Gjiknuri: Do të ndryshojmë ligjin dhe çmimin e energjisë elektrike

Ervin Kaduku

 

“Nuk na është paraqitur asnjë projekt hidrocentrali nga ana e qeverisë së Maqedonisë. Do të kërkojmë respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në rastin e lumit Radika”

 

 

GjiknuriGjatë zhvillimit të Forumit Ekonomik të organizuar në Tiranë nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, është ndalur tek ndryshimi i legjislacionit në fushën e energjisë, përmirësimi i situatës, si dhe reduktimi i humbjeve në rrjet. Gjiknuri ndër të tjera paralajmëroi se qeveria ka ndër mend të rishikojë çmimin e energjisë: “Viti 2014 është i rëndësishëm për miratimin e ligjit të ri të energjisë. Do t’i vijë në ndihmë biznesit, pasi një sektor i rregulluar i energjisë do t’u vijë në ndihmë investimeve. Ne do të kërkojmë mënyra për zgjidhjen e problemit të vendosjes së çmimit të energjisë. Do ta rishikojmë këtë. Nuk duam të rëndojmë qytetarët. Është me rëndësi që të gjithë aktorët të japin kontributin e tyre. Do të investojmë në linjat e transmetimit, e konsiderojmë me rëndësi”, – tha Gjiknuri.
Ministri është ndalur edhe tek sektori i Industrisë, ndërsa tha se duhen ndërhyrje për të eliminuar rregullat e padrejta të lojës, duke u hapur kështu mundësi investimeve efikase. Ai tha se do të rishikohen koncesionet e dhëna në fushën e naftës, mineraleve dhe industrisë në tërësi, duke theksuar se do të bëhet transparencë.

 

Çështja “Radika”

Në përfundim të konferencës, ministri i Energjisë dhe Industrisë dha një prononcim pas interesimit të medias për çështjen e ndërtimit të një HEC-i në Fushën e Lukovës, në Maqedoni, që mendohet se do të dëmtojë interesat ekonomike të Shqipërisë.

 

Pyetje: Është ndezur një debat i gjerë për devijimin e lumit Radika. Keni një qëndrim për këtë çështje dhe i siguroni dot qytetarët shqiptarë që do të merrni masa për të shmangur dëmet e mundshme nga devijimi i lumit?

 

Gjiknuri: E kam bërë edhe më parë publik qëndrimin. Nuk ka një projekt konkret që të na jetë dorëzuar si qeveri apo si Ministri e Energjetikës. Për një gjë dua ta siguroj publikun shqiptar; është një projekt-ide e hedhur prej shumë kohësh nga qeveria maqedonase. Në takimin që kam pasur me Ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, z. Valon Saraçini, në 27 nëntor, e kam thënë të qartë dhe po e përsëris të vetmen rrugë sipas të cilës kjo çështje mund të diskutohet. Nëse projekti ka impakt në ujërat e Shqipërisë, zgjidhja e tyre parashikohet në marrëveshjet ndërkombëtare, dhe ndërkufitare për sa i përket regjimit të ujërave. Kjo është përgjigja! Ne presim që të shikojmë projektin nga ana teknike dhe patjetër, nëse ka impakt mbi pasuritë e këtij vendi, pa diskutim që qeveria shqiptare do të mbajë qëndrimin në përputhje me marrëveshjet dhe me interesat e këtij vendi e asnjë nuk duhet ta paragjykojë apo të luajë politikisht me këtë gjë.

 

