I dënuar me burgim përjetë/ Vrau nënë e bijë 13 vite më parë, ekstradohet nga SHBA-ja Marjan Rroku

Sonja Caka

 

Ish-punonjësi i SHIK-ut nuk pranonte ndarjen nga vajza, dhunoi atë dhe familjarët e saj dhe më pas e vrau në mes të rrugës, bashkë me nënën

 

 

marjan rrokuEkstradohet 13 vjet pas krimit të dyfishtë që tronditi kryeqytetin Marjan Rroku, i riu nga Shkodra që për motive xhelozie vrau të dashurën dhe nënën e saj. Ish-punonjësi i SHIK-ut në atë kohë, aktualisht 40 vjeç, qëlloi me armë zjarri ndaj dy femrave pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, ndërsa vetë mundi t’i shmanget arrestimit dhe gjykimit për 13 vite, duke u strehuar në SHBA, ku dhe u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare. Ky shtetas ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendim të datës 2.5.2002, e ka dënuar shtetasin Marjan Rroku, me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje në rrethana cilësuese”, parashikuar nga Kodi Penal. Ky ekstradim u bë i mundur falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Uashingtonin, ku më datën 8.9.2010, në SHBA u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

Vendimi

 Trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Medi Bici e dënoi me “Burgim përjetë” të riun Marjan Rroku, i cili akuzohej për vrasje të dyfishtë të nënë e bijë, Mbarime Alda Canaj. Sipas vendimit të gjykatës, vajza ishte studente në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja kur së bashku me motrën janë njohur dhe kanë nisur të frekuentohen me të pandehurin Rroku, në atë kohë oficer në strukturat e SHIK dhe dy kolegë të tij të profesionit. Miqësia mes të pandehurit dhe vajzës u thellua edhe më tepër pas mbërritjes nga pushimet të viktimës. Por, ndërsa mes tyre thellohej lidhja, nisën edhe shenjat e xhelozisë të Marjanit ndaj të dashurës, saqë një herë e ka rrahur kur ajo kishte shkuar në dhomën e tij në qytetin “Studenti”. Sipas vendimit të gjykatës, në muajin nëntor të vitit 2000, i pandehuri e kishte rrahuar aq shumë viktimën, saqë i kishte shkaktuar edhe dëmtime në fytyrë. Vajza, pasi është konsultuar me të motrën ka bërë kallëzim penal në polici, për ta tërhequr disa ditë më vonë. Për ngjarjen e ndodhur, motra ka vënë në dijeni edhe prindërit e saj në Mallakastër, duke detyruar babanë e viktimës t’i drejtohet kreut të SHIK në atë kohë për të pandehurin. Drejtuesi i SHIK për Tiranën ka vënë një punonjëse të merret me këtë çështje. Pasi ka kontaktuar me motrat Canaj dhe të pandehurin, është marrë premtimi se vajzat nuk do shqetësoheshin më nga oficeri i SHIK. Por, pavarësisht çfarë kishte premtuar, i pandehuri Rroku do e thyente atë duke bërë sherr të madh në shkollën e vajzës, ku i kërkonte dezhurnit të takonte ish-të dashurën kundër dëshirës së saj. Për shkak të përmasave që mori ngjarja, i pandehuri shkon në fshatin ku banonin prindërit e saj dhe u kërkon të falur duke premtuar se nuk do përsëriten më. Për shkak të situatës së krijuar, familja e vajzës ikën nga fshati dhe vjen në Tiranë në një shtëpi me qira, derisa vajza të mbaronte shkollën. E ëma, Mbarimja shoqëronte çdo ditë vajzat për në shkollë, duke i çuar dhe marrë kur mbaronin mësimin. Situatat kanë vazhduar dhe ish-oficeri i SHIK ka vijuar tentativat për të takuar vajzën, duke ndaluar të ëmën në rrugë apo dhe duke u rrahur me të atin. Edhe dy ditë para ngjarjes ka vijuar e njëjta situatë, ku Marjan Rroku ndalon gruan në mes të rrugës duke i kërkuar të takojë vajzën e saj. Kjo e fundit refuzon duke i thënë se i shoqi do vijë nga Mallakastra dhe të takohet me të.

 

Krimi

 Marjan Rroku, sipas vendimit të gjykatës, më datë 29.3.2001, rreth orës 13:30, në Tiranë, para pallatit të sportit “Asllan Rusi”, ka vrarë me armë zjarri Mbarime dhe Alda Canaj, nënë e bijë, pas kthimit të tyre nga shkolla “Asim Vokshi”. Më herët, vajza ka takuar të motrën studente duke i thënë se kishte parë Marjanin atë ditë para godinës së shkollës. Vajza i ka thënë të motrës se nuk ndihej mirë dhe po priste të ëmën për t’u kthyer në shtëpi. Ndërkohë që pas ngjarjes u mësua se vajza i ka dërguar edhe një letër Marjan Rrokut që priste para hekurave të shkollës, ku i thoshte se nuk e shikonte dot me sy. Ndërkohë që, po atë ditë mësohet se Rroku kishte marrë lejen e zakonshme dhe kishte shkuar në punë vetëm për gjysmë ore. Rreth orës 13:30, ndërsa dy viktimat po i afroheshin banesës ku rrinin me qira, Marjan Rroku u ka dalë para dhe i ka ekzekutuar të dyja duke i qëlluar shtatë herë me pistoletën personale të tipit “TT”. Për pasojë, nënë e bijë humbin jetën në vend, ndërsa Rroku u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes për t’u prangosur vetëm 4 vite më parë në Amerikë.

 

Gjirokastër

Kapet banda e falsifikimit të eurove, katër në pranga

 Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një grup falsifikatorësh, të cilët hidhnin në treg euro false. Operacion i koduar “Falsifikatorët” u zhvillua dje ndërsa mësohet se grupi ushtronte veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të Euro-ve me prerje 20-she, të cilat i hidhnin për qarkullim në treg. Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1.700 euro prerje 20-she, të falsifikuara. Pas një pune disa javore dhe mbi bazën e informacioneve të grumbulluara se disa shtetas nga Tepelena dhe nga Fieri po ushtronin veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të monedhave, strukturat e sektorit të policisë organizuan operacionin dhe vunë në pranga 40-vjeçarin nga Fieri Shpëtim Hilaj; 28-vjeçarin nga Tepelena Riza Tafili; 23-vjeçarin po nga Tepelena Kleant Qeriza; si dhe 21-vjeçari po nga Tepelena Aldo Pata, ky i fundit i dënuar më parë për vjedhje. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin ushtronin veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të monedhave, duke falsifikuar euro prerje 20-she dhe më pas i hidhnin në qarkullim në qytete të ndryshme. Ata janë kapur në hyrje të qytetit të Gjirokastrës ndërsa në automjetin e tyre, poshtë sediljes së shoferit u gjetën 1.680 euro prerje 20-she, me një numër serie. Gjithashtu, 20 euro po me të njëjtin numër serie iu gjetën në xhep shtetasit Shpëtim Hilaj. Sasia e eurove dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrjetit të falsifikimit të Eurove. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme”.

 

Share it :