Çështja çame shkaktoi përplasje mes kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në Kuvend. Idrizi i kërkoi Ministrisë së Jashtme të bëjë notë proteste në lidhje me përdorimin e termit Vorio-Epir nga Ministria e Jashtme greke, por kryediplomati tha se një notë e tillë nuk do dërgohet, pasi nuk i shërben raporteve mes dy vendeve. “Dy ditë më parë Ministrja e Jashtme greke zhvilloi një konferencë shkencore për çështjen çame dhe marrëdhëniet shqiptaro- greke. U fol dhe për të ashtuquajturën irredentizëm shqiptar për qëndrimin historik grek kundër për çështjen çame dhe për të ashtuquajturën Vorio Epir. Fqinjët tanë vazhdojnë të jenë tejet seriozë në shovinizmin e tyre ani se kush është në pushte. Kjo histori rrëfen se shtetit shqiptar nuk është në lartësinë e duhur”, tha ai. Sipas Idrizit më e turpshme është fakti që në konfeencën e Greqisë ka marrë pjesë edhe një diplomat shqiptar. “Po ky zyrtari çfarë po bënte aty? Qëndroi si i ftuar që e rrahin dhe kënaqet me ndjenjat mazokiste apo akoma më keq e ndjen veten në një ndërthurje të çuditshme që duhet ti shërbejë interesit të shtetit tjetër dhe jo atij që përfaqëson”. Në replikën e tij ministri i Jashtëm tha se zyrtarisht Greqia është partner strategjik për Shqipërinë siç është Shqipëria partner strategjik për të. “Më habit shqetësimi për konferencën që nuk ka qenë as e para dhe as e fundit. Në këtë konferencë, nga informacionet që kemi, por dhe diplomatët tanë atje, që kanë pikëpamje të ndryshme si adresohet problematika mes Shqipërisë e Greqisë por është normale në një ambient akademik. Nuk mund të bëjmë notë proteste, dhe nuk kam ndërmend të bëj notë proteste as notë verbale me gjithë respektin për ju dhe kauzën që përfaqësoni në këtë vend. Greqia nuk na ka kushtëzuar në asnjë çështje dhe në asnjë moment nuk na ka detyruar të marrim veprime të caktuara”, theksoi ai.




