Telnis Skuqi
U nda nga jeta në moshën 86-vjeçare një prej emblemave të muzikës popullore shqiptare, Laver Bariu. Mjeshtri i klarinetës ka ndërruar dje jetë, në Permet, pas një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej kohësh. Sot Laver Bariu përcillet në banesën e fundit pas homazheve mbi arkëmortin që do të vendoset në Qëndrën Kulturore të qytetit të tij.
***
Jo vetëm në Përmet, e njihnin Laver Bariun si “Gjenerali i klarinetës”. Kishte vite që nuk e kishte vënë në buzë kallamin e klarinetës. Që kur bashkëshortja e la dhjetë vite më parë, ai nuk shkonte më as në qendër të qytetit në kafen e Gencit, por pëlqente ta kthente filxhanin e kafesë në një bar pranë shtëpisë së tij.
Usta Laveri fliste pak, …huqe të një gjeniu. Plaku shtatëgjatë që nuk njohu asnjë kërrusje, ishte i vendosur të mos e braktiste deri në fund të jetës Përmetin e luleve. Aty qëndroi deri në fund i lidhur me klarinetën dhe kujtimet e saj.
Usta Laveri e mori zanatin nga të parët e tij që i vogël. U ushqye me dashurinë për instrumentin dhe ndoqi traditën e Afize Leshkoviku, Meti Përmetit dhe ustallarëve të veglave muzikore përmetare. Ai i dha një vulë të vërtetë origjinale, muzikës së jashtazakonshme shqiptare përmetare, veçantërisht kabasë.
.Kulmin e tij artistik Laveri Bariu e pati me këngëtarin e pavdekshëm, Mentor Xhemali.
“Laveri dhe Mentori janë racë nga nëna”, i tha dikur në një intervistë ATSH-së ustai i madh.
Laver Bariu
Ai mund të cilësohet si i fundit prej Ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-1990.
Ndër këngëtarët më të spikatur që kanë kënduar së bashku me sazet e Usta Laverit përmendim: në vitet ’50 Behije Roçin, Qemal Ponoçin, Aliun (i thirrur Babaçja) etj.; në vitet ’60 Jorgo Çulli dhe Ilia Nasi, vëllezërit Sulejman Lame-“Artist i Merituar” dhe Xhelal Zeqiri, Viron Tanellari; në vitet ’70 “Artisti i Popullit” Mentor Xhemali, Ylli Zeqiri; në vitet ’80 Ardiana Daci, Robert Tralo, Drini Kanani etj; në vitet ’90 Vaskë e Dhimitër Curri, Donika Pecollari, Anastas Naqe, Luljeta Ilia, Evgjeni Çulli etj. Në vitin 1977, së bashku me Çobanin dhe Mentor Xhemalin, interpretojnë dhe regjistrojnë të gjitha materialet muzikore të filmit “Gjeneral gramafoni”, me regji të Viktor Gjikës.
Në vitin 1989, Usta Laveri bëhet protagonist i filmit dokumentar muzikor të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Këngët e zemrës”. Në Prill të vitit 1994 realizojnë CD. me muzikë popullore, në bashkëpunim me një shoqëri angleze dhe CD-në tjetër e realizojnë në Greqi. Një tjetër CD me mbishkrimin “Laver Bariu dhe valle dasmash” është realizuar në Australi në vitin 1995 nga “Fezollari Productions AUSTRALIA”. Aktiviteti muzikor i këtyre sazeve vazhdon ende. Debutimi më i fundit i tyre ishte pjesmarrja në F.F.K Gjirokastër 2000.
Në Mars të 2001, për meritat e tij dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtër i madh i punës”. Në vitin 2001, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Usta Laveri u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit, krahas Vëllezërve Frashëri, Odhise Paskalit dhe Mentor Xhemali. Regjistrimet kryesore muzikore janë në Radio-Tirana, Televizionin Shqiptar dhe Institutit të Kulturës Popullore. Edhe Radioja e Suedisë e ka regjistruar Laver Bariun bashkë me grupin e Përmetit në festivalin folklorik në Falun (Suedi).
Profil
Laver Bariu lindi në Përmet më 2 maj 1929. Ai është personalitet i shquar i muzikës popullore , themelues dhe drejtues i Sazeve të Përmetit të njohura në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj.
