Hetimi i prokurorisë/ Falsifikimi i pronave në Vlorë, pranga ish-punonjëses së Hipotekës dhe noterit

 Artan Cena

arrestimNë gjyq Odeta Harizaj, ish-juriste në Hipotekën e këtij qyteti, dhe Krenar Tartaraj, të akuzuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”

Ish-punonjësja e Hipotekës në Vlorë në bashkëpunim me një noter kishin blerë, shitur dhe rishitur një pronë që nuk ishte fare e tyre, por kishin përdorur emra fiktivë që nuk ekzistonin. Prokuroria e Vlorës dërgon për gjykim shtetasit Odeta Harizaj, ish-juriste në Hipotekën (ZVRPP) e këtij qyteti dhe shtetasin Krenar Tartaraj, të akuzuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale” që lidhet me tjetërsimin e një prone publike me sipërfaqe 2500 m2 në lagjen “1 Maji” të Vlorës dhe më pas ua kanë shitur disa personave të tjerë në vlerën e 22.5 milionë lekëve të reja. Hetimi i Prokurorisë së Vlorës, i cili ka nisur në bazë të kallëzimit të një qytetari, ka arritur të provojë se në bazë të një serie të gjatë dokumentesh të falsifikuara, ish-juristja e ZVRPP-së e ka regjistruar këtë pronë në vitin 2002 në emër të dy persona, të cilët nuk janë realë. Më pas, këta dy persona që nuk ekzistojnë, ia kanë shitur pronën për 1.5 milionë lekë të reja kunatit (burrit të motrës së juristes). Nga hetimi, rezultoi se kunati i të pandehurës Odeta Harizaj nuk kishte dijeni për dokumentin e shit-blerjes dhe kjo u vërtetua edhe nga fakti se në kontratën fiktive nuk kishte nënshkruar ai në krah të emrit të tij, por kishte nënshkruar e pandehura Odeta.

 

Shitja e pronës

Në vijim, po në bazë të dokumenteve të falsifikuara, kjo pronë u është shitur dy personave nga Delvina, të cilët gjithashtu nuk kishin asnjë dijeni se emri i tyre ishte i përfshirë në një transaksion të tillë në Vlorë. Rezulton se, po në bazë të dokumenteve të falsifikuar, në vitin 2011, këta dy persona nga Delvina kanë caktuar si përfaqësues të tyre për shitjen e kësaj prone shtetasin Krenar Tartaraj, nëpërmjet një prokure të përgjithshme. Edhe në këtë rast, rezultoi se prokura në emër të Krenar Tartaraj ishte e falsifikuar, nisur nga ekspertiza e firmave, si edhe nga fakti fillestar që dy personat nga Delvina nuk ishin përfshirë në një veprim të tillë juridik dhe, aq më tepër të ishin pronarë dhe të shisnin këtë pronë në Vlorë. Po ashtu, rezulton se Tartaraj është mik i familjes së të pandehurës Odeta Harizaj. Gjithësesi, nga hetimi rezulton se Krenar Tartaraj, në cilësinë e përfaqësuesit të personave nga Delvina, ua ka shitur këtë pronë dy personave të tjerë, në shumën 22.5 milionë lekë, të cilat, sipas kontratës, u janë dhënë jashtë zyrës noteriale dy shtetasve nga Delvina.

Në të vërtetë, këto para, të paktën dy këste me nga 7 milionë lekë të reja secili, i janë dhënë shtetases Odetar Harizaj. Blerësit e fundit të kësaj prone, në vitin 2011 aplikuan për marrjen e lejes për shesh ndërtimi dhe ndërtimin e një objekti 6-8 kate. Kjo leje është revokuar në vitin 2013 nga ana e Bashkisë së Vlorës, në kuadër të një hetimi që kishte filluar Prokuroria e Vlorës në atë kohë për një numër të madh lejesh ndërtimi, për të cilat kishte dyshime se ishin përfituar në bazë të dokumenteve të falsifikuar. Për një pjesë të atyre lejeve, Prokuroria e Vlorës ka dërguar në gjykim disa raste. Sa i përket pronës, për të cilën janë marrë të pandehur shtetasit Odeta Harizaj dhe Krenar Tartaraj, me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, gjykata ka miratuar sekuestron preventive në muajin Mars 2015.