Task-forca për energjinë

Dje është krijuar task-forca e energjisë për qarkun e Tiranës. Në takimin e zhvilluar dje morën pjesë prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, dhe ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri. Ministri Gjiknuri e cilësoi krim vjedhjen e energjisë, duke nënvizuar se asnjë faturë e papaguar nuk do të amnistohet. “Duhet të sensibilizojmë qytetarët, mospagesa është problem për tregun. Nuk mund të vazhdohet kështu. Nuk do të ketë amnisti për faturat e papaguara. Ndihma e vendorëve me rendësi për këto masa”, – deklaroi ministri Gjiknuri.
Në fjalën e tij, prefekti Sadi Vorpsi theksoi se ngritja e këtyre njësive operative tregon gjendjen e mjerueshme dhe abuzive të trashëguar nga një sistem mosndëshkimi dhe bashkëveprimi korruptiv. “Jo më kot, janë në këtë tavolinë përfaqësues të të gjitha drejtorive dhe agjencive rajonale të qarkut, si edhe të zgjedhurit vendorë, sepse fatkeqësisht po të kthejmë sytë nga vetja do të shikojmë se shumë nga institucionet shtetërore janë vetë debitorë ndaj CEZ Shpërndarje. Mendoj se si masë e parë që të gjithë ne të fillojmë të paguajmë faturat e dhjetorit dhe sipas mundësive në tratativa me specialistët e CEZ për rregullimin e kësteve, të fillohet të shlyhen edhe detyrimet e prapambetura për të gjitha institucionet që përfaqësojmë”, – theksoi në fjalën e tij Vorpsi.
Ndër të tjera ai u shpreh se Prefektura e Qarkut Tiranë ndërmerr iniciativën, që për çdo punonjës të administratës së saj, të kërkojë vërtetimin e pagesave të rregullta të faturave të energjisë elektrike.

 

 

Forumi Evropian i Energjisë

Zv.ministri Duçka takon ministrin britanik të Biznesit: Kontribuues kyç në sigurinë e energjisë

Nën kujdesin e Qendrës Evropiane për Sigurinë e Energjisë dhe Burimeve në Universitetin prestigjioz të King’s College London, IBDE organizoi Forumin Evropian të Energjisë, ku mori pjesë si folës kryesor edhe zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë z. Dorian Duçka. Në forumin ku merrnin pjesë 20 panelistë të shkëlqyer duke përfshirë dhe ministrin e Shtetit për Biznesin dhe Energjinë, Michael Fallon, në temën “Korridori Jugor i gazit, dhe gazi natyror në Mesdheun Lindor – Mundësi për Evropën”, të sponsorizuar nga TEAS, Shoqata Evropiane e Azerbajxhanit, Duçka tregoi mbi vizionin e qeverisë shqiptare për të qenë një kontribuues kryesor në sigurinë e energjisë së Bashkimit Evropian duke qenë një hallkë kyçe e këtij Korridori. Sipas tij, Shqipëria do të përfitojë rreth 1 miliard euro investim të huaj të drejtpërdrejtë nga Projekti TAP, por që qeveria nuk e sheh rolin e vet në këtë projekt vetëm si një vend transit, por ka si qëllim të shndërrohet në një nyje kyçe të transmetimit të gazit natyror në Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria do të jetë pika lidhëse me projektin IAP si dhe një pike lidhëse me furnizim me gaz natyror për Kosovën në të ardhmen. Duçka shprehu vendosmërinë për të realizuar dhe mbështetur në kohë zbatimin e projektit TAP si dhe vizionin e qeverisë për të përfunduar master-planin për gazifikimin e vendit në muajt e ardhshëm. Sipas z .Duçka, për Shqipërinë, përfshirja si aktor kryesor në këtë projekt, është integrimi real në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, ai ftoi përfaqësuesit e kompanive të huaja në tregun e energjisë, të vijnë dhe të investojnë në tregun e ri të gazit natyror, por dhe në burimet e tjera të energjisë në Shqipëri. Gjatë punimeve të forumit, zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë u takua me ministrin e Biznesit dhe Energjisë për Britaninë e Madhe, Michael Fallon, të cilit i shprehu falënderimet për mbështetjen e këtij vendimi në zhvillimin e Shqipërisë. “Investimet britanike, si përfshirja e Kompanisë British Petroleum në këtë projekt është shenjë pozitive për rritjen e investimeve britanike në Shqipëri”. Nga ana e tij, Fallon e ftoi zv.ministrin për të intensifikuar marrëdhëniet mes dy institucioneve në fushën e energjisë, dhe premtoi një rritje të bashkëpunimit. Në forumin e zhvilluar më 16 janar merrnin pjesë Ministri i Shtetit për Biznesin dhe Energjinë, Michael Fallon, si dhe një sere ambasadorësh, drejtues nga fusha e biznesit, ekspertë akademikë dhe rreth 180 delegatë nga fusha e industrisë, rrethet diplomatike, dhe agjencitë qeveritare.

 

Share it :