Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma në një deklaratë urgjente për mediat ka lajmëruar largimin e saj nga politika, duke lënë mandatin e deputetes.
Grida Duma e mori mandatin vitin e kaluar në zgjedhjet e 25 prillit. Duma ka qenë një nga zërat më aktivë të opozitës në Kuvend, por edhe në publik.
“Pak çaste më parë kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, për të bërë të duhur për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është vendimi i duhur. Mendoj se në politikë fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur shkojnë në një kahje me fatet e njerëzve që përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse është bërë. Fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni që zgjodha”, tha Duma.
“Më e thjeshta për mua do të ishte të kisha qëndruar, të prisja të ndodhin dështimet që disa i parashikojnë, të vegjetoja, të bëja sikur nuk i shihja problemet e brendshme. Por, unë nuk i jam larguar kurrë përgjegjësisë”, tha Duma në një konferencë për shtyp.




