Një burrë dhe një grua janë vënë në pranga nga policia gjatë ditës së djeshme, pasi kanë tentuar që të trafikojnë një vajzë 23-vjeçare në drejtim të Italisë, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Specialistët e Sektorit kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Elbasan, bënë arrestimin në flagrancë të Shkëlqim Sharra, 55 vjeç, banues në Cërrik, i dënuar më parë me 12 vjet burg për veprën penale të vrasjes. Ky person është vënë në pranga nga efektivat e policisë, pasi gjatë periudhës dhjetor 2014-janar 2015, në bashkëpunim me shtetasen F. P., 34 vjeçe, banuese në Gramsh, kanë tentuar të trafikojnë dhe shfrytëzojnë për prostitucion në Itali shtetasen B. B., vjeçe 23, banuese në Cërrik. Gjithashtu këta dy persona kanë tentuar t’i japin ryshfet punonjëses së policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës për ta kaluar 23-vjeçaren jashtë shtetit. Pas arrestimit dosja i ka kaluar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprat penale “Trafikimi i personave e kryer në bashkëpunim me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit” dhe “Korrupsioni aktiv I personave që ushtrojnë funksione publike”.





