Gjyqtarët paguhen me kripto…’/ Paraja e pisët ka kapur shtetin, Kalaja: Promovohen projektet korruptive
Akuza të rënda janë hedhur nga avokatja Adriana Kalaja në studion e ‘Task-Forcë’ në SYRI TV, duke hedhur dritë mbi një skemë të dyshuar masive të pastrimit të parave, e cila jo vetëm financon aferat më të mëdha korruptive në vend, por dyshohet se ka shtrirë tentakulat deri në institucionet më të larta të shtetit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
Në qendër të këtij rrjeti, sipas Kalasë, qëndron ‘paraja e pistë’, e cila përshkruhet si hallka lidhëse mes aferës së inceneratorëve, kullave të ndërtimit, drogës dhe vetë qeverisë. Ky kapital i paligjshëm theksoi Kalaja, është forca lëvizëse që ka korruptuar sistemin, duke blerë heshtjen e mediave dhe vendimet e zyrtarëve.
Adriana Kalaja: Atëherë unë së pari… realisht duhet të përgëzoj Belind Këlliçin se në këtë nivel që ka arritur shoqëria shqiptare, është problem i madh edhe denoncimi në fjalë. Po kështu edhe Julin, siç edhe u përmend, ka shumë pak portale, se media nuk bëhet fjalë përveç Syrit, që i jep zë këtij lloj denoncimi, ndërkohë që ne shikojmë anën tjetër të medaljes. Kush është kjo? Ne shikojmë televizionet e inceneratorëve, ata që ne deri dje e mbani mend besoj, që na bënin reklama se si do ishte inceneratori, madje kanë kurajo e thonë dhe sot e kësaj dite, se sa mirë ishte inceneratori, që nuk ekziston akoma dhe sot e kësaj dite. Ndërkohë janë të njëjtat media që na bënin reklamat e Portit të Durrësit.
Dhe e gjithë lidhja që unë dua të bëj qoftë me këtë bankë, po qoftë edhe me situatën e transaksioneve financiare në Shqipëri, është paraja e pistë. Kjo është A-ja dhe Zh-ja që lidh kullat, lidh drogën, lidh qeverinë shqiptare, lidh Kuvendin e Shqipërisë po të duash, lidh Gjykatën Kushtetuese po të duash. Se ka gjyqtarë që paguhen me kriptomonedha.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, mbaj përgjegjësi penale, se ato s’kanë kurajo pse janë të përzier me lloj-lloj pisllëqesh, nuk patën kurajo kur i përgjoi Altin Dumani në mënyrë antikushtetuese, të ngrinin zërin apo të bënin një denoncim për përgjimin antikushtetues. Ndërkohë, ajo që është më thelbësore, përveç që të gjitha siç e thashë, i lidh paraja e pistë, është roli i Bankës së Shqipërisë. Pse Banka e Shqipërisë në momentet më decizive nuk bën rolin që ka kontrollues, auditues.
Tani ne jemi përpara, po e marrim fakt të kryer 50.000, 50.000 anëtarëve që sipas mediave online na kanë thënë që janë bërë anëtarë të kësaj banke. Kemi 50.000 shtetas shqiptarë dhe të huaj mbase, të cilët kanë dorëzuar gjeneralitetet, të dhënat e jetës së tyre. Dhe këto të gjithë, të gjithë, për sa kohë është një bankë me kapital të dyshimtë, me ortakë të dyshimtë, me lidhje të dyshimta, me historik zero… dhe me historik mbresëlënës në kuptim të veprave penale. Pra, kemi përfshirë ne të gjithë në mënyrë harmonike, të përsosur, se si s’duhet të jetë një bankë. Pra, ne kemi Bankën e Shqipërisë që aprovon krijimin e një banke dixhitale me të gjithë treguesit që në fakt duhet të jenë kritere përjashtuese. Tani, unë kam natyrë që domethënë vlerësoj punën e gjithsecilit dhe ne jemi përpara atij fakti që me gjithë problematikat dhe vështirësitë që ka Partia Demokratike, për shkak dhe të këtyre, se është e gjithë paraja e pistë që qarkullon në vend.
Unë nuk bëj pjesë në ata që ne denoncojmë lidhjet korruptive të Pallatit të djegur dhe ne akuzohemi ku është opozita. Domethënë, tjetri e djeg dhe e vjedh edhe e nxjerr lejen dhe thuhet ku është opozita. Siç edhe banorët e Baks-Rrjollit apo kudo tjetër, votojnë qeverinë shqiptare, i shesin, pastaj thonë jo po e ka fajin Sali Berisha. Kështu që unë nuk bëj pjesë në këtë grup. Opozita dhe çdo qytetar shqiptar në këndvështrimin tim duhet të bëjë detyrën e saj. Dhe tani hajde t’i kthehemi pak rolit të Bankës së Shqipërisë. Po ku ishte kjo Banka e Shqipërisë kur një kompani oligarkike bleu një bankë. Nuk lejohet. Nuk lejohet. Që një oligark që ka zotërime të mëdha në treg, sidomos pasuritë e paluajtshme, të blejë një bankë. U kalua në heshtje.




