Sonila Mesareja
Fushë Krujë, shpërthimi pas arrestimit të katër të rinjve. Pas një muaji hetimi dhe përgjimi, poseduesit e tritolit u futën në kurth nga një agjent i infiltruar
Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte të paktën 1 muaj që po hetonte trafikun e lëndëve plasëse në zonën e Krujës. Për të arritur te shitësit e tritolit, në bashkëpunim edhe me policinë, Prokuroria infiltroi një agjent të fshehtë për t’u ofruar si blerës i një sasie prej afro 30 kg lëndë eksplozive. Në këtë mënyrë, Krimet e Rënda arritën t’u afrohen katër trafikantëve të lëndëve plasëse, të cilët ranë në pranga në orët e para të mëngjesit të dy ditëve më parë, në kuadër të operacionit të koduar “Detonatori”. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda bëjnë me dije se ka qenë një agjent policie i infiltruar dhe me detyrën e porositësit që bëri të mundur arrestimin e 4 personave në Fushë Krujë, të cilët u kapën me 100 kallëpe tritoli. Prej gati një muaji prokuroria e krimeve të rënda ndiqte grupin e përbërë nga Dorjan Picori, Saimir Ajazi, Enis Mullaj dhe Redi Ndreu, të katërt nga Kruja të cilët filmoheshin dhe përgjoheshin nga policia. Burime pranë organit të akuzës bënë me dije se synimi ishte që personat të kapeshin në flagrancë pas porosisë nga agjenti i infiltruar, ndërsa pas arrestimit dy persona të tjerë u shpallën në kërkim. Sipas prokurorisë, nga hetimet e para rezulton se shpërthimi në rajonin e policisë ndodhi pak minuta pas arrestimit të të rinjve nga Kruja. Fillimisht u dyshua se grupi mund të kishte lidhje me vendosjen e tritolit në komisariat por pas marrjes në pyetje rezultoi se të arrestuarit nuk janë të përfshirë në atë ngjarje. E njëjta metodë e infiltrimit të agjentëve të fshehtë të policisë u bë dhe në rastin e tregtarëve të minave me telekomandë në Shkodër.
Operacioni
Në kuadër të operacionit të koduar “Detonatori”, i cili u finalizua mëngjesin e dy ditëve më parë, rreth orës 05:00, policia bëri të mundur arrestimin e 3 personave, fillimisht Dorjan Picorri, 28 vjeç, Saimir Ajazi, 34 vjeç, si dhe Redi Ndreu 30 vjeç, të tre nga Kruja. Disa orë më pas, është arrestuar edhe personi i katërt i dyshuar për shpërthimin e tretë në rajonin e policisë së Fushë-Krujës. Enis Mullai, 31 vjeç, edhe ky nga Kruja, i cili u gjet i fshehur në brendësi të një stani bagëtish, në zonën e Zaharisë. Në kërkim është edhe një person tjetër. Nga ky operacion, sektori Kundër Narkotikeve dhe Trafiqeve të Paligjshme Durrës ka sekuestruar një sasi prej 100 kallëpe lënde plasëse të llojit tritol. Sipas policisë, sasia e tritolit ishte e destinuar për tregun e brendshëm kriminal që operon në Qarkun e Durrësit. Fillimisht u dyshua se katër të rinjtë ishin të implikuar edhe në shpërthimin e ndodhur më herët në rajonin e policisë së Fushë Krujës, por në fakt, rezultoi se ata nuk kishin lidhje më këtë ngjarje.
