Gjekmarkaj: Sot studentët, qytetarët, opozita janë në një front! Levat e Ramës, marksistët e Qorrit u mbytën!

Gjekmarkaj: Sot studentët, qytetarët, opozita janë në një front! Levat e Ramës, marksistët e Qorrit u mbytën!

Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj thotë se protesta e sotme tregoi se studentët, qytetarët, PD dhe opozita janë në të njëjtin front për të larguar kryeministrin Edi Rama dhe kthimin e Shqipërinë në shinat e demokracisë e normalitetit

“Çdo përpjekje për ta ndarë opozitën nga pjesa tjetër e qytetarëve e studentët është e dështuar’ theksoi Gjekmarkaj në një video intervistë mbrëmjen e sotme me gazetaren e Syri Tv, Armela Ferko.

 

“Sot protesta ka treguar që studentët, qytetarët opozita e PD janë një, të vendosur për thirrjen: Dorëheqje e Edi Ramës dhe kthimin e Shqipërinë në shinat e demokracisë e normalitetit. Çdo përpjekje për ta ndarë opozitën nga pjesa tjetër e qytetarëve e studentët është e dështuar. Levat e Edi Ramës, 20 – 30 neomarksistë të Arlind Qorit të nxitur për të krijuar përçarje u mbytën nga dëshira për bashkim e vullneti i përbashkët i qytetarëve për ti dhënë Shqipërisë protestën që meriton. Sot ka qenë një ditë e mirë, një protestë që pati një pjesëmarrje të gjerë dhe me mjaft simbolikë e domëthënie”

Gjekmarkaj thekson se PD ka qenë në krah protestës për ta mbështetur me çdo mjet që ditën e parë por pa dashur ta monopolizojë atë. Ndërsa theksoi se uniteti i studentëve, qytetarëve, opozitës për të krijuar një opozitë më të gjerë kundër qeverisë Rama është e domosdoshme.

“PD në asnjë moment nuk ka dashur ta monopolizojë këtë protestë. E ka mbështetur me çdo mjet. Ka qenë që nëkrye të herës, krah qytetarëve, por pa i marrë lajtmotivin politik. Kemi qenë dhe si rojtarë të protestës. Kemi qenë aty për ti mbrojtur studentët që janë fëmijët tanë. Deputetët tanë kanë qenë deri në agim në çdo komisariat të Tiranës, trupa ligjore e PD-së gjithashtu. Kemi qenë aty pa ua marrë skenën. Ne kemi qenë solidarë në krah të studentëve.

Duhet të theksohet. Një unitet I domosdoshëm ndërmjet studentëve, qytetarëve e opozitës për të krijuar një opozitë sa më të gjerë kundër regjimit ose këtij narkoshteti që kemi sot në Shqipëri.

Çfarë është sjellja e dhunshme e policisë ndaj studentëve?

Po ky është dekompozimi i shtetit, është unifikimi i partisë me pushtetin. Nuk ka ndodhur në asnjë vend që policia që duhet të ishte në shërbim të të gjithëve