Inspektimi Kryeministri: Rrugë me standarde, model të ri për infrastrukturën

Gëzim Saliu

 

Rama inspektoi punimet në Rrugën e Elbasanit: Problem projektet pa specifikimet e duhura

 

ramaKryeministri Edi Rama inspektoi dje punimet në Rrugën e Elbasanit pranë Fakultetit Ekonomik, ku theksoi se ndërtimi i këtij segmenti është i rëndësishëm në funksion të ngritjes së një modeli të ri për sa i përket infrastrukturës. “Kjo është një rrugë shumë e rëndësishme, qoftë për kryeqytetin e Shqipërisë, por është e rëndësishme në funksion të ndërtimit të një modeli të ri dhe të një qasjeje të re sa i përket infrastrukturës. Besoj se në fund të gjithë do të jenë në gjendje të bëjnë dallimin dhe do të vendosim një gur themeli në një rrugë të re të projektimit, të zbatimit, të monitorimit dhe në fund fare të përputhjes së shpenzimeve që bëhen me paratë e shqiptarëve, me ambicien e shqiptarëve për të pasur një rrugë evropiane dhe jo një vend në mes të Evropës, ku rrugët janë faqja më e zezë”, – deklaroi kreu i qeverisë.

 

Infrastruktura

Duke theksuar se qeveria zhbllokoi punën që ishte bllokuar, sipas Kryeministrit, për shkak të borxheve, Rama theksoi se problem mbeten projektet që janë pa standarde dhe pa specifikimet e duhura. “Zhbllokimi i kantiereve të mbetura peng në zinxhirin e borxheve ka nisur, por është vetëm njëra pjesë e problemit me të cilin ne përballemi sot. Pjesa tjetër e problemit janë projekte mizerabël, pa standarde, pa specifikime dhe pa asnjë qasje bashkëkohore, në kushtet kur qytetarët e këtij vendi dhe ky vend meritojnë shumë më tepër. Kjo do të thotë që ne, nga njëra anë, do të bëjmë çmos që gjithë këtë punë të sapo nisur ta vendosim në shinat e duhura të respektimit të afateve dhe cilësisë dhe nga ana tjetër, të mund të rehabilitojmë çfarë është e mundur, në kushtet kur tanimë një pjesë e gjërave janë të palëvizshme, sepse projektet janë bërë dhe punët janë bërë shatra-patra, siç ishte zakoni”, – u shpreh Rama. Edhe ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i cili shoqëroi kreun e qeverisë në këtë inspektim, e vuri theksin në adoptimin e një filozofie të re të ekzekutivit që lidhet me cilësinë më të lartë dhe me të gjithë parametrat e nevojshëm, inxhinierikë, të sigurisë, të sinjalistikës, por edhe me buxhetin përkatës, për t’i realizuar ato në kohë. Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit është një projekt i iniciuar nga Bashkia e Tiranës e mbështetur nga qeveria e kaluar, ku përmes tij synohet ulja e ndjeshme e trafikut dhe e ndotjes, sikurse dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve. Rruga, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rrethrrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km, do të jetë me 6 korsi, me trafikndarëse prej 1.5 m ku është parashikuar dhe gjelbërim si dhe me trotuare në të dyja anët e saj. Në qeverisjen e djathtë infrastruktura ishte një prioritet, ku specifikisht sipas të dhënave të bëra publike para zgjedhjeve, ishin ndërtuar 10.400 km rrugë në gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, për këtë çështje ka pasur kritika dhe akuza nga opozita e kaluar, sot në mazhorancë, ku madje debati i “rrugëve” ishte një ndër kryesorët e fushatës për elektoralet e 23 qershorit.

 

 

Reagimi i PD-së

Tabaku: Rama, si Robert Çamçakëzi, në kantieret e PD-së

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u shpreh dje se Kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë projekt konkret, por vijon dhe inspekton punët e nisura nga qeveria e mëparshme. “Edi Rama shfaqet si Robert Çamçakëzi në kantieret e Partisë Demokratike. Pasi ka braktisur një nga një të gjitha premtimet e fushatës, pasi ka dështuar të inaugurojë qoftë edhe një projekt të ri apo një vend të ri pune, Kryeministri Rama ka nisur turin e inspektimeve të projekteve dhe investimeve të filluara në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike”, – deklaroi ligjvënësja demokrate. Sipas Tabakut, Kryeministri po falet aty ku më parë ka vjellë vrer. “Në opozitë, Edi Rama mallkonte çdo projekt e investim të Partisë Demokratike dhe bëri gjithçka, duke angazhuar edhe deputetët e tij për të ndaluar zgjerimin e rrugës së Elbasanit, një projekt i Bashkisë së Tiranës, i mbështetur nga qeveria e mëparshme. Por sot, me një llogore të zgjatur pa pikë e presje, Kryeministri u shfaq në kantierin e Rrugës së Elbasanit si Robert Çamçakëzi. Pa projekt, pa ofertë, pa punë, por vetëm me llafe boshe e pa kuptim”, – u shpreh deputetja e PD-së. Sipas Tabakut, pavarësisht situatës së varfërisë dhe papunësisë, Kryeministri nuk ofron asnjë zgjidhje konkrete. “Të vetmet skena teatrale ku është kapur si pas fijes së kashtës, janë turet e projekteve të nisura nga Bashkia e Tiranës dhe nga qeveria e mëparshme”.

 

 

Konferenca për diskriminimin

AMA, Bushati: Strategji për respektimin e ligjit dhe etikës në median audio-vizive

Autoriteti i Mediave Audio-Vizive zhvilloi dje një konferencë për diskriminimin në media, ku në fjalën e saj, drejtorja e AMA-s, Endira Bushati, u shpreh se mungesa e këshillit të ankesave është pengesë serioze për ushtrimin e plotë të kompetencave të AMA-s kundër këtij fenomeni. “Problemi që do të trajtohet sot ka qenë dhe janë pjesë e funksionit të AMA-s, por edhe objekt i vëmendjes së teleshikuesve. Tashmë kuadri ligjor për median elektronike është i plotë, miratimi i ligjit të ri për mediat audio-vizive ka rritur detyrimet dhe përgjegjësitë tona dhe të ofruesve të shërbimit mediatik sidomos për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në programet televizive. Në mënyrë të drejtpërdrejtë ligji i ri në nenin 32 të tij nuk lejon transmetimin e programeve që nxisin urrejtje mbi baza racore, gjinie, fetare, etnike, kombëtare dhe çdo forme tjetër diskriminimi. Me një akt të rëndësishëm nënligjor në kodin e transmetimit të miratuar së fundmi nga AMA ka një sërë rregullash të posaçme edhe për mbrojtjen e diskriminimit në media”, – tha Bushati. Sipas saj, nuk duhet harruar që edhe ndjeshmëria dhe kërkesat e publikut kundër diskriminimit, të respektimit dhe dinjitetit të individit dhe të grupeve vulnerabël të shoqërisë është rritur. “Prandaj AMA synon për strategji dhe politika që lidhen me çështje të mprehta të kulturës mediatike të respektimit të ligjit dhe të etikës në median audio-vizive. Këtij procesi sigurisht i vjen në ndihmë edhe bashkëpunimi i frytshëm dhe efikas me institucionet si komisioneri kundër diskriminimit, komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Avokati i Popullit apo me shoqata dhe përfaqësues të shoqërisë civile”, – deklaroi drejtorja e AMA-s, Endira Bushati.

 

 

Share it :