Florenc Drizari
Kryeministri: Qëndrime të ashpra për çdo deputet që përfshihet në dhunë verbale dhe fizike
Ish-kryeministri: Parlamenti, nga tempull demokracie është një strofull krimi që s’na lidh më gjë
Incidenti i ndodhur dje në korridoret e seancës së Kuvnedit të Shqipërisë mes deputetit të opozitës Gent Strazimiri dhe deputetëve të mazhorancës, u shoqërua me reagime të ashpra kundër dhunës nga të dyja krehët e opolitikës. Ish-kryeministri Sali Berisha pas ngjarjes reagoj se për opozitën nuk ka më vend në Parlament, duke bërë përgjegjës kreun e qeverisë. Ndërkohë nga ana tjetër edhe Kryeministri Rama dënoi çdo forme dhune verbale e fizike nga cili do deputet.
Berisha
“Gjykoj se ky parlament i mbushur me vrasës, trafikant, kriminel, përdhunues, që drejtohet nga kreu i meduzës së krimit të organizuar Edi Rama, është i papajtueshëm me ekzistencën e një opozite demokratike.Pas diskutimit të deputetit Gent Strazimirit, me urdhër të Edi Ramës, një nga banditët e parlamentit e agreson këtu tek po pinte një cigare. Mendoj se ky është një akt i pashembullt, që dëshmon fytyrën e vërtetë të Edi Ramës dhe klikës që ka uzurpuar pushtetin. Përfaqësuesit e popullit, përfaqësuesit e opozitës janë këtu për të mbrojtur interesat e qytetarëve, por në kushtet e krijuara në këtë parlament, mendoj se nuk ka më asnjë hapësirë për veprimtarinë e tyre. Ky ishte një akt i shëmtuar, i përsëritur, me të cilin Edi Rama do të tregojë se cilido që atakon atë, mund t’i ndërsejë horra, kriminel, vrasës, trafikant kundër tij”,-deklaroi ish-kryeministri Berisha, i cili nënvizoi se ngjarja e djeshme ishte një provokacion i ulët për çdo qytetarë të opozitës shqiptare.
Rama
“E ashtu si në një rast të shkuar dëshiroj që ta rinënvizoj qëndrimin tim se për dhunën verbale dhe pa diskutim dhe për dhunën fizike të ushtruar nga cilido deputet, pavarësisht të dallimeve majtas apo djathtas, duhet të ketë qëndrim maksimalisht të ashpër. E pra, le të jemi seriozë dhe le të jemi që të gjithë bashkë të përgjegjshëm ndaj të gjithë atyre që na kanë dhënë mundësinë, na kanë dhënë nderin dhe na kanë krijuar privilegjin që të jemi ne këtu, në këtë sallë dhe të mos i shohim fjalët e padëshirueshme vetëm kur vinë nga goja e tjetrit, por t’i ndalojmë ato në radhë të parë në gojën tonë. E të mos t’i shohim veprimet e padëshirueshme vetëm kur ato kryhen nga tjetri, por t’i ndalojmë ato në radhë të parë për veten tonë”,-deklaroi Rama nga foltorja e Kuvendit, ndërkohë që opozita kishte braktisur punimet. gjithashtu Kryeministri Rama kritikoi ashpër qëndrimet e opozitës në sallën e Kuvendit, duke i cilësuar ato si shpesh herë provokime dhe fyerje ndaj deputetëve dhe përfaqësuesve të qeversië. Lidhur me vrasjen e biznesmenit Artan Santo pak javë më parë në zonën e ish-bllokut, Rama u shpreh se opozita kërkon “që të zbulohet menjëherë dora që vrau barbarisht Artan Santon. Harrojnë që akoma, sot e gjithë ditën, dora që vrau Fatmir Xhindin është e pazbuluar. Nuk ju kujtohet Fatmir Xhindi, deputeti i vrarë tek dera e shtëpisë së tij. Nuk iu kujtohet as Remzi Veseli, këtyre, kryetari i Komunës, i vrarë tek dera e shtëpisë së tij, kur këta ishin në pushtet. Ndërkohë që për bankierin e vrarë duan që vrasja të jetë e zbuluar në sekondë. Një skizofreni totale.” Pas këtyre deklaratave, Kuvendi vazhdoi punimet duke miratuar të gjithë projektligjet që ndodheshin në axhendën e punimeve me voatat e mazhorancës.
Paloka: Seanca të mos vazhdojë punimet.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka pas incidentit mes deputetëve Ndreu dhe Strazimiri kërkoi që seanca parlamentare të mbyllej. “Kërkoj të mos vazhdojë seanca parlamentare”- u shpreh Paloka. Ndërkohë pas deklaratës së Palokës deputetët e opozitës janë larguar nga Kuvendi. Grupi Parlamentar i PD-së është mbledhur menjëherë pas incidentit, duke marrë si vendim bojkotin e Kuvendit. Ndërkaq, në sallën e seancave plenare u pa edhe mungesa e deputetëve të opozitës. Ndërkaq, pas incidentit të ndodhur, Paloka kërkoi nga kryesuesi i seancës, Vangjel Dule, jo vetëm ndërprerjen e punimeve, por edhe marrjen e masave për deputetët e shumicës. Nga ana e tij, Dule tha se për këtë duhet të mblidhet Byroja e Kuvendit dhe se opozita duhet të bënte një kërkesë me shkrim.
Topalli: Mazhoranca e Ramës e mbushur me trafikantë
Pas ndërprerjes së punimeve të seancës së djeshme plenare lidhur me incidentin mes deputetit të PD-së, Strazimiri dhe deputetëve të PS-së, në korridoret e këtij institucioni, reagoi edhe ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Duke dalë bashkë me deputetin Strazimiri nga Kuvendi, Topalli u shpreh se: “Në mazhorancën e emëruar nga Edi Rama ka kriminelë, ka mafiozë, ka trafikantë dhe kjo është fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve”. Nga ana e tij, Strazimiri shmangu komentet, ndërkohë që seanca filloi punimet pa praninë e opozitës, duke miratuar ligjet me shumicën e votave të majta.
Votimi i Ligjeve në seancën e djeshme plenare
Projektligji “Për Shërbimin për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, u miratua me 77 vota pro.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre” të ndryshuar” u miratua me 75 vota pro.
Projektligji “Për përdorimin e armëve të zjarrit” miratuar me 74 vota pro
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9126, datë 29.07.2003 “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse dhe lëndëve piroteknike dhe fishekzjarre në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar miratuar me 75 vota pro.
Projektligji “Për shërbimin privat të sigurisë fizike” u miratua me 77 vota pro, projektligji “Për armët” miratuar me 75 vota pro.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9636, datë 06.11.2006 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” të ndryshuar” miratuar me 74 vota pro
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.039 datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike” të ndryshuar miratuar me 76 vota pro.
Projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare” miratuar me 76 vota pro.
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2013” me 76 vota pro.
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së ILDKP për vitin 2013” me 77 vota pro.
Kuvendi miratoi me 76 vota pro procedurat për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin komunitar “Creative Europe 2014” .




