Florenc Drizari
Spartak Braho: Të hetohen lidhjet familjare me stafin e anëtarëve të KLD-së si dhe pasuria e Çefës dhe Lelçajt. Subashi: Do të kërkojmë dokumentacionin e nevojshëm për rastin e kërkesës për emërimin e ish-kryeprokurores në Gjykatë. Madje, edhe një shqetësim i ngritur nga deputetët për mungesën e pagave për disa muaj në Gjykatën e Lushnjës
Komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, zhvilloi dje mbledhjen e parë. Anëtarët pritet t’i kërkojnë Këshillit të Lartë të Drejtësisë të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me veprimtarinë e Çefës dhe Lelçajt në KLD, ndërsa gjatë diskutimeve u kërkua edhe zgjerimi i objektit të kërkesës së bërë më parë nga 39 deputetët e mazhorancës. Deputeti Spartak Braho kërkoi që “të hetohen lidhjet familjare me stafin e anëtarëve të KLD-së si dhe pasuria e Çefës dhe Lelçajt”.
Nga ana e tij, kryetari i këtij komisioni, Armando Subashi, duke zbardhur disa nga çështjet që do të jenë në objekt hetimi të këtij komisioni, theksoi se deputetët do t’i kërkojnë KLD-së me anë të një shkrese zyrtare dorëzimin e dokumentacioneve për veprimtarinë e dy anëtarëve të këtij institucioni.
Subashi shkoi më tej duke thënë se do të kërkohet edhe procedura e testimit profesional të emërimit të gjyqtarëve në Gjykatat Administrative, përfshi edhe çështjet e brendshme, fondin e pyetjeve, si dhe gjithë korrespondencën me Shkollën e Magjistraturës. “Një pikë tjetër është procedura për Shkollën e Magjistraturës, zgjedhja e anëtarit të bordit. Madje, një moment tjetër është dhe sjellja e kërkesave të vazhdueshme të magjistratëve që kanë mbajtura shkollën në vitin 2012-2014, duke parë kështu se si janë sjellë ndaj këtyre kërkesave. Do kërkojmë dokumentacionin e nevojshëm për rastin e kërkesës për emërimin e ish-kryeprokurores në gjykatë. Madje dhe një shqetësim i ngritur nga deputetët për mungesën e pagave për disa muaj në Gjykatën e Lushnjës. Do shohim korrespondencat mes KLD dhe Ministrave të Drejtësisë gjatë këtyre viteve. Të njëjtën gjë do bëjmë dhe me shkollën e Magjistraturës”, – tha Subashi. Ndërsa deputeti Taulant Balla, një nga prezantuesit e kërkesës në emër të socialistëve në Komisionin e Ligjeve pak ditë më parë, tha se komisioni nuk duhet të tejkalojë afatin kohor prej një muaji që ka miratuar Kuvendi. “Ndaj ta miratojmë rregulloren, pasi është udhërrëfyesi i punës sonë dhe nuk kërkon kohë. Vetëm tek neni 21 duhet bëhet një ndryshim. Duhet të përmbushim afatet dhe të mos shkojmë deri në fund, duke u dashur që Kuvendi të shtyjë afatin. Kjo ka qenë problematikë e komisioneve të mëparshme”, – tha Balla. Me propozim të deputetit Balla, komisioni zgjodhi si sekretar të Përgjithshëm deputetin tjetër socialist, Ulsi Manja, i cili gjashtë shqyrtimit të kërkesës në Komisionin e Ligjeve, ishte edhe relator i kësaj çështjeje.
Të enjten e kaluar në Kuvendi miratoi në seancë plenare përbërjen e komisionit hetimor ndaj dy anëtarëve të KLD-së. Pjesë e këtij komisioni nga radhët e mazhorancës është deputeti Besnik Bare, Spartak Braho, Taulant Balla dhe Ulsi Manja. Mbledhja e radhës e komisionit pritet të jetë të premten e ardhshme, më datë 8 tetor.
Përbërja e komisionit hetimor për KLD-në
Armando Subashi – Kryetar
Ulsi Manja – sekretar i Përgjithshëm
Taulant Balla – anëtar
Besnik Bare – anëtar
Spartak Braho – anëtar




