Brikena Bogdo
Në media, analizohet shpesh imazhi i Ramës, nëse është i sinqertë apo jo, në flakjen tej të figurës së trasgresivit, agresivit, antikonformistit. Lideri i mazhorancës ka, aktualisht me vete, një forcë tjetër, atë të pushtetit të kartonëve. Kur të humbasë këtë forcë, atëherë do të shikojmë nëse figura, apo alter egoja e tij, do të rikthehet mbase më e fortë se kurrë. Pushteti është manipulues, ndaj përdor forma nga më të ndryshme, karizmën, batutat, shtatin, oratorinë. Në kohën e lashtë, Perikliu i famshëm i Greqisë ishte aq i gojës dhe orator i shkëlqyer, saqë i bënte të besonin pleqësinë që ishin ata, që vendosnin, në fakt ai e kishte vendosur vetë më parë se çfarë do të bënte dhe si do e zgjidhte problemin. Sot, oratoria është cilësia kryesore e politikanëve, të cilët shpesh shndërrohen në mbrojtësit e djallit (të çdo teze). Në këtë qerthull mund të bjerë një masë, por jo elita apo analistët, të cilët rrinë me orë të diskutojnë tema dytësore, si reagimet e jashtme të liderëve. I gjithë ambienti shqiptar ka rënë pre e gjestikulaturave që përdor njëri lider apo tjetri, ose batutave humoristike të tyre. Ende ka shumë pak diskutime se çfarë prodhojnë këto ekipe, që rrinë 8 vjet në pushtet. Të votosh një program është njëra anë, por të kontrollosh zbatimin është pjesa tjetër, shumë më e rëndësishme, që na takon të gjithëve.
Imazh-demokracia po fiton terren, duke zhvendosur dritë larg real-demokracinë. “Më pëlqen pushteti dhe jam i gatshëm për një mandat të tretë, të katërt, të pestë”, – shprehet në një emision televiziv një nga kryetarët e bashkive kryesore të Shqipërisë. Këto janë deklarata, që duhet të shqetësojnë gjithkënd, që ka disa koncepte bazike demokracie. Pushteti të pëlqen dhe të josh e këtë e ka treguar historia. Kur zotëron edhe forcën ekonomike, së bashku me forcën e kartonëve shndërron gjithçka në një pushtet personal dhe të stërzgjatur, me mandate pafund. Një nga problemet, që po ngrenë ekspertët edhe për reformën territoriale, është figura e pushtetarëve vendorë, të cilët rrëmbejnë mandate pa fund, pa limit, problem që nuk diskutohet kurrë nga politika e sotme. Çdo reformë degradon në imazh, jo në zgjidhje themelore të problemeve.
Përse format demokratike i vendosin afate pushtetit? Pushteti i stërzgjatur, është lehtësisht i korruptueshëm. Sa më gjatë, të qëndrosh në pushtet, aq më shumë fuqizohesh financiarisht. Forcimi i financave nënkupton një forcim të pushteti politik, duke fuqizuar në progresion njëra tjetrën. Pushteti ekonomik dhe pushteti politik janë komplementarë të njëri tjetrit, dhe përforcojnë njëri tjetrin. Demokracia është transformuar, në një arenë demash ekonomikë, të cilët gllabërojnë pushtetin politik, për të mos e lëshuar kurrë. Kjo është shumë e rrezikshme, sidomos kur mandatet janë të pakufizuara dhe kur kemi raste kryetarë bashkish, kryetarë komunash, me tre mandate dhe më shumë. Drejtuesi i emisionit ia vuri në dukje kryetarit të bashkisë, se ai ishte nga njerëzit më të pasur të atij qyteti. Shqipëria e ka të domosdoshme vendosjen e afateve strikte të pushtetarëve, të cilët po shndërrohen në oligarkë ekonomiko-politikë.
Për këtë arsye duhet të rikthehen ato forma klasike të demokracisë, ku politikani nuk ishte profesion fitimprurës. Arkondët, në format klasike të qeverisjes së shtetit në Greqinë e lashtë kryenin funksionin e tyre qeverisës vetëm një herë në vit, pa shpërblim. Rotacioni i shpeshtë shmang përfitimet, korrupsionin, gërryesin e shoqërisë.
Për të kuptuar evolucionin politik, demokratik, në një reminishencë historike shohim se të dy qytetërimet më të lashta, greke edhe romake, në fillesat e demokracisë apo në fillesat e pushtetit të republikës, pushtetarët nuk qëndronin në pushtet më shumë se një vit. Ishin format e stërzgjatura të pushtetit, që në Romë, në shekullin e gjashtë para erës së re, pasi u largua mbreti i fundit etrusk, për forma despotike pushteti, u vendos forma e re demokratike, republika. Në Romë, vendi drejtohej nga dy njerëz (magjistratët, konsujt), të cilët zgjidheshin një herë në vit. Pra, kemi një pushtet të kufizuar në kohë, vetëm në një vit; dhe të kufizuar në unipushtet, të drejtuar nga dy koka. Sipas kushtetutës, në Spartë, vendi drejtohej nga dy mbretër, por me pushtet të kufizuar nga asambleja e përgjithshme. Dy koka pushteti, jo vetëm shmangin pushtetin personal, por detyrimisht do të hysh në dialog, në marrëveshje, duke shmangur univendimmarrjen, autoritarizmin, thelbin e problemit, sot.
