PD: 3 ditë para vizitës së Papës, qeveria bën paradë me Enverin
Me portretin e diktatorit Enver Hoxha, flamurin shqiptar, por edhe flamurin e NATO-s, Gjirokastra përkujtoi dje 70-vjetorin e çlirimit të qytetit. Përfaqësuesit e të gjitha institucioneve shtetërore, nxënësit e shkollave, policia, ushtria dhe veteranët kanë parakaluar në Sheshin e Çerçizit me flamuj në duar dhe me shamitë e kuqe, simbol i Luftës Antifashiste. Në krah të tribunës ku ishin dhe përfaqësues të qeverisë, ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, ministri i Çështjeve Vendore Bledi Çuçi dhe ministri Arben Ahmetaj, veteranët kanë parakaluar duke mbajtur në dorë portretin e Enverit, por edhe tabela ku shkruhej “Lavdi veprës së Enver Hoxhës”. Në nisje të parakalimit viheshin re fotot e shumta të portretit të ish-diktatorit dhe udhëheqësit të LANÇ, Enver Hoxha, i cili ka lindur në Gjirokastër. Më pas, në paradë parakaloi ushtria, me flamurin e NATO-s, por edhe me flamurin shqiptar, policia, një grup invalidësh, por edhe valltarët e vegjël. Parada e flamujve u ndoq me interes jo vetëm nga qytetarët gjirokastritë, por edhe nga turistët e huaj, të cilët nuk kanë ngurruar ta fiksojnë këtë moment në aparatet e tyre.
Reagimi
Ndërkaq, Partia Demokratike e cilësoi si të papranueshëm faktin që qeveria të bëjë paradë me foton e vrasësit të priftërinjve në Gjirokastër, ndërsa në Tiranë pret Papën me fotot e martirëve të klerit. Deputeti demokrat Edi Paloka deklaroi: “Në Gjirokastër, në një parakalim qeveritar të lajmëruar që dje nga Edi Rama, janë valëvitur fotot e diktatorit Hoxha dhe nxënësit janë veshur me shallin e pionierit. Ky demonstrim qeveritar që ndodh vetëm tri ditë para ardhjes së Papës në Shqipëri, është një fyerje për mesazhin e Atit të Shenjtë, i cili u shpreh se do të vizitojë një vend që ka vuajtur shumë për shkak të regjimit të tmerrshëm ateist. Ky demonstrim është një hipokrizi e ulët e Edi Ramës”. Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, teksa Tirana e pret Papën me fotot e martirëve të klerit në bulevard, qeveria bën paradë me foton e vrasësit të priftërinjve. “Shfaqja e gardistëve të kuq, tri ditë para vizitës së Atit të Shenjtë, është një provokim i ulët dhe gjesti më i keq para kësaj vizite historike. Socialistët nën drejtimin e Ramës, nuk ndalojnë në rehabilitimin e figurës së Enverit as në këto ditë të veçanta për vendin. Ky është një provokim i hapur që i bëhet shoqërisë dhe vendit më të vuajtur në kohën e diktaturës komuniste, ku prej regjimit të Enverit, mijëra u pushkatuan me dhe pa gjyq, mijëra u internuan”, – tha Paloka duke shtuar: “Partia Demokratike e dënon këtë manifestim komunist nën kujdesin qeveritar dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të këtyre provokimeve, ndaj shoqërisë tonë, pak ditë para vizitës së Atit të Shenjtë”.
70-vjetori i çlirimit/ Rama: Lavdi e mirënjohje që vunë gjakun në altarin e lirisë së atdheut
Kreu i qeverisë, Edi Rama, përshëndeti dje të gjithë qytetarët gjirokastritë me rastin e 70-vjetorit të çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. “70 vjet më parë u çlirua Gjirokastra. Lavdi e mirënjohje përjetë vajzave e djemve, që vunë gjakun e tyre në altarin e lirisë së atdheut!”, – shkruante ai në rrjetin social “FB”.
Iniciativa/ Doda, studentëve të Dhjetorit: Të dënojmë figurën e Hoxhës, urgjent ligji i lustracionit
Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, ka kërkuar mbledhjen e studentëve të Dhjetorit në një konferencë për të diskutuar lidhur me situatën politike në vend. Në një status në rrjetin social “FB”, ajo shkruante dje se veprimet për glorifikimin e komunizmit duan përgjigje. “Ne nuk do harrojmë kurrë. Këto ditë po shfaqen tentativa të qarta për glorifikimin e së kaluarës dhe amnistimin e figurave kriminale me në krye Enver Hoxhën. Në krye të komisionit për rishikimin e historisë është kreu i një partie të majtë, i cili nuk mundet të qëndrojë në krye të një komisioni që pretendon të quhet apolitik. Nisur nga kjo klimë që kërkon që së bashku me 70-vjetorin e çlirimit të glorifikojë edhe krimet vëllavrasëse të kriminelëve me në krye Enver Hoxhën, do t’u bëja thirrje gjithë studentëve të Dhjetorit, brezit me antikomunist që kreu shndërrimin e jetës politike të vendit që bashkërisht të vendosim mbledhjen e një konference ku të kërkojmë hapa konkretë për t’u ndjekur nga parlamenti shqiptar dhe gjithë forcat politike për dënimin e figurës së Enver Hoxhës, krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për aktivitetin e tij para dhe pas luftës dhe miratimin me urgjencë të ligjit të lustracionit”, – tha deputetja demokrate. Në këtë kontekst, Doda ftoi të gjithë ish-studentët e Dhjetorit të krijojnë së bashku këtë iniciativë për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës “dhe revanshit që po merr çdo ditë e kaluara në këtë vend. Ju lutem përhapeni këtë iniciativë sa më shumë të jetë e mundur mes djemve dhe vajzave të Lëvizjes së Dhjetorit. Së bashku do vendosim kohën dhe modalitetet”.




