Gropa financiare” në Bashkinë Vlorë, 1.49 miliardë lekë asete pa dokumente, miliona të humbura dhe tenderë me shkelje
Bashkia e Vlorës ka pasur probleme të shumta në menaxhimin e financave dhe zbatimin e ligjit, sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të publikuar në raportin vjetor të performancës së institucionit.
Raporti ka gjetur pasaktësi në pasqyrat financiare, detyrime të paarkëtuara në vlera të larta dhe shkelje në tenderë e leje ndërtimi, duke çuar në një opinion të kualifikuar për mënyrën si është administruar buxheti.
Auditimi gjeti se asetet nuk janë regjistruar dhe klasifikuar siç duhet, duke sjellë një pasqyrë jo të saktë të vlerës reale të tyre. Për shembull, në llogarinë “Studime dhe kërkime” janë përfshirë projekte me vlerë 115.8 milionë lekë që në fakt duhej të ishin transferuar si investime të përfunduara. Po ashtu, një shumë prej 9.8 milionë lekësh është regjistruar pa u sqaruar natyra e saj ekonomike.
Edhe më problematike është situata me infrastrukturën. Në llogarinë “Rrugë, rrjete, vepra ujore” rezulton një mbivlerësim, pasi nuk është zbritur një vlerë prej 646.6 milionë lekësh që i përket sektorit të ujësjellës-kanalizimeve. Ndërkohë, për 179 ndërtesa me vlerë totale 1.49 miliardë lekë, bashkia nuk disponon tituj pronësie, duke krijuar pasiguri mbi pronësinë dhe vlerën reale të këtyre aseteve.
Bashkia e Vlorës çaloi edhe në mbledhjen e të ardhurave. Rezulton se bashkia e qytetit bregdetar ka 708.6 milionë lekë të paarkëtuara nga debitorët. Përveç kësaj, 191.7 milionë lekë të mbledhura nga qytetarët përmes ujësjellësit nuk janë derdhur në buxhetin e bashkisë.
Edhe në prokurimet publike KLSH ka gjetur mangësi. Në disa raste janë shpallur fitues operatorë që nuk plotësonin kriteret, duke sjellë një dëm financiar prej 17.2 milionë lekësh. Gjatë zbatimit të kontratave janë paguar 6.7 milionë lekë për punime të pakryera dhe 8.4 milionë lekë për punime pa eficencë.
Në sektorin e ndërtimit, situata ka qenë edhe më problematike. Disa objekte janë ndërtuar pa respektuar kushtet urbane, si distancat, lartësinë apo numrin e parkimeve. Në raste të tjera, ndërtimet kanë nisur pa leje të plotë, ndërsa një kat teknik është certifikuar si banim, duke shmangur pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Po ashtu, nuk është zbatuar detyrimi për kontributin 3% për strehimin social për ndërtimet mbi 2,000 m², duke krijuar një mungesë të ardhurash prej 41.5 milionë lekësh, thekson raporti.
Krahas Bashkisë, edhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit nuk ka performuar siç duhet. Ndërtimet pa leje nuk janë ndjekur rregullisht, nuk janë zbatuar vendimet për prishje dhe nuk janë referuar rastet në Prokurori. Gjithashtu, janë konstatuar të ardhura të humbura prej 6.2 milionë lekësh nga mosllogaritja e saktë e gjobave.
Problemet shtrihen edhe në administrimin e aseteve dhe hapësirave publike. Bashkia nuk ka kryer inventarizim të plotë të pasurive dhe nuk ka ndjekur siç duhet procedurat për menaxhimin e plazheve publike, përfundon raporti. /ekofin.al