Në Athinë, kemi forma të habitshme demokratike, të zhdukura në botën moderne. Athina në shekullin e pestë p.e.s, njeh figura gjigande që hodhën themelet demokratike. Zgjedhjet e nëpunësve bëheshin me short, pa tarafe partiake dhe ryshfete. Jo më kot, i kthehem historisë për të kuptuar se, si i ruajmë rrënjët. Rrënjët janë ato, mbi të cilat çdo kulturë mbështetet, duke evoluar atë, më pas. Nëse kthehesh në retrospektivë dhe vëzhgon, se je shkëputur nga rrënjët, atëherë ke humbur identitet.
Pas shumë shekujsh na rezulton se kemi tejkaluar sistemin. Ajo që sot përbën problem është pushteti i kushtueshëm, apo çmimi shumë i lartë i tij. Në Shqipëri, një nga arsyet kryesore të artikuluara nga faktorë të ndryshëm, të jashtëm dhe të brendshëm, për të mbajtur në këmbë një qeveri dhe pushtet të kontestuar, është që zgjedhjet, kanë një kosto shumë të lartë. Biznesi hedh para shumë të madhe për përfaqësuesit e saj, që më pas do të favorizojnë bizneset e tyre. Në fakt, duhet të ishte krejt e kundërta. Me një logjike të thjeshtë matematikore, arsyeton se nëse, 26 shekuj më parë, zgjedhjet realizoheshin një herë në vit, përse ne, sot, të kondicionohemi kaq shumë nga pushteti ekonomik, që deformon rëndë format demokratike? “Po më pëlqen, gjithmonë e më shumë, pushteti”, – vazhdon me nota ironike, në intervistë, kryetari i bashkisë së qytetit X, duke treguar se ka ndërmend të qëndrojë gjatë në pushtet.
Themelet e demokracisë, në thelb, kishin rrotacionin e shpeshtë. Ekipet e stërzgjatura, e ka treguar koha që, janë të korruptueshëm. Këtë koncept, baballarët e demokracisë e kishin të qartë dhe e implementuan.
Krizat e mëdha sjellin edhe ndërgjegjësime të mëdha dhe sigurisht, ndryshimet e mëdha rrënjësore, kjo që nga antikiteti. Ndërgjegjësimet e mëdha kanë përmbysur dhe sistemet. Por, jo gjithmonë, revolucionet kanë sjellë evolucione. Në rrugëtimin e tyre të gjatë kanë lulëzuar këta “pushtet-gjatë-mbajtësit”, këta “pushtet-pëlqyesit” të cilët e kanë deformuar rëndë konceptin dhe funksionimin normal të formave demokratike. Sot ndërgjegjësimi nuk ka arritur të përmbysë sisteme. Ne, jemi në epokën, kur oligarkët politikë-ekonomikë abuzojnë me sistemet, apo i tejkalojnë sistemet.
Kjo po konsiderohet thelbi i krizave ekonomike dhe politike, që janë në një zinxhir, të lidhura me njëra tjetrën; tejkalimi sistemeve. Ekonomia globale vazhdon, të jetë në një krizë të rëndë, pikërisht, prej tejkalimeve të sistemit. Demokracia është në krizë prej tejkalimit të sistemit, tejkalim i kompetencave, të dhënë nga zgjedhësi, tejkalim i afateve “demokratike” apo thënë ndryshe, diktateve të oligarkëve ekonomikë, ose kapitalizmit autoritarist. Dhe ajo çka faktorë të ndryshëm po i tremben më së shumti, është pikërisht instalimi i një kapitalizmi autoritarist, në vend të një kapitalizmi demokratik. Sot, dëgjojmë se si kompani, dhunshëm ndyjnë ambientin që iu takon të gjithëve, bankierë që vazhdojnë, të shpëtohen me paratë e taksapaguesve, ndërmarrje me kushte të paimagjinueshëm, fëmijë, të cilët shfrytëzohen jashtë orareve.
Leon Tolstoi për të përshkruar Rusinë cariste u shpreh: “Ndërthurje e ligë, midis kamxhikut aziatik dhe bursës evropiane” ose thënë ndryshe autoritarizmit, dhe parasë. Ky vazhdon të jetë dhe koncepti i pushteteve sot, por me veshje “demokratike”. Demokracia reale mbetet e deformuar, jofunksionale. Ne po shohim që kapitalizmi demokratik po shkon në kah të ndryshëm, më shumë kapitalizëm dhe më pak demokraci.
Nuk janë më, alternativat që sjellin pushtetin politik, por pushteti dhe forca ekonomike, duke e tejkaluar, apo deformuar sistemin, në demokracinë e ekipeve, apo demokracinë e imazheve.
Por, gjithsesi, dëgjojmë disa kritika të vakëta të sistemit. Analistët merren me diskutime dytësore, me imazhet dhe sjelljet e individëve pushtetmbajtëse, duke krijuar idenë që, gjithsesi jemi brenda sistemit kapitalist demokratik, por që gjithçka rregullohet përmes mediave, hetimeve parlamentare, apo investigimeve të ndershme. Të mos harrojmë, që këta oligarkë ekonomiko-pushtetarë kanë arritur të depërtojnë edhe në investigimet më të ndershme, të mbështetur nga institucione të fuqishme, duke korruptuar edhe drejtuesit e tyre. (këtë e them me kompetenca të plota, pasi kam qenë pjesë e këtyre investigimeve, ku shumë shpesh të fuqishmit ndërhynin, për të zhdukur fakte tronditëse, të zbuluara nga investiguesit).
Sot, në epokën e internetit dhe të shërbimeve online, patjetër, që format klasike të zgjedhjeve në një vit, do të jenë të mundshme apo një normalitet. Ai kompjuteri i vogël do të forcojë individin, duke e bërë detyrimisht pjesëmarrës dhe kontrollues në vendimmarrje, për të shmangur oligarkët ekonomikë dhe kostot e zgjedhjeve politiko-ekonomike.




