Igli Cara: Një grusht njerëzish po rrëmbejnë vendin, shpopullimi është i frikshëm! Të zgjohet fryma e dhjetorit ’90

Igli Cara: Një grusht njerëzish po rrëmbejnë vendin, shpopullimi është i frikshëm! Të zgjohet fryma e dhjetorit ’90

Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, në një fjalim të mbajtur me rastin e 8 Dhjetorit, në foltoren e opozitës para kryeministrisë tha se sot në Shqipëri mbizotëron korrupsioni, klientelizmi dhe shpopullimi masiv. Duke evokuar lëvizjen studentore të vitit 1990, Cara theksoi se liria nuk është thjesht një dhuratë, por një thesar për të cilin duhet luftuar vazhdimisht.

Cara u ndal veçanërisht te rasti i zëvendëskryeministres.

” Ky është një rast unik në botë. Një zëvendëskryeministër e kapur në korrupsion vazhdon të jetë në detyrë,” deklaroi ai.

Deputeti Cara, theksoi se pasojat e kësaj qeverisjeje janë dramatike, ndërsa shpopullimi është i frikshëm”.

. “Sot, sipas Eurostatit, kemi 1.1 milionë qytetarë që janë larguar,” tha ai.

Në përfundim, Igli Cara bëri thirrje për veprim, duke u frymëzuar nga shpirti i Dhjetorit ’90. Ai theksoi se kjo frymë nuk duhet të jetë thjesht nostalgji, por një “thirrje për veprim”. Duke kërkuar bashkimin e qytetarëve, ai u shpreh se ka ardhur koha “për të shporrur njëherë e mirë Ramën e këtë farë të keqe rilindase që është në pushtet”, duke shprehur besimin se “e drejta do të fitojë”.

Fjala e deputetit Cara

Të nderuar profesor doktor Sali Berisha.

Të dashur demokratë, të dashur qytetarë të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.

Sot në fakt është një ditë e veçantë. Është 8 dhjetori. Është data që përjetësoi lëvizjen e studentëve të dhjetorit ’90. Si një nga kulmet më të ndritura, por atë ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare në dekadat e fundit.

Është dita kur guximi i rinisë dhe etja e saj për liri kapërcyen hijet e frikës, duke sfiduar një epokë të gjatë izolimi dhe represioni. Fati e desh të jem pjesë e asaj lëvizje. E çdo përvjetor më rikujton se ndryshimet e mëdha nuk lindin kurrë rastësisht.

Ato lindin kur qytetarët marrin përgjegjësitë për fatin e vendit të tyre, kur e kuptojnë se liria nuk është një dhuratë, por një thesar për të cilin duhet luftuar.

Shoqëria ecën përpara vetëm atëherë kur rinia ka hapësirën, guximin dhe ëndrrën për të ndërtuar të ardhmen sipas vizionit dhe potencialit të vet.

Kujtesa historike mbetet themeli i domosdoshëm mbi të cilin ngrihet një e ardhme më e drejtë dhe më humane. Liria nuk është thjesht dhe vetëm një e drejtë apo dhuratë për të folur. Liria mbi të gjitha është një mundësi, një mundësi për të ardhmen. Por, mbi të gjitha kjo kërkon dhe angazhim maksimal.

Reflektimi mbi të shkuarën totalitare është i domosdoshëm për të kuptuar peshën e të drejtave që gëzojmë sot dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet.

Ndryshimi i dhjetorit ’90 u bë i mundur sepse të rinjtë e asaj kohe vepruan së bashku. Nga auditoret te sheshet, duke mposhtur frikën, duke thyer izolimin dhe duke ringjallur shpresën.

Me këtë rast dua të bëj një përshëndetje të veçantë për të gjithë studentët e dhjetorit të vitit ’90 dhe në mënyrë të veçantë për liderin e asaj periudhe, Azem Hajdarin.

