Sonila Mesareja
Vendimi, gjykata i dënon me 2 vjet e 6 muaj burg dhe 3 vjet heqje të drejte për ushtrim funksionesh publike. Pronat e legalizuara në Vlorë, ato për të cilat u dha leje ndërtimi dhe po gjykohet kryebashkiaku Gjika
Dy ish-drejtues të ALUZINI-t të Vlorës janë dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg dhe 3 vjet heqje të drejte për të ushtruar funksioneve publike, pasi akuzohen për abuzime në legalizimin e pronave në këtë qytet. Bëhet fjalë pikërisht për zonën e “Tri Racave” në Vlorë, ndërtime për të cilat është duke u gjykuar edhe kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Pas një hetimi të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim ish-drejtorin e ALUIZNI-t, Vlorë, Roland Tafilaj dhe me 1 vit burgim ish-përgjegjësin e Sektorit të Urbanizimit të këtij institucioni, Besnik Zërra, të dy të akuzuar për “shpërdorim detyre”. Gjithashtu, gjykata ka dhënë për dy ish-zyrtarët e lartë të ALUIZNI-t Vlorë dënim plotësues heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat prej 3 vjet. Sipas gjykatës, të dy të pandehurit e mësipërm kanë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, kualifikimin për legalizim të tre objekteve informale dhe të parcelave ndërtimore, në emër të shtetasve M. Tartari, A. Ahmataj dhe A. Ferati, të ndodhura në vendin e quajtur Tri Racat, Vlorë, duke lejuar më pas edhe vazhdimin e procesit të legalizimit. Gjithashtu, është kualifikuar dhe dërguar për miratimin në Këshillin e Ministrave praktika e objektit dhe parcelës informale në emër të shtetasit G. Feta, pa verifikuar me parë nëse plotësoheshin kushtet për legalizim, pa u plotësuar aktet e konstatimit të gjendjes në fakt dhe të aktit të kualifikimit të objektit për legalizim.
Akuza
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, mbi bazën e vendimit të Prokurorit për ndarjen e çështjes penale me nr. 1532 viti 2012, ka regjistruar procedimin penal me nr. 953 të vitit 2013, që bën fjalë për procedurat e legalizimit të objekteve informale dhe parcelave ndërtimore në vendin e quajtur lulishte Tri Racat dhe pranë Portit Detar Vlorë. Në përfundim të hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal është arritur në përfundimin se i pandehuri Roland Tafilaj në cilësinë e ish Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të ALUZINI-t Vlorë, si dhe i pandehuri Besnik Zërra, në cilësinë e ish-Përgjegjësit të Sektorit të Urbanizimit, pranë Drejtorisë Rajonale të ALUZINI-t Vlorë, kanë kryer secili veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Të dy të pandehurit e mësipërm kanë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, kualifikimin për legalizim të tre objekteve infomale dhe të parcelave ndërtimore, në emër të shtetasve Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj dhe Artan Ferati, të ndodhura në vendin e quajtur Tri Racat, Vlorë, duke lejuar më pas edhe vazhdimin e procesit të legalizimit. Në këtë rast procedura e legalizimit duhej që të ishte ndërprerë dhe objektet dhe parcelat ndërtimore informale duhet që të ishin përjashtuar nga legalizimi në bazë të nenit 39 të ligjit nr. 9482, datë 03.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa lejë” si dhe në bazë të pikës 2 gërma (b) të VKM-së me nr. 438, datë 28.6.2006 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, pasi ndodhen në një zonë për të cilën ekziston një studim urbanistik të miratuar me vendim të KRRTRSH-së, në të cilën është parashikuar të jenë zonë e gjelbër ku nuk lejohet kryerja e asnjë lloj ndërtimi. Gjithashtu, është kualifikuar dhe dërguar për miratimin në Këshillin e Ministrave praktika e objektit dhe parcelës informale në emër të shtetasit Gëzim Feta, pa verifikuar me parë nëse plotësoheshin kushtet për legalizim, pa u plotësuar aktet e konstatimit të gjendjes në fakt dhe të aktit të kualifikimit të objektit për legalizim. Procedimi penal në ngarkim të dy të pandehurve të mësipërm në datën 25.3.2014 është dërguar për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Vendimi
Në përfundim të gjykimit të kësaj çështjeje penale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin e datës 30.9.2014 ka vendosur deklarimin fajtor të të pandehurit Roland Tafilaj, në cilësinë e ish-Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Vlorë dhe dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burgim. Në bazë të nenit 35/2 të Kodit Penal ka caktuar për të pandehurin Roland Tafilaj edhe dënimin plotësues heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat prej 3 vjet. Gjithashtu, me vendimin e mësipërm Gjykata ka vendosur që të deklarojë fajtor të pandehurin Besnik Zërra, në cilësinë e ish Përgjegjësit të Sektorit të Urbanizimit, pranë Drejtorisë Rajonale të ALUZINI-t Vlorë, dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 1 vit burgim. Në bazë të nenit 35/2 të Kodit Penal ka caktuar për të pandehurin Besnik Zërra edhe dënimin plotësues heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat prej 3 vjet.
Angli/ Hapja e vitit ligjor, ministri Naço në Mbretërinë e Bashkuar
Ministri i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, z. Nasip Naço, u nis dje për një vizitë pune disa ditore në Mbretërinë e Bashkuar. Me ftesë të Lordit Chancellor z. Chris Grayling, zyrtarit më të lartë përgjegjës për funksionimin efikas dhe pavarësinë e gjykatave, Ministri Naço është ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të hapjes së Vitit Ligjor në Angli dhe Uells. Në këtë ceremoni madhështore dhe shumë të rëndësishme për drejtësinë, e cila zhvillohet në Westminster Abbey, marrin pjesë çdo vit gjyqtarët më të lartë dhe personalitete të shquara të fushës së drejtësisë nga Anglia, Uellsi dhe vende të tjera të BE-së. Pas ceremonisë, Ministri Naço do të zhvillojë një takim me homologun e tij, Ministrin e Drejtësisë dhe të Lirive Civile, Z. Simon Hughes. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite Ministri Naço do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të lartë të Slynn Foundation, që i asiston prej vitesh reformat në sistemin e drejtësisë Shqiptare, si dhe me zyrtarë të lartë të sistemit të burgjeve në Angli dhe Uells.