Gjirokastër/ Kapet me 15 kg drogë, pranga Izvikut
Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar dje 20 pako marijuanë, gjithësej rreth15 kilogramë. Ndërkohë që uniformat blu kanë bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit ku u gjet lënda narkotike. Operacioni i koduar “Fundjava” është realizuar në mesnatë duke u gdhirë dita e djeshme. Sipas burimeve policore, rreth orës 00.30 të mëngjesit të ditës së djeshme, kanë ardhur të dhëna në rrugë operative se një automjet po transportonte lëndë narkotike nga Lazarati në drejtim të Tiranës dhe po lëvizte me shpejtësi në aksin Rrugor Gjirokastër -Uji i Ftohtë. Menjëherë u mobilizuan strukturat e antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilat janë vënë në ndjekje të automjetit të dyshuar ku dhe kanë bërë bllokimin e automjetit tip Pezho me targa AA 650 GY, që drejtohej nga shtetasi Bardhyl Izviku, banues në Shkodër. Nga kontrolli i ushtuar në automjet rezultoi se në bagazh, në vendin e gomës rezervë ishte improvizuar një dhomë e fshehtë enkas për të fshehur lëndë narkotike. Në dhomën e fshehtë u evidentuan 20 pako me lëndë narkotike Marijuanë, me peshë të ndryshme, gjithësej rreth 15 kilogramë. Policia bëri arrestimin e 45-vjeçarit Izviku nga Shkodra, ndërsa materialet hetimore iu dërguan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Gjirokastrës për akuzën “Prodhim e shitje e lëndës narkotike”, ndërsa lënda narkotike dhe automjeti janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Gjirokastër/ Vidhet gjatë natës muzeu i armëve në kala
Pas vjedhjes së objekteve të kultit në zona të ndryshme të vendit, tashmë po u vjen radha të sulmohen prej grabitësve ato muzeale. Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e djeshme muzeun e armëve tek Kalaja e Gjirokastrës. Sipas policisë lokale janë grabitur 11 armë që i përkasin Periudhës së Mesjetës, konkretisht 4 pushkë, 4 pistoleta dhe 3 shpata. Ende nuk dihet se si hajdutët kanë mundur të hyjnë në ndërtesë pasi ruhet nga polici private. Grupi hetimor dhe specialistet e krimeve kundër trafiqeve po punojnë për zbardhje e ngjarjes dhe kapjen e autorëve.
Durrës/ Humbja e emigrantit në det, moti i keq pengon kërkimet
Pas ndërprerjes së kërkimeve dy netë më parë për shkak të errësirës dhe detit të trazuar për gjetjen e trupit të emigrantit 39-vjeçar, dje ka qenë e pamundur të rinisin sërish po për shkak të motit të keq. Nga ana e autoriteteve shqiptare ende nuk është përcaktuar koha kur anijet do të dalin në det, për shkak të detit të trazuar me dallgë, që arrijnë deri në 5 ballë. Gentian Peta, babai i dy fëmijëve, po kthehej pranë familjes, pasi i kishte përfunduar leja e qëndrimit në Gjermani. Ai u hodh nga trageti 30 minuta para ankorimit në portin e Durrësit. Trageti i linjës Bari-Durrës ishte 12 milje larg portit të Durrësit kur 39-vjeçari u hodh nga anija. Edhe pse i hodhën një komardare dhe u dha alarmi SOS, trupi i tij ende nuk është gjetur nga rojet bregdetare shqiptare.
Lezhë/ Pranga Maliqit, abuzoi seksualisht me një 13-vjeçare
Një 25-vjeçar është vënë në pranga nga uniformat blu të Lezhës pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një të mitur. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se është arrestuar 25-vjeçari Agim Maliqi, pasi dyshohet se ka abuzuar me një 13-vjeçare dhe e ka mbajtur dy ditë në banesën e tij. I riu nga Lezha është ndaluar pas denoncimit të nënës së të miturës, e cila i është drejtuar Drejtorisë së Policisë së Lezhës me një denoncim ndaj Maliqit, pasi vajza prej dy ditësh mbahej në banesën e Maliqit në lagjen “Skanderbeg”. Policia ka bërë shoqërimin e të riut, pas denoncimit të nënës së minorenes, ndërsa përveç dëshmisë së 13-vjeçares, në prani të psikologes dhe prindërve, e mitura do i nënshtrohet edhe ekspertizës mjekësore për të provuar abuzimin.




