Artan Cena
Banda e Lazaratit mendohet se drejtohet nga Arbion Aliko dhe vëllai i Alban Aliko. Këta të dy janë përfolur për afërsinë me ekstremistët e ISIS por banorët e Lazaratit tregojnë se e njohin si një aventurier më shumë se sa një njeri të lidhur me fenë. Policia deri më tani i ka servirur publikut faktin se në Lazarat ka ekzistuar një bandë-një pjesë e së cilës deri më tani ka përfunduar në pranga, edhe si të vetëdorëzuar – por ende nuk është mësuar se kush është koka e kësaj bande. Thuhet se ai mund te jete Arbion Aliko, 20 vjeç. Vetëm 3 muaj më parë, ai u përfshi në një incident me policinë në Lazarat. Ishte pikërisht ky momenti kur mediat publikuan foto të tij në FB, ku ai i bënte temenara ISIS-it. Në Lazarat, Arbion Aliko njihet si ndër personat më problematikë, me një karakter të vështirë, duke krijuar gjithmonë probleme. Raportet e tij me besimin nuk kanë qenë asnjëherë të konsoliduara; dhe më tepër se si besimtar, ai trajtohet si një aventurier.
Kush është Aliko
Arbion Aliko është përfshirë rregullisht, në kultivim e shpërndarje lëndësh narkotike, e po ashtu dhe në vepra të tjera penale. Gëzon autoritet ndër moshatarë dhe me disa syresh ka arritur të përbëjë një grup, që tashmë janë bërë sfidë për shtetin. Ajo që po mban të habitur banorë të shumtë të Lazaratit, është lënia e tij që të lëvizë pa asnjë problem, ndërkohë që është person në kërkim. Gjatë këtyre tre muajve, që prej incidentit të marsit, Arbion Aliko eshte pare të shkoje edhe ne Gjirokaster, pa llogaritur faktin se në Lazarat e rrethina ai ka bërë një jetë në liri të plotë. Banorët thonë se ditën e zgjedhjeve ka shkuar nga njëra qendër votimi në tjetrën, pa asnjë drojë ndaj shtetit, nga fakti se është person në kërkim. Banorë e Lazaratit nuk kuptojnë se si ka mundësi që policia nuk ka mundur ta kapë, Arbion Alikon? Sipas tyre, edhe publikimet e fotove të ISIS-it, që ai, apo persona të tjerë qe tashme janë shpallur si te dyshuar te sulmit te mëngjesit te 24 qershorit, nuk kanë të bëjnë me besimin e tyre fetar, por me zellin e tyre të sëmurë prej aventurierësh.
Akuzat ndaj Xhulianos
Adoleshenti Xhuljano Malo, i cili u arrestua nga policia e Gjirokastrës me një arsenal armësh në fshatin Lazarat, do të hetohet për trafik droge dhe armësh. Dy ditë pas ngjarjes në fshatin jugor, prokurorë të Krimeve të Rënda kanë ngritur dyshimet se 17-vjeçari nga Tepelena, kryente prej kohësh tregti armësh dhe kokaine. Ai u ndalua nga policia e Gjirokastrës gjatë operacionit për kapjen e disa personave që qëlluan mbi policinë. Xhuljano Malo po drejtonte një mjet tip Benz, pa targa, por të mbushur me një arsenal armësh, si kallashnikov, pushkë model 63 dhe 56, një thes me fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër kallëpe tritoli, 2 radiomarrëse për distancë deri ne 5 km, kokainë dhe celularë. Patrulla e policisë ku humbi jetën efektivi i RENEA-s, u qëllua me breshëri armësh në momentin që ishin nisur drejt vendit ku ndodhej makina e 17-vjeçarit. Nga deklarimet e dy punonjësve të policisë që mbeten të plagosur, është mësuar se ata janë qëlluar nga një distancë 20 metra me breshëri kallashnikovi.
Aksioni në Lazarat
Prej 3 ditësh në Lazarat kishte nisur nje operacion për kontrollin e shumë banesave, ku policia dyshonte se fshiheshin persona me kontingjent penal. Prokurorët thanë se nuk kanë prova dhe fakte për ta lidhur grupin e zjarrit me grupe islamike. Ata po hetojnë për një grup të strukturuar kriminal si dhe vrasje të punonjësit të policisë. Në cilësinë e provës janë marrë armë dhe gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes. Provat shkencore dhe akt ekspertimet balistike do të vërtetojnë nëse këto armë janë përdorur në ngjarje të tjera. Arbjon Aliko, i pandehuri në mungesë i dosjes së parë të Lazaratit, mundi ti shpëtojë arrestimit të policisë një vit më parë. Ai po gjykohet në mungesë nga Krimet e Rënda, ndërsa për prokurorët ai është personi kryesor i sulmit të fundit me armë.
