Ilir Gjoçi, ish-drejtues i lartë i policisë i drejtohet publikisht Hitajt: NDALENI DHUNËN NDAJ TË RINJVE!
Nga Ilir Gjoçi/
SKËNDER HITAJ, TË LUTEM, MOS MA BËJ DJALIN ARMIK TIMIN!
Dje, djali im 16-vjeçar, Joni, ishte në protestë bashkë me shokët e tij.
Ju them me bindje të plotë se Joni e do Policinë. Ai është rritur me uniformën dhe me logon që unë kam mbajtur me krenari për shumë vite. Prandaj, është e pamendueshme për mua që ai të ngrejë dorën kundër një institucioni që e ka respektuar gjithmonë
Dje, për t’i shpëtuar gazit lotsjellës, Joni dhe disa shokë të tij ishin strehuar te Kisha Katolike. Në gjendje të rënduar psikologjike, ai më telefonoi dhe më tha se policia i kishte rrethuar dhe se nuk po arrinin të dilnin.
Si çdo baba, në ato momente mendova vetëm për djalin tim dhe për fëmijët që ishin me të. U nisa menjëherë dhe hyra vetë mes gazit lotsjellës për t’i nxjerrë prej andej, duke u përballur me një situatë të rëndë dhe me goditjet që, sipas asaj që pashë, po merrnin njerëzit që kalonin aty.
Zoti Skënder Hita, ajo që po ndodh me nxënësit, studentët dhe të rinjtë është e papranueshme!
Nëse digjet një godinë, ajo mund të rindërtohet. Por, nëse humbet një jetë njerëzore, ajo nuk kthehet më.
Po ju drejtohem si baba, por edhe si ish-koleg, si njeri që e ka veshur uniformën e Policisë dhe e di çfarë përgjegjësie mbart ajo.
Ju bëj thirrje: NDALENI DHUNËN NDAJ TË RINJVE!
Policia duhet të jetë garant i sigurisë së qytetarëve, veçanërisht i të miturve, dhe jo burim frike për ta.
Përballë jush nuk janë thjesht protestues, janë fëmijët tanë, janë e ardhmja e këtij vendi.
Skënder Hita, mos ma bëni djalin armik të uniformës që unë kam nderuar për kaq shumë vite!
Me respektin që kam për uniformën, por me dhimbjen dhe shqetësimin e një babai.




