“Heritage Foundation” PD: Qeveria mban të fshehur raportet që vlerësojnë punën e demokratëve

Florenc Drizari

 

Deputeti i opozitës, Mima: Qeveria shqiptare ka mbajtur larg syve të publikut një raport që i bën nder Shqipërisë

 

mimaOpozita shqiptare kritikon qeverinë për fshehjen e raporteve të organizatave ndërkombëtare, që vlerësojnë klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Demokratët i referohen Indeksit të Lirive Ekonomike të “Heritage Foundation”, të publikuar së fundmi, ku thuhet se Shqipëria renditet në vendin e 54-ta në botë. Sipas opozitës, Shqipëria e përmirësoi totalin e përgjithshëm me 1,7 pikë, duke shënuar përmirësimet e ndjeshme në lirinë e investimeve dhe lirinë e të bërit tregti. Deputeti i opozitës, Florion Mima, tha dje në një konferencë për mediet se Shqipëria renditet e 25-ta ndërmjet 43 vendeve të rajonit të Evropës dhe totali i pikëve të saj është mbi mesataren botërore.

Në renditjen rajonale, Shqipëria, sipas Mimës, lë pas vende anëtare të Bashkimit Evropian, si: Greqia, Italia, Franca, Sllovakia, Kroacia, Rumania, Bullgaria etj.

“Në rreth 20 vite të ekzistencës së Indeksit, Shqipëria ka përparuar me rreth 17 pikë në liritë ekonomike, çka e rendit atë në 20 vendet me përmirësimet më të ndjeshme në botë.

Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm 9 nga 10 liritë ekonomike dhe reformat e saj të shquara përfshijnë liberalizimin e tregtisë, privatizimin, prezantimin dhe zbatimin e një takse të sheshtë kompetitive, përmirësimin e mjedisit rregullator, inflacion të ulët si edhe stabilitet monetar”, – deklaroi Mima.

Por ajo që kritikon opozita, është qëndrimi i mazhorancës ndaj këtyre raporteve që shprehin vlerësim për klimën ekonomike në Shqipëri. Sipas përfaqësuesve të djathtë, gjatë tetë viteve Shqipëria ka shënuar arritje në fushën e zhvillimit ekonomik dhe në të njëjtën kohë, qeverisja e majtë përpiqet, sipas tyre, ta paraqesë gjendjen aktuale si tejet të rënduar; në krizë, papunësi dhe informalitet të lartë.

“Kjo është ajo se si shikohet Shqipëria dhe arritjet e saj nga ‘think-tank’-u më i shquar në botë për analizimin e lirive ekonomike. Gjetjet objektive dhe pa mllefe politike të këtij raporti prestigjioz përdoren dhe analizohen gjerësisht nga institucionet financiare botërore, por çuditërisht jo nga qeveria shqiptare, e cila është përpjekur ta mbajë larg syve dhe veshëve të publikut një raport që i bën nder Shqipërisë, por që, në të njëjtën kohë, njeh meritën e padiskutueshme të qeverisë së mëparshme të demokratëve në të gjitha këto arritje kolosale. Për qeverinë e sotme, Shqipëria është një vend në krizë, një vend ku 91% e shqiptarëve nuk paguaka energjinë elektrike, një vend pa liri ekonomike, një vend pa institucione demokratike, një vend me një milion të papunë që madje as zyra pune nuk ka”, – deklaroi Mima.

Përfaqësuesi i opozitës kritikoi mazhorancën aktuale, duke iu referuar një dokumenti të BE-së, ku thuhet se Shqipëria në tremujorin e katërt ka shënuar rritje negative.

“Se si po e “rilind” vendin tonë kjo qeverisje e mbrapshtë, mjafton t’i referohemi një tjetër dokumenti, të përgatitur nga Departamenti i Ekonomisë dhe Financës i Komisionit Evropian, i cili merr në analizë tremujorin e katërt të 2013-ës dhe i cili thotë se pothuaj të gjithëve ndërkandidatë ose në prag të marrjes së statusit për t’u anëtarësuar në BE, realizuan rritje ekonomike me përjashtim të Shqipërisë, e cila në tremujorin e tretë, shënoi rritje negative prej 2,3%. Shqipëria, – thotë raporti, – tkurri me 1.3% kreditimin e ekonomisë dhe po ashtu Shqipëria përjetoi një rritje dramatike të deficitit nga 3,5% i projektuar në 6,2% dhe për këtë “Standard & Poor’s” uli vlerësimin e besueshmërisë kredi shlyrëse për këtë vend nga B+ në B. Deficiti pritet të rritet në 6,6% dhe stoku i borxhit të arrijë në 74% në 2014-ën. Për shumë vite dhe tremujore me radhë Shqipëria me reformat e saj kishte qenë krenaria e raporteve dhe studimeve të tilla”, – deklaroi deputeti i opozitës. Në tërësi, opozita çmon se vendi nën qeverisjen e majtë rrezikon të kthehet në recesion ekonomik dhe shqiptarët pritet të bëhen ende më të varfër.

 

 

 

 

Takimi Meta – McGovern: Vullnet për zgjerimin e investimeve kanadaze në Shqipëri

 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti dje në një takim ambasadorin e Kanadasë në Shqipëri (rezident në Romë) Peter McGovern. Kryetari i Kuvendit, Meta, i vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë si solide, si në planin shumëpalësh, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik e politik mes dy vendeve. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Shqipërisë dhe nënvizoi vullnetin për zgjerimin e investimeve kanadeze nga Shqipëria në të gjithë rajonin. “Kanadaja është një partner shumë i rëndësishëm për Shqipërinë”, – u shpreh Meta. Ambasadori i Kanadasë McGovern, pasi i vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe si të shkëlqyera, vuri në dukje se Kanadaja përbën burimin më të madh të investimeve në Shqipëri, duke theksuar njëkohësisht vullnetin për rritjen e mëtejshme të tyre. Gjithashtu, ambasadori shprehu gatishmërinë për forcimin e shkëmbimeve parlamentare dhe ndau bindjen me kreun e Kuvendit, Meta, se ato përbëjnë një dimension të rëndësishëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Share it :