Gjokutaj: Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale i jep kohë krimit të marrë masa
Avokati Genc Gjokutaj ka kritikuar ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale nga kryeministri Edi Rama, duke i cilësuar ato si ndryshime me karakter politik dhe duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë hartuar.
Në News24, Gjokutaj u shpreh se ndryshimet në legjislacionin procedural duhet të lindin nga nevojat e sistemit dhe jo të përcaktohen nga politika, pasi sipas tij, “kryeministri s’mund t’i tregojë gjyqtarit rregullat e lojës”.
Gjokutaj u ndal edhe te disa prej ndryshimeve konkrete, duke marrë si shembull mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim.
“Shiko çfarë thotë në një pikë: ‘Koha në paraburgim llogaritet te caktimi i dënimit’. Ka dhe budallallëqe këtu”, u shpreh ai, ndërsa përmendi edhe një pikë tjetër, ku propozohet që në gjyq edhe dëshmitari të ketë avokat. “Si do marrë dëshmitari avokat? Pse e intimidon? Në cilin vend të botës merr dëshmitari avokat?”, tha Gjokutaj.
Avokati argumentoi se ndryshimet e propozuara kanë në qendër çështjen e burgimit dhe mënyrën se si do të zbatohet ai pas vendimit të gjykatës.
“Thelbi i ndryshimit është politik, sepse të gjitha ndryshimet i ka me burgun. Thotë, nuk do arrestohet dhe, kur ta dënojë gjykata, nuk do hyjë në burg. Do bëhet pezullimi njëherë e me radhë”, deklaroi Gjokutaj, ndërsa ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën se si mund të përdoren kriteret mjekësore apo rrethana të tjera personale për shmangien e vuajtjes së dënimit.
“Pastaj fut mjekësinë në lojë, ti nxjerr të sëmurë, se tani u zgjidh puna, o ngel shtatzënë, o me kancer, ose ndahesh nga gruaja dhe shpëtojnë në këtë histori”, tha ai.
Një pjesë të rëndësishme të kritikës së tij Gjokutaj e lidhi me përdorimin e të dhënave nga telefonat në hetimet penale. Sipas tij, hetimet sot mbështeten në masë të madhe te provat në celularë.
“Procesi sot në 90% është telefoni, s’ka më dëshmitarë se nuk flet më njëri, nuk kanë luajtur mendsh. Pikërisht këtu godet te telefoni”, deklaroi ai, duke argumentuar se vonesat në marrjen apo administrimin e provave elektronike mund t’u japin kohë personave nën hetim për të marrë masa.
“Kjo ngadalëson procesin, i jep kohë krimit, sa të merre masa, sa të caktohet seanca…”, përfundoi ai.