Ai tregoi që i vogël një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta të cilat i sajonte vetë nga degët e pemëve apo edhe nga kallami i grurit etj. Pas largimit të familjes së tij në qytetin e Korçës në vitin 1935, Laverit iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muziktarë të shquar popullorë për kohën, si Islami në gajde, e veçanërisht Feim Gajdexhiu, babai i shokut të tij të fëmijërisë, Skënderit.
Rreth moshës 10 vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të atit, Bariut, dhe luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalike që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës. Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. Kthehet familjarisht në Përmet në fund të vitit 1944. Aty takohet me Usta Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth 1 vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte. Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë, Usta Laveri organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952, në të cilin ai vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor.
Më 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane e paskëtaj më 1966 regjistron në Radio-Tirana veç të tjerash edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe ato kombëtare. Në mars të 2001, për meritat e tij dekorohet nga presidenti i republikës me urdhrin “Mjeshtër i madh i punës”. Në vitin 2001, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Laver Bariu u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit.
Eda Zari: Laver Bariu, që e bëri edhe “djallin” në pak minuta “engjëll”
“Qofsh i drites dhe u prehte ne paqe Usta Laver Bariu, krenaria e kabase permetare, Vaji i klarinetes tuaj dhe gazavaji hyjnor do te mbetet prejete ne mesin tone.Me trishtim dhe respekt te thelle, ngushellime familjes, Permetit, kolegeve dhe admiruesve te tij jo vetem ne Shqiperi por ne mbare boten. ( Ai qe dhe djallin e bente te kthehej per ca minuta ne engjell) I madhi Usta Laver Bariu”
Nderimi
Një vaj për Laver Bariun
Flutura Açka
Sa herë shkoja në jug, Përmeti, edhe pse duket xhepth i rrugës nacionale, më shtynte ta bëja kthesën në të majtë, jo vetëm se është ndër të rralla qytete shqiptare ku ende s’ka prekur (aq) vandali lokal, por edhe sepse jetonte – ndonëse gati i harruar – një prej njerëzve më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, dhe mbase një ndër klarinetistët më të vyer të kësaj bote të gjallë. Laver Bariun e kam takuar disa herë, i dija madje lëvizjet e përditës së tij, i kisha mësuar nga biseda të gjata me të renë e tij, Nadja, grua që është kujdesur me një përkushtim të vyer me vite mjeshtrit tonë. Që të takoje Laver Bariu, artistin e vetëm në botë që jeton(te) në të njëjtën rrugë që mbante emrin e tij (pasi qysh në të gjallë e kishte siguruar biletën e përjetësisë, siç ndodh vetëm me gjenitë), duhet të flije një natë më parë në Përmet, të zgjoheshe herët dhe rreth ores 8 të mëngjesit të ishe në barin përballë pallatit të tij. Aty, ‘noprani’ më simpatik në botë, burri fin në veshje, me një elegancë admiruese për moshën, me një kujdes të pakrahasueshëm në sjelljen me femrat, e kishte pirë pothuajse kupën e parë të vogël të rakisë.
Raki dhe kafe, prapë raki e prapë raki. Të puthte dorën, të përqafonte. Po të ishte në orë të mira, edhe këndonte me ty, por kur i flisje për klarinetën, në shtjekë të syrit bulonte një lot, që i tretej pa rënë në sy dhe shenjonte me gisht diku në krahëror, ku diçka e rëndë nuk e lejonte të kishte mjaftueshëm frymë të merrte edhe një here në dorë klarinetën. Kur ngatërroja ndonjë note nga kënga që këndonim, më kthehej e me të qeshur e me atë zërin melodi të tij, thoshte: Po e prishe, moj lanete!
Laver Bariut, ikonës sonë, i cili vdiq sot i varfër, iu vodh muzika, iu shpërdorua, u fye ndonjëherë se paskërkësh kënduar njëditëzaj për Enverin. Laveri Bariu u harrua së gjalli. Po të kishte jetuar diku tjetër me muzikën e tij shqiptare, do të kishte qenë ndër burrat më të pasur të këtij dheu, dhe jo duke vjedhur Atdheun, por duke i dhënë atë muzikë, që mahniti çdo të huaj që e dëgjoi, dhe që nuk e lexoi kurrë në guidat shqiptare se ç’gjeni rronte ende diku në qytete jugore shqiptare.
Ngaqë nuk mundem dot prej largësisë t’i hedh një grusht dhe e t’i çoj një tufë lule, po i përcjell këtë vaj personal, duke i thënë se do të më marrë malli për të…




