Anxhela Tato
Hetimet, hajdutët grabitën 3 banesa dhe harruan telefonat celularë në vendin e ngjarjes
Policia: Autorët hipën në tarracën e një bari, duke u futur përmes ballkonit në apartament
Grabiten tri banesa dhe mbahet peng njëra nga banoret. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Lezhës në orët e para të ditës së djeshme. Hajdutët e maskuar kanë terrorizuar njërën nga banoret, duke e kërcënuar me thikë në dorë. Burime nga policia e Lezhës thanë se dje rreth orës 15:00 si rezultat i një pune intensive hetimore të strukturave të Komisariatit të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë u bë i mundur identifikimi i autorëve të ngjarjes së ndodhur në katin e dytë të një pallati në lagjen “Besëlidhja”, ku u vodhën me dhunë tre banesa në të njëjtin kat. “Si rezultat u bë i mundur arrestimi i shtetasit Jurgen B., 17 vjeç, lindur e banues në Mirditë si dhe u bë shpallja në kërkim e autorit tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Dy persona me maska dhe të armatosur kanë përdorur tarracën e një bari për t’u ngjitur në katin e dytë dhe më pas lehtësisht janë ngjitur në katin e tretë dhe kanë hyrë përmes ballkonit në apartamentin e parë.
Mekanizmi
Në shtëpinë e parë ndodhej një grua me të bijën, por nuk kanë ndier asgjë. Hajdutët kanë hyrë në banesën e dytë që dukej se ishte edhe pikësynimi i tyre. Kanë thyer xhamin e ballkonit dhe kanë hyrë brenda. Në të ndodhej një grua e vetme, të cilën e kanë goditur dhe grabitur. Teksa mbanin nën presion dhe trysninë e armëve gruan e vetme, një grabitës ka hyre edhe në banesën e tretë ku nuk ka pasur njeri. Më pas kanë dalë nga hyrja e pallatit duke thyer llambat për të mos u parë. Pasi janë larguar, gruaja e dhunuar e cila kishte bashkëshortin jashtë vendit si emigrant ka lajmëruar policinë. Nga të dhënat e para grabitësit duhet të kenë pasur dijeni që në këto familje nuk ishin burrat, të cilët jetojnë në emigracion. Personat e maskuar u kanë marrë paratë, bizhuteritë dhe sende të tjera me vlerë. Nga burimet e para mësohet se autorët kanë përdorur dhunë ndaj grave, të cilat kanë kundërshtuan grabitësit. Më pas janë larguar me sendet e me vlerë që kanë vjedhur, duke përfituar dhe nga errësira.
Hetimet
Mësohet se grabitësit kanë hyrë nga ballkoni i njërës prej banesave dhe më pas kanë bërë dhe grabitjen e dy banesave të tjera të cilat ndodheshin ngjitur me njëra tjetrën. Mësohet se vlera e grabitur është e konsiderueshme, diku tek 2000 euro. Policia mësoi për grabitjen nga një telefonatë që iu bë rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm. Ndërkohë që familjarët e marrë në pyetje janë shprehur se nuk kishin mundur të bënin denoncimin më parë të grabitjes, pasi grabitësit nuk i kishin lejuar duke i kërcënuar me armë. U shoqëruan 5 person në rajon, si persona të dyshuar për ngjarjen kriminale dhe është ën pranga vetëm njëri nga autorët. “Rreth orës 02:00 të natës në pallatin tonë në 3 banesa janë thyer dhe kanë hyrë nga ballkoni nuk e di se sa persona që kanë shkatërruar dhe kanë tentuar të vjedhin, të thyejnë, të shkatërrojnë dhe të cenojnë të drejtat e njeriut sepse aty ka qenë një femër vetëm dhe i kanë bërë presion duke e grushtuar dhe duke i vënë armën në kokë. Jemi komplet të pasigurt sepse kjo që ka ndodhur mbrëmë mund të ndodhë dhe disa herë të tjera”, – thotë një banore.
101-vjetori i policisë
Kreu i bluve, Artan Didi: Kurajë efektivëve, zero tolerancë ndaj krimit
Policia shqiptare mbush 101 vjeç. Me një ceremoni të veçantë dje u përkujtua ky përvjetor, ku kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, theksoi se nga përvjetori në përvjetor sukseset e policisë do të jenë më të mëdha. Kreu i Policisë së Shtetit ftoi të pranishmit të mbanin një minutë heshtje në nderim të kolegëve policë të rënë në krye të detyrës. “Në këtë ditë festive është momenti të kujtojmë kolegë që kanë dhënë sakrificën më sublime, duke dhënë jetën për sigurinë dhe rendin, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje”. Më pas, Didi theksoi se policia gjatë viteve ka pësuar ndryshime të mëdha në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Sipas kryepolicit, asnjë nuk mund të mposhtë kurajën e efektivëve të policisë që luftojnë ndaj krimit të organizuar. “Nga beteja në betejë do të shikojmë se lufta kundër krimit do vijojë ndaj diviza jonë do jetë zero tolerancë”, – garantoi Didi. Fjalë përshëndetëse mbajti dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili theksoi se Policia e Shtetit po rikthehet në krye të detyrës. Sipas Tahirit, ka ende rrugë për tu bërë deri në garantimin e plotë të jetës së qytetarit. “Ka një debat të madh për punën e madhe që bën Policia e Shtetit, por dua të siguroj çdo punonjës policie se beteja jonë kundër paligjshmërisë, krimit të organizuar dhe korrupsionit padyshim ka sfida të shumta dhe vështirësi të shumta, madje inkurajoj çdo punonjës policie duke i siguruar se janë qytetarët ata që realisht do e verifikojnë çdo ditë rikthimin e policisë në krye të detyrës dhe respektimin e të drejtave themelore. Kemi ende rrugë për të bërë dhe për tu garantuar qytetarëve shërbim të denjë në shërbim të ligjit. Garantoj një rikthim të policisë në krye të detyrës”.
Aksident
Përplasen 3 automjete, 2 të plagosur
Një aksident automobilistik me pasojë plagosjen e dy personave është shënuar Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:35 minuta në Laprakë, ku tri automjete janë përplasur mes njëra-tjetrës. Nga vendngjarja, policia njoftoi se tre automjetet që janë përplasur janë të tipit fuoristradë, “Opel” dhe një “Peugeot”. Policia në vendngjarje ka nisur hetimet ndërsa personat e lënduar janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Gjirokastër
Bllokohen 35 klandestinë, arrestohen trafikantët
Janë bllokuar 35 klandestinë nga Somali dhe Eritrea ditën e djeshme në një kamion nga policia e Gjirokastrës. Klandestinët kishin kaluar në vendin tonë në mënyrë të pa ligjshme përmes kufirit të gjelbër me Greqinë. Policia ka vënë në pranga tre personat që po i transportonin. Blutë e Gjirokastrës bëjnë me dije se të arrestuarit janë A. Gjonaj, K. Qebini dhe S. Qebini. Tre të arrestuarit po i transportonin 35 klandestinët drejt Malit të Z, i kundrejt pagesës 350 euro për person. Operacioni për bllokimin e klandestinëve u realizua nga seksioni kundër trafiqeve të pa ligjshme gjatë orëve të mëngjesit, në aksin rrugor Gjirokastër – Tepelenë.