Avokati: Vëllezërit Aliko nuk dorëzohen, nuk i besojnë policisë
Avokati i dy vëllezërve të shpallur në kërkim Arbion dhe Alban Aliko ka thënë se dy djemtë nuk dorëzohen sepse i quajnë akuzat të padrejta, ndërsa nuk kanë besim as tek policia. Avokati ka folur në emër të familjes Aliko. “Prej dy muajsh babai i djemve 17 dhe tjetri 20 vjeç që prej një viti janë në kërkim nga policia është përpjekur të negociojë dhe ti bindë ata të vetëdorëzohën. Por dy vëllezërit nuk pranojnë duke i quajtur të padrejta akuzat e duke u shprehur se nuk kanë besim tek policia”. Adil Aliko kërkon të shpjegojë pozicionin e djemve të tij të cilët thonë se nuk janë të përfshirë në ngjarje dhe janë të pafajshëm. “Madje ata janë besimtare dhe po mbajnë Ramazan dhe nuk kanë prekur armë me dorë. Ata këmbëngulin se nuk do dorëzohen pavarësisht lutjeve të të atit pasi distancohen nga ngjarjet për të cilat akuzohen dhe thonë se koha do ta vërtetojë se nuk kanë gisht nga akuzat e ngritura nga policia”, ka thënë avokati i familjes Aliko.
Edhe dy të tjerë arrestohen në Lazarat
Forcat RENEA dhe ato të FNSH po vijojnë operacionin në Lazarat duke ushtruar kontroll të imtësishëm në çdo banesë të fshatit me qëllim kapjen e personave të përfshirë në sulmin me armë ndaj policisë një ditë me parë që lanë të vrarë një efektiv të RENEA dhe plagosën 2 të tjerë. Mbrëmjen e djeshme u shoqëruan dy persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në sulmin me armë ndaj policisë. Ata janë Klodian Selimi dhe Aleksandër Basha të cilit u kapën gjatë kontrollit nëpër banesa. Policia rrethoi një shkollë 9-vjeçare pasi kishte informacione se brenda saj gjendeshin persona të armatosur, por nga kontrolli i ushtruar nga forcat RENEA dhe të FNSH brenda ambienteve të shkollës nuk u gjet asgjë e dyshimtë. Policia bën me dije se pavarësisht errësirës operacioni për kapjen e autorëve të dyshuar të vrasjes së efektivit të RENEA, vëllezërve Arbion dhe Alban Aliko do vazhdojë gjatë gjithë natës.
I jepet lamtumira e fundit Ibrahim Bashës, Rama: Hero në kohë paqeje
Ibrahim Basha u nda nga jeta me shpresën e një Shqipërie tjetër, një Shqipërie pa krim dhe në paqe. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit ishin aty të përlotur, të afërmit, miqtë, shokët e armës të repartit special RENEA, kolegë të Policisë së Shtetit, ambasadorë, anëtarë të kabinetit qeveritar, si dhe personalitetet më të larta shtetërore, Edi Rama dhe Ilir Meta. Në mungesë të kryetarit Lulzim Basha, që ndodhet në Bruksel, PD ishte përfaqësuar nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, deputetët Arben Ristani e Flamur Noka dhe deputeti Edi Paloka, ndërsa nga Bashkia nënkryetarët Nevila Xhindi dhe Eno Bozdo. Kryeministri Edi Rama tha se, i gjithë kombi i është mirënjohës Ibrahim Bashës. “E ardhmja dhe ëndrrat e tij kanë mbaruar, sepse jeta e tij ndaloi për shkak të detyrës. Por pikërisht kjo e vërtetë e papranueshme, na solli ne të gjithëve këtu për të përcjellë me nderime, jo njeriun që nuk njihnim, por të gjithë ata që janë gati të vdesin bashkë me të ardhmen dhe ëndrrat e tyre për paqen dhe sigurinë e të gjitha familjeve tona. Ibrahim Basha është sot të gjithë ata së bashku. Duke nderuar këtë njeri, me të cilin neve nuk na lidhte personalisht asgjë, ne nuk përulemi përpara një personi të vdekur, por përpara një simboli të sakrificës”, – u shpreh kryeministri Edi Rama. Kryetari i Parlamentit tha se, Ibrahim Basha e kreu detyrën e tij, ndërsa tani është radha e shtetit të bëjë detyrën, ndërsa ministri i Brendshëm tha se kriminelët do të kapen së shpejti. “Na kanë vrarë të gjithëve nga pak, miku ynë. Ajo dorë ka goditur shtetin, ligjin, është ngritur kundër shoqërisë dhe kundër çdo shqiptari të ndershëm. Këtë e di familja jote, e dinë miqtë e tu, e dinë kolegët e tu në Policinë e Shtetit, që edhe tani janë në Lazarat për të vazhduar punën tënde”, – u shpreh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ambasadori amerikan Donald Lu tha se nderon detyrën e tij në Afganistan dhe Irak. “Ne nderojmë gjithashtu shërbimin e tij për çështjet e paqes në Afganistan dhe në Irak. Vrasja e oficerit të RENEA-s në Lazarat ishte një tragjedi kombëtare”, deklaroi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu.




