INSTAT: Ekonomia frenohet në tremujorin e tretë 2013

  Ervin Kaduku

 

Në rënie indekset kryesore të prodhimit, biznesi dhe të huajt të kujdesshëm lidhur me ndryshimin e pushtetit ekzekutiv dhe me qasje negative ndaj ndryshimeve fiskale të parashikuara në programin e mazhorancës së re

 

tregu frutaSipas Institutit të Statistikave, në tremujorin e tretë të vitit të kaluar ka ndodhur një frenim ekonomik, ndikuar kryesisht nga kthesa politike në drejtimin e vendit, që parashikon ndryshim të rregullave fiskale. Kështu, sipas INSTAT-it, indekset e shifrës së afarizmit në aktivitetet e vrojtuara si industri, ndërtim, tregti, hotele, transport dhe komunikacion, në tremujorin e tretë 2013 paraqesin rënie prej 4,5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, indeksi i personave të punësuar në aktivitete ekonomike ka një rritje prej 5,2 për qind në tremujorin e tretë 2013, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa pagat rriten me 7,9 për qind, por krahasuar me tremujorin paraardhës, ky indeks ka një rënie prej 1,7 për qind, ndërsa pagat rriten me 1,8 për qind.

 

Industria

Indekset e shifrës së afarizmit në tremujorin e tretë 2013 pasqyrojnë një rënie prej 10,8 për qind në industri, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me tremujorin paraardhës ka një rënie prej 4,2 për qind. Në industrinë nxjerrëse, ky tregues paraqitet me rritje 18,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Krahasuar me tremujorin paraardhës ka një rritje prej 2,7 për qind. Në industrinë përpunuese, indeksi i shifrës së afarizmit paraqitet me rënie 19,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Krahasuar me tremujorin paraardhës ka një rritje 1,4 për qind. Në sektorët energji elektrike dhe ujë, ka një rritje 5,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe rënie prej 19,6 për qind, krahasuar me tremujorin paraardhës.

 

Ndërtimi

Në sektorin e ndërtimit, indeksi i shifrës së afarizmit në tremujorin e tretë 2013 është ulur me 11,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Krahasuar me tremujorin e paraardhës ka një rënie prej 19,2 për qind.

 

Tregtia

Indekset e shifrës së afarizmit në tremujorin e tretë 2013 paraqesin në tregti rënie prej 1,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me tremujorin paraardhës rritja e indeksit të shifrës së afarizmit është 13,2 për qind. Në tregtinë me shumicë, indeksi i shifrës së afarizmit paraqet një rënie prej 2,4 për qind në tremujorin e tretë 2013 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me tremujorin paraardhës, rritja është 15,7 për qind.

 

Hoteleri, shërbime

Në sektorin hotele, indeksi i shifrës së afarizmit ka një rënie 4,9 për qind në tremujorin e tretë 2013 krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të mëparshëm. Krahasuar me tremujorin mëparshëm, ka një rritje prej 15,5 për qind.

 

Punësimi

Gjatë tremujorit të tretë 2013 forca e punës është 1.113.832 persona, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar është 12,8%. Sipas të dhënave administrative për punësimin, në tremujorin e tretë 2013 numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor është 288.380 persona. Punësimi në këtë sektor u rrit me rreth 2,3% krahasuar me tremujorin e dytë 2013, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor është rritur me 5,8%.

Punësimi në sektorin shtetëror mbeti i pandryshuar, krahasuar me

tremujorin e dytë 2013.

Sipas vlerësimeve të marra nga anketa tremujore e forcave të punës, numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor është 518.796 persona.

Numri mesatar i të papunëve të regjistruar si punëkërkues të papunë gjatë tremujorit të tretë 2013 është 142.856 nga të cilët 5,5% përfituan pagesë papunësie.

Niveli bazë i pagesës së papunësisë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 562, datë 3.8.2011, është 6.850 lekë.

Vlera mesatare e ndihmës së pjesshme ekonomike për familje është

3.528 lekë, ndërsa vlera e ndihmës ekonomike të plotë është 4.195

lekë për familje.

Paga minimale me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 573, datë

3.7.2013 “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi” është 22.000 lekë.

 

Çmimet

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në tremujorin e tretë të vitit 2013 arriti në 114,1 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 2007 = 100), duke shënuar ulje prej 1,4 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Gjatë këtij tremujori indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi ulje prej 3,1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm, ndërsa indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” rritje prej 0,02 për qind.

Indeksi i kushtimit në ndërtim arriti 101,6 për qind në tremujorin e tretë 2013 (trem. I 2011 = 100) duke shënuar një ulje prej 0,2 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm të vitit pararendës.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012 indeksi shënoi rritje prej 1,5 për qind.

Indeksi i çmimeve të prodhimit në tremujorin e tretë 2013 arriti 112,8 për qind (2005 = 100), duke shënuar një ulje prej 0,7 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm të vitit pararendës.

