Ervin Kaduku
– Mbivendosje e linjave, automjete me mbi 20 vjet jetë, evazion i theksuar në biletat, mungesë harmonie mes pushteteve vendore dhe atij qendror në vendimmarrje; ja fazat nëpërmjet të cilave parashikohet të ndryshojë tregu
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, prezantoi të premten planin e ri për reformimin e transportit ndërqytetas. Haxhinasto theksoi në fjalën e tij se ka mbi vendosje linjash, çka i hap rrugë konkurrencës së pandershme dhe evazionit të lartë.
“Shërbimi që ofrohet sot është shumë larg nga ajo cilësi që duhet të ofrohet. Janë mbi 467 linja që operojnë sot në Shqipëri. Ka një mbivendosje të jashtëzakonshme të tyre. Kjo sjell shpenzime të mëdha të panevojshme. Synimi i kësaj reforme është t’u ofrojmë qytetarëve një cilësi më të madhe të transportit ndërqytetas”, – tha ministri Haxhinasto.
“Kjo mbivendosje, – tha ai, – sjell shpenzime të mëdha të panevojshme, përpjekje për të mbijetuar në treg, mosfunksionim normal në aspektin e biznesit, konkurrencë të pandershme, – u shpreh Haxhinasto, – që reflektohet me evazion e paaftësi të operatorëve për të rinovuar flotat e tyre. Kjo, – nënvizoi ministri, – reflektohet tek cilësia e dobët e shërbimit që ofrohet për qytetarin”.
“Edhe në aspektin e sigurisë rrugore, – tha Haxhinasto, – ekzistenca e kaq shumë linjave, e këtij kaosi, ka impaktin e vet. Ne e dimë që numri i aksidenteve rrugore në Shqipëri ka qenë në nivele shumë të larta dhe fatmirësisht nga masat e marra, duke u trajtuar si prioritet tendenca e këtyre aksidenteve është në ulje”, – deklaroi Haxhinasto.
“Nga një vlerësim që kemi bërë, – informoi Haxhinasto, – “mosha” e automjeteve në qarkullim është rreth 20 vjet, çka do të thotë se nuk përmbushin as nivelet e cilësisë së komfortit dhe as të mjedisit. Edhe në detyrimet ndaj shtetit kjo situatë ka bërë që të ketë një evazion shumë të madh. Shifrat e biletave të deklaruara nga operatorët në krahasim me të dhënat e gjetura nga studimi i Ministrisë së Transporteve janë të papërputhura, që do të thotë se janë të pasakta dhe se kemi një aktivitet që nuk zhvillohet në përputhje me transparencën ekonomike”, – theksoi Haxhinasto.
Plani i ri, sipas tij, parashikon ristrukturim të linjave dhe një sistem të ri biletimi. “Gjithë kjo parregullsi është reflektuar edhe në dëmin që ju ndodh juve si operator. Ju konsumoni në mënyrë të panevojshme 40% më shumë karburant”, – tha ai.
Ministri u ndal edhe në një pikë tjetër të rëndësishme që është kontrolli dhe menaxhimi i tregut. Sipas tij, kontrolli dhe menaxhimi i këtij sistemi është i paqartë dhe konfuz, pasi ka përgjegjësi të ndara mes pushtetit vendor dhe qendror. “Vendimmarrjet lokale bëhen në bazë të kërkesave lokale, por nuk bëhet në bazë të kërkesave kombëtare. Sistemi duhet të ketë harmoni. Një nga arsyet pse duhet të ecim para me reformën territoriale është edhe kjo”, – sqaroi ai.
Plani për transportin parashikon, sipas Haxhinastos, rregullimin e tregut në disa faza. Në fazën e parë është pikërisht koncepti i ri që ne kemi përgatitur, i cili synon që tërësinë e linjave pa kriter që ka Shqipëria ta stabilizojmë. Të kemi linjat kryesore, linjat ushqyese dhe linjat ekspres”, – theksoi ministri.
Element i rëndësishëm, vijoi ai, është rikonceptimi mbi bazën e teknologjisë së informacionit të gjithë sistemit të biletimit. “Aktualisht sot kemi një vakuum të madh në sistemin e biletimit. Kemi evazion të jashtëzakonshëm, kemi subjektivizëm, çka ka sjellë rentabilitet të ulët. Do rikonceptojmë krejtësisht mënyrën e biletimit. Biletimi do jetë për kilometrat e kryera për kilometrat që ka realizuar një qytetar dhe do krijojë lehtësi të mëdha nëse qytetari nuk ka vetëm një itinerar. Do bëhet e mundur që me një biletë që mund të pritet në Sarandë të udhëtohet edhe në autobus edhe në tren te të gjitha llojet e transportit. Platforma do bëjë shpërndarjen e pagesës te operatorët që kanë ofruar shërbimin”, – informoi Haxhinasto.
Në fazën e tretë, sipas ministrit Haxhinasto, do të riorganizohen operatorët që operojnë tashmë në treg. Sipas Haxhinastos, operatorët aktualë nuk do të hiqen nga reforma e re. “Në fazën e tretë kemi hedhur idenë që të gjithë operatorët që janë sot në treg të riorganizohen dhe të ofrojnë këtë shërbim. E përsëris këtë fakt, se kam dëgjuar se gjoja kjo reformë synon të vendosë monopol në këtë shërbim. Të gjithë operatorët që janë sot në tregun e transportit ndërqytetas do jenë pjesë. Zhvillim i rëndësishëm i fazës së tretë është rinovimi i flotës së autobusëve. Faza e fundit do realizojë një sistem të integruar shërbimi, shërbimin kombëtar të transportit të qytetarëve”, – u shpreh ministri Haxhinasto.
REUTERS: Shqipëria pret t’i japë fund së shpejti konfliktit me CEZ-in
Shqipëria pret që së shpejti të zgjidhë një mosmarrëveshje me kompaninë çeke CEZ në lidhje me humbjen e licencës së distributorit, në mënyrë që ajo të vijojë të procedojë me investimet prej 200 milionë dollarësh në sektorin e energjisë elektrike, shkruan agjencia REUTERS. E duke iu referuar deklaratave në Fier të ministrit shqiptar të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, agjencia britanike e lajmeve, e specializuar në informacionin ekonomik, thotë se Banka Botërore dhe donatorë të tjerë janë të gatshëm të mbështesin sektorin e energjisë elektrike të Shqipërisë me një financim deri në 200 milionë dollarë, që i sigurojnë qeverisë të zgjidhë mosmarrëveshjen e saj, që zgjat tashmë prej 18-muajsh, me CEZ-in. Shqipëria i hoqi filialit shqiptar të CEZ licencën dhe e vendosi shpërndarjen nën kontrollin e një administratori në janar të vitit 2013. Kjo pasoi mosmarrëveshjen mbi importet dhe çmimet dhe nxiti CEZ-in ta çojë vendin ballkanik në gjykatë.
“Ne shpresojmë t’i japim fund shumë shpejt këtij konflikti të hapur me kompaninë çeke rreth CEZ-it”, – tha Gjiknuri për investitorët e naftës.
Një burim i qeverisë shqiptare tha për REUTERS-in se qeveria pret një zgjidhje ‘punë javësh’ dhe se paratë e donatorëve do të përdoren të riparohet rrjeti.
Menjëherë pasi qeveria socialiste erdhi në pushtet, në shtator të vitit të kaluar, Gjiknuri tha se Shqipëria kërkoi të zgjidhte konfliktin me CEZ-in në mënyrë miqësore, por bisedimet deri më tani nuk kanë rezultuar në asnjë marrëveshje, thekson REUTERS.