 

Dyshohej në Gjermani për shpërndarje pornografie, kapet

 Një person i dyshuar për pedofili dhe që mbante në kompjuterin e tij materiale pornografike, si foto dhe video me të mitur, të moshës nga 4-14 vjeç u arrestua nga Zyra e hetimit të Krimeve Kibernetike në Policinë e Tiranës, pas një hetimi disa mujor. Enkel Vela, 31 vjeç specialist IT-je, në një bankë të nivelit të dytë bë vend, u ndalua pas disa hetimeve me metoda speciale të kryera nga prokuroria dhe policia. Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit, ndërsa kthehej nga Athina ku ishte dërguar nga banka ku punonte për një trajnim dy javor për çështjet e programimit të bankave. Velaj, dyshohet se nga viti 2007, ka shkarkuar dhe mbajtur në kompjuterin e tij desktop, materiale pornografike me përmbajte si foto dhe video me fëmijë të mitur nga 4-14 vjeç. Sipas burimeve të policisë videot janë shkarkuar nga rrjete pornografie, nëpërmjet programeve të posaçme.

 

Familjet e Marinzës ankohen: Bankers ka bërë dëmshpërblime të padrejta

Familjet që u dëmtuan nga shpërthimi në Marinëz i konsiderojnë kompensimet e Bankers Petroleum qesharake. Sipas tyre formularët e vlerësimit nuk korrespondojnë me gjendjen faktike. Nga ndotja e ajrit banorët ankohen se edhe fëmijët e tyre kanë probleme shëndetësore. Shtëpia që i kushtoi qindra milionë lekë pësoi dëme të pariparueshme në kolonat mbajtëse ndërsa Bankers e vlerësoi vetëm 200 mijë lekë. Por kjo familje po përballet edhe me pasojat shëndetësore tek fëmijët për ndotjen e ajrit. Nesti Nushi tregon me fakte se si Bankers ka përpiluar raport fiktiv për banesën e tij duke përfshirë madje edhe një pus që nuk ekziston. Pas shpërthimit tokat kanë mbetur djerrë. Eduart Azizaj nxirrte të ardhura nga shërbimet që ofronte me këtë traktor, por dy muaj pas shpërthimit edhe puna e tij mori fund.

Kompensimi i dëmeve në Marinëz pas shpërthimit të fontanës së gazit u krye ne mungesë transparence. Bankers nuk e publikoi asnjëherë vlerën totale të kompensimit ndaj familjeve të prekura. Nga ana tjetër gjysma e fshatit me afro 100 familje nuk e përfitoi të drejtën për kompensim edhe pse dëmet janë në të njëjtat përmasa me ato të së ashtuquajturës zonës së rrezikut. Banorët kërcënojnë me protesta dhe bllokim rrugësh për të kërkuar nga Bankers trajtimin që meritojnë.

 

​Policia asgjëson 4 mijë rrënjë bimë narkotike në Krujë dhe Pukë

Gjatë operacioneve antikanabis për evidentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike të mbjella, gjatë ditës së djeshme është goditur një rast i kultivimit të bimëve narkotike në Krujë dhe një tjetër Pukë. Nga një kontroll i ushtruar në vendin e quajtur fshati Shelqet në Krujë, një person u kap duke kultivuar 3541 bimë narkotike. Policia vuri në pranga Shaqir Kroji, 55 vjeç. Ndërsa në fshatin Vig Mnelë, në Pukë, në vendin e quajtur Pylli i Tanushajve, janë gjetur të kultivuara dhe janë asgjësuar një parcelë me 370 rrënjë bimë narkotike.

 

Share it :