Dhe sot, 8 dhjetori është një ditë reflektimi shoqëror, një kujtesë se rinia duhet të ketë një rol më të madh në jetën publike, më shumë mundësi për të vepruar, më shumë hapësirë për të ndërtuar ëndrrën e saj. Sot me të drejtë të gjithë kudo bëjnë pyetjen, a jemi vërtetë të lirë? A jemi të lirë kur tregu sundohet nga miqtë e Ramës? A jemi të lirë kur pushteti ekonomik u jep privilegje vetëm një grushti njerëzish afër Ramës? A jemi të lirë ku vota blihet? Kur administrata kërcënohet? Kur bandat bëjnë ligjin? A jemi të lirë ku media bëhet palë me pushtetin? Me njëherë me dëshirë dhe njëherë me kërbaç. A mundet të flasim për liri kur korrupsioni ka arritur në nivele marramendëse dhe kur ministra, zëvendësministra, drejtorë, kryetarë bashkish janë dënuar apo janë në radhë kandidatë për burg. A mund të flasim për liri kur me dosjen McGonigal vazhdon dhe zëvendëskryeministre e këtij vendit që mbrohet nga zoti Rama dhe ky është një rast unik në botë. Një zëvendëskryeministër e kapur në korrupsion vazhdon të jetë në detyrë. Korrupsioni miqtë e mi nuk është gabim njerëzor, jo. Korrupsioni është dhunë. është dhunë ndaj të drejtës, dhunë ndaj mirëqënies, dhunë ndaj shpresës, dhunë ndaj mundësive, dhunë ndaj çdo qytetari që përpiqet të ndërtojë jetën e tij. A e shohim ne të gjithë këtë realitet? Absolutisht që po. A jemi në gjendje të kuptojmë që çdo marrëveshje e fshehtë, çdo favor politik me pasuritë kombëtare dhe fondet publike në thelb është një goditje ndaj shqiptarëve dhe ndaj së ardhmes. Po çfarë është në fund kombi, Shqipëria? Janë pikërisht tokat, pasuritë kombëtare, familja, banorët. A janë këto elementë sot të goditur rëndë nga ky i ashtuquajtur kryeministër dhe banda e tij? A janë pronat publike që po i jepen miqve të Ramës dhe arriti kulmin me portin me asetin më të madh publik që ka Shqipëria, me portin e Durrësit. Po çfarë ka sjellë kjo në fund të fare? Ka sjellë pikërisht atë shpopullimin e frikshëm. Sepse sot sipas Eurostatit kemi 1.1 milionë qytetarë që janë larguar. Fshatra e komuna që ekzistojnë në letër, sepse nuk ka më njerëz. Kapitali më i rëndësishëm që është kapitali njerëzor, sot është 40% më pak. Emigrimi nuk ka pse të jetë fati i pashmangshëm i fëmijëve tanë.

Emigrimi është pasojë e padrejtësive, e mungesës së mundësive. Është pasojë e një sistemi që nuk shpërblen më të mirin, talentin dhe punën e ndershme. Dhe me të drejtë të gjithë janë të shqetësuar dhe për goditjen e fundit që i dhanë dhe familjes me ligjin e barazisë gjinore.

Goditën pikërisht atë qelizë, qelizën më të rëndësishme të shoqërisë, që është familja. Të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë, liria nuk është vetëm një fjalë, por është një mundësi për të vepruar, për të ndërtuar të ardhmen tonë pa pengesa.

Fryma e dhjetorit ’90 nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm nostalgji, por është dhe duhet të jetë thirrje për veprim. Koha nuk pret. Shpresa, guximi, drejtësia duhet të triumfojnë dhe ne duhet të tregojmë që jemi të gatshëm për të qëndruar krah tyre. Sepse një shoqëri që nuk e bën këtë, do të jetë gjithnjë e më shumë pa liri dhe qytetarët pa drejtësi.

Sot, si atëherë, liria kërkon që të jemi të gjithë bashkë për të shporrur njëherë e mirë Ramën e këtë farë të keqe rilindase që është në pushtet. Kini besim miq, ne do të fitojmë, e drejta do të fitojë.

 

Një grusht njerëzish po rrëmbejnë vendin, Fryma e dhjetorit ’90 nuk duhet të jetë vetëm nostalgji

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news