 

Tregtia e jashtme

Eksporti i mallrave gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013, arriti rreth 64 miliardë lekë ose 1,2 për qind më pak se në tremujorin e dytë të vitit 2013 dhe 13,6 për qind më shumë se në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Importi i mallrave gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013 arriti rreth 133 miliardë lekë ose 3,7 për qind më shumë se në tremujorin e dytë të vitit 2013 dhe 5 për qind më pak se në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Përqindja e mbulimit të eksporteve nga importet, në tremujorin e tretë të vitit 2013 ishte 48 për qind. Gjatë këtij tremujori, 28,4 për qind të eksporteve gjithsej dhe 9,4 për qind të importit e zuri grupi “Tekstile dhe këpucë”. Importi i grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” përbën 17,2 për qind të importeve gjithsej, duke u rritur 5,5 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm.

Partnerët kryesorë tregtarë gjatë këtij tremujori vazhduan të jenë Italia dhe Greqia, me të cilat është kryer përkatësisht 32 për qind dhe 9,1 për qind e importit dhe 42 për qind dhe 3,2 për qind e eksportit. Me vendet e Bashkimit Evropian është kryer 76,7 për qind e eksporteve dhe 62,4 për qind e importeve.

 

Fondi Monetar rrezikon të mbetet pa para

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, ka shprehur zhgënjimin e saj ndaj Kongresit Amerikan që refuzoi të miratonte një plan, i cili synonte ta ndihmonte FMN-në për paketat e reformave të qeverisjes.

“Unë shpresoj shumë që kjo do të jetë thjesht një çështje kohe dhe jo një çështje për të përjashtuar Fondin Monetar Ndërkombëtar”, – deklaroi Lagarde. Më herët shefja e institucionit kreditues kishte përsëritur shpesh se Shtetet e Bashkuara do të bien dakord për paketën e reformave. Këtë javë Kongresi Amerikan refuzoi sërish planin e financimit për FMN-në, që fillimisht është prezantuar tek Presidenti Obama në vitin 2010.

Meqenëse Amerika është aksioneri më i madh i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ka fuqinë e vetos, refuzimi i planit të financimit mund të lërë grupin me 188 vende pa burime shtesë dhe do të krijojë problem në financimin e projekteve të miratuara. Në vitin 2010, Bordi i Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi paketën e reformave të qeverisjes. Kjo paketë përfshin dyfishimin e kuotave të FMN-së dhe një ndryshim të kuotave për vendet dinamike në zhvillim.

Gjithashtu, materiali propozon një reformim të bordit ekzekutiv. Fondi Monetar parashikonte që këtë paketë reformash ta bënte efektive në tetor të vitit 2012, por Kongresi Amerikan është bërë pengesë e madhe në realizimin e këtij plani. Shumë analistë e cilësojnë të pakuptimtë këtë bllokim të Kongresit, pasi fillimisht FMN mbron rimëkëmbjen ekonomike në SHBA dhe promovon interesat e saj strategjike jashtë vendit, ndërsa mbështet tregun e punës, eksportet dhe tregjet financiare.

 

 

 

 

Konsumatorët mbeten pesimistë për perspektivat e tregut

 Pritjet negative për punësim, kursime, kryerjen e blerjeve të mëdha, rritje e kostos së jetesës, shtrenjtimi i çmimeve i bëjnë konsumatorët pesimistë për situatën e tyre të ardhshme financiare

  Situata e paqartë financiare bën që konsumatorët të jenë pesimistë lidhur me të ardhmen e tyre ekonomike, ndryshe nga biznesi, i cili shfaqi shenja optimizmi në tremujorin e katërt 2013 dhe pritjet për 2014-ën.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, me një metodologji të rishikuar, treguesi i besimit të konsumatorëve (TBK) ra me 4.7 pikë përqindje në tremujorin e katërt të vitit 2013, pas rënies me 0,9 p.p. në tremujorin e tretë. Kjo lëvizje e besimit e çoi treguesin nën mesataren e vet historike. Në rënien e treguesit ndikoi kryesisht rënia e pritjeve për situatën financiare dhe pritjet për gjendjen e përgjithshme të ekonomisë. Dy komponentët e tjerë, gjendja e blerjeve të mëdha dhe situata e të ardhurave-shpenzimeve, dhanë një kontribut të ulët negativ.

Pritjet për nivelin e papunësisë në gjashtë muajt e ardhshëm u rritën në tremujorin e katërt (balanca aktuale +9,9%, krahasuar me +5,3 pikë përqindje në tremujorin e tretë). Balanca e kursimit në tremujorin e katërt regjistroi një përmirësim të lehtë, +2,8 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, pjesa më e madhe e përgjigjeve të kësaj pyetjeje (rreth 80%) u përkasin alternativave të pafavorshme për kursim.

Konsumatorët perceptojnë se kostoja mesatare e jetesës është rritur gjatë tremujorit të katërt, si në krahasim me tremujorin e kaluar ashtu edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pritjet e konsumatorëve për inflacionin pas një viti janë rritur pak nga tremujori i kaluar (+0,1 p.p.), duke regjistruar nivelin +2,3%.

 

Share it :