 46,8% të numrit të ndërmarrjeve gjithsej. Shifra e afarizmit nga ky sektor përbën 48,9 % të shifrës së afarizmit gjithsej. Përfaqësim të lartë në punësim ka sektori i industrisë me 30% të të punësuarve gjithsej. Gjithashtu, ky sektor ka realizuar 48,5% të investimeve gjithsej.

 

Përmasat

Ndërmarrjet me 20 e më shumë të punësuar dominojnë ekonominë shqiptare. Këto ndërmarrje realizuan 62,7% të shifrës së afarizmit. Ky grup ndërmarrjesh ka 46% të të punësuarve gjithsej dhe ka realizuar 67% të investimeve. Në këtë grup dominojnë prodhuesit e mallrave.

Ndërkohë, ndërmarrjet me 1 – 4 të punësuar përbëjnë 90,8% të ndërmarrjeve. Ky grup ndërmarrjesh ka realizuar 14,4% të shifrës së afarizmit dhe ka siguruar punësim për 37,3% të të punësuarve gjithsej. Ndërmarrjet e vogla janë dominuese në sektorin e shërbimeve.

Në prodhuesit e mallrave, shifra e afarizmit është rritur 7% krahasuar me vitin 2011. Numri i të punësuarve dhe investimet u rritën këtu përkatësisht 0,2% dhe 2,9%. Por, numri i ndërmarrjeve aktive është ulur 7,4%.

Në sektorin e industrisë, gjatë vitit 2012, shifra e afarizmit arriti vlerën 371 miliardë lekë. Ky sektor ka 72,9% të të punësuarve dhe realizoi 79,9% të investimeve të ndërmarrjeve prodhuese të mallrave. Ndërmarrjet aktive të këtij sektori përbëjnë 73,9% të numrit të ndërmarrjeve në këtë grup. Shifra e afarizmit për sektorin e industrisë është rritur 13,1% krahasuar me një vit më parë.

Ndryshe paraqitet situata për sektorin e ndërtimit, ku shifra e afarizmit u ul 4,2% krahasuar me vitin 2011. Në sektorin e industrisë është shënuar rritje e numrit mesatar të punësuarve prej 1,8% krahasuar me vitin 2011, ndërsa sektori i ndërtimit ka patur ulje 3,9% të këtij treguesi.

 

 

 

 

 

Konkurrenca: Të hiqet ekskluziviteti për aeroportin

Autoriteti i Konkurrencës kërkon heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare për aeroportin e Rinasit dhe uljen e tarifave të shërbimit që ofron ky aeroport. Kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, Lindita Milo, deklaroi dje se ekskluziviteti dhe tarifat shumë të larta që aplikon operatori “Tirana International Airport” dëmtojnë konkurrencën në tregun e fluturimeve. Autoriteti këmbëngul gjithashtu për rregullimin e tregut të energjisë elektrike, duke bërë që kompanitë KESH dhe “CEZ Shpërndarje” të kenë llogari të ndara nga furnizuesit publikë me shumicë dhe me pakicë.

Aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas është aeroporti i kryeqytetit dhe njëkohësisht i vetmi aeroport ndërkombëtar i Shqipërisë për fluturime civile. Nga Rinasi fluturojnë disa avionë të shoqërive të fluturimit drejt destinacioneve të Evropës dhe prej pikave të transitit për në disa qytete të tjera jo evropiane.

Mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive është një nga kushtet kryesore për të pasur një ekonomi tregu funksionale. Autoriteti i Konkurrencës gjatë punës së tij ka ndaluar dhe parandaluar në disa raste marrëveshjet e ndaluara në tregun e prodhimit të bukës, të cilat në disa raste kishin çuar në një rritje të çmimit me rreth 40%. Ndërsa ka hetuar e gjobitur gjithashtu ndërmarrjet e transportit rrugor qytetës në Tiranë, të cilat me marrëveshje ndërmjet tyre kishin vendosur që të kufizonin me 80% numrin e aboneve të studentit, duke detyruar këta të fundit që të blinin abone të zakonshme apo të paguanin biletat, duke i rritur kostot për këtë shërbim të paktën dy herë më shumë, si dhe ka hetuar tregun e vajit të ullirit, të karburanteve etj.

 

 

Share it :