Gëzim Saliu
Kryeministri: Përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve shmang abuzimet
Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një inspektim të palajmëruar në Doganën e Durrësit, ku pasi pa nga afër kushtet e punës në këtë ambient, deklaroi se përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve është një domosdoshmëri edhe për shmangien e abuzimeve, ryshfetit e korrupsionit. I shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali, kreu i qeverisë deklaroi se brenda vitit qeveria do të marrë masa për një plan transformues të kësaj dogane, e cila është një prej doganave më të rëndësishme në vend edhe sa i takon peshës së të ardhurave që ajo realizon për buxhetin e shtetit. “Torturë, torturë, torturë! Të gjithë ata që vijnë këtu, sjellim mall dhe… E tmerrshme! Çfarë mirëkuptimi mund t’i kërkosh sipërmarrjes? Çfarë mirëkuptimi mund t’i kërkosh të gjithë atyre që importojnë, të gjithë atyre që vijnë? Çfarë mirëkuptimi mund t’i kërkosh për këtë gjendje? Absolutisht, duhet të futet me precedencë dhe me urgjencë në plan për ta transformuar brenda këtij viti, me çdo kusht dhe me çdo çmim”, deklaroi Rama.
Dogana
Sipas kreut të qeverisë, kushtet aktuale të doganës së qytetit të Durrësit janë të papranueshme si për qytetarët ashtu edhe për biznesin që ka lidhje të drejtëpërdrejtë me këtë strukturë. “S’ka asnjë shans të ketë shërbim profesional në këto kushte dhe s’ka asnjë shans që ne të çlirohemi përfundimisht nga korrupsioni, nga bakshishi, nga vonesat, nga zvarritjet, nga gjithë kjo marrëdhënie skandaloze në këto kushte. Këto janë kushte që e bëjnë të pamundur që ne të kemi një sistem transparent, një sistem funksional, një sistem me normat elementare të të drejtave të njeriut, që ka nevojë për shërbim. Kjo është e pashembullt!”, pohoi Rama. Për kryeministrin e vendit, modernizimi i infrastrukturës së doganës është një domosdoshmëri për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve. “Kjo gjendje turpëruese për shtetin dhe torturuese për biznesin duhet dhe do të marrë fund me projektin e ri për Doganën e Durrësit”.Në të njejtën linjë, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave shprehu shqetësim për kushtet në të cilat u ofrohen shërbimet subjekteve duke theksuar se,: “Përfytyroni një biznes që vjen për të kryer një procedurë në një zyrë të tillë. Ndërkohë, që dogana e Durrësit dhe e Tiranës përbëjnë 70 % të gjithë të ardhurave që mbledh gjithsej sistemi doganor. Vetë sistemi doganor mbledh 60 % të buxhetit të shtetit”. Më tej, Spiropali bëri të ditur se në këtë doganë, punonin doganierët që merren me praktikat e kontejnerëve, sektor në të cilin kryhet pjesa më e madhe e tranziteve me vendet e rajonit, me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, etj. “Këto përmbyten të gjitha kur bie shi. Është 1/3 e Doganës së Durrësit”. Nga ana e tij, kryetari i Doganës së Durrësit Edison Konomi theksoi shqetësimin që porta kryesore e Shqipërisë, ku përballet çdo subjekt, qoftë i huaj apo shqiptar, has në vështirësi të tilla. Dy ditë mkë parë, kryeminsitri Rama zhvilloi një tjetër inspektim të palajmëruar në në doganën e Hanit të Hotit, ku pasi shprehu shqetësim ëpr kushtet premtoi investime serioze për krijimin e ambienteve të reja dhe të përshtatshme sipas tij për punë dhe për një marrëdhënie sa më normale me biznesin.
Zyra e punësimit në Durrës, Rama: Katastrofë! Do hapim një të re
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, inspektoi dje në mesditë edhe Zyrën e Punës në qytetin e Durrësit, ku pohoi vendosmërinë për hapjen sa më parë të një Zyre të re të Punës në këtë qytet. “Në një qytet, që është qyteti i dytë më i madh, për nga ekonomia dhe për nga rrugët e zhvillimit të sipërmarrjes private, na duhet me urgjencë një Zyrë Pune e denjë për njerëzit që kërkojnë punë, që të stimulojë energji pozitive dhe të stimulojë shpresa. Kjo është një katastrofë dhe kjo duhet mbyllur një orë e më parë. Ne na duhet një orë e më parë Zyra e Punës, ashtu siç duhet, aty ku e keni identifikuar, me shpejtësi të madhe, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit”, theksoi Rama. Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi domosdoshmërinë për të identifikuar vendet aktuale të punës, të cilat janë të lira, dhe të vihen në dispozicion të qytetarëve. “Të fillojmë menjëherë të mbledhim gjithë çfarë ka informacion, kërkesa, për vende të lira pune dhe t’ia vëmë në dispozicion të rinjve, t’ia vëmë në dispozicion të të papunëve, t’ia vëmë në dispozicion njerëzve që duan të punojnë. E, realisht të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ekzistuese që janë, ndërkohë që të hapim vende të tjera pune, kudo dhe në vazhdimësi. Vendet aktuale të punës, që janë të lira, duhet të vihen në dispozicion të njerëzve. Këtu s’ka kush vjen dhe ku e gjen Zyrën e Punës, jo më të besojë se këtu mund të gjesh punë”, tha ai. Ndërkohë ministri Veliaj nënvizoi se kushtet e kësaj Zyre Pune, por edhe mënyra se si ajo është konceptuar të promovohet tek qytetarët, nuk ka të bëjë fare me atë çfarë duhet të jetë në të vërtetë një Zyrë që ofron punësim.
Integrimi në BE
Swoboda: U zhgënjeva që Shqipërisë nuk iu dha statusi
Kryetari i Grupit Social-Demokrat në Parlamentin Evropian Hannes Swoboda u shpreh dje se u ndje i zhgënjyer që Shqipërisë nuk iu dha statusi kandidat për në BE në muajin dhjetor. Në një leksion të hapur në një nga universitetet private në Tiranë, Swoboda deklaroi se shpreson që Shqipëria ta marrë statusin në muajin qershor. “U zhgënjyem që nuk e morët statusin kandidat. Shqipërisë duhet t’i jepet ky shans, por e rëndësishme është që qeveria të kryejë reformat. Parësore është respektimi i të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike”, deklaroi Swoboda. Në këtë kontekst, eurodeputeti theksoi se Shqipëria ka ende rrugë për të bërë në procesin integrues drejt BE-së. Sipas tij, në funksion të përmbushjes së kritereve për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, me rëndësi të madhe është bashkëpunimi i ndërsjelltë politik e sidomos mirëkuptmi mes palëve në Parlament. “Lufta ndaj korrupsionit është një kriter i doemosdoshëm për të përafruar hapat drejt BE-së. Të luftosh korrupsionin, do të thotë së pari të përmirësosh ekonominë dhe të forcosh rolin e vendit në rajon e më gjerë”, tha Swoboda. Nga ana tjetër, kreu i Grupit Social-Demokrat në PE nënvizoi se Europa është në krizë dhe se një nga problemet më shqetësues është papunësia e të rinjve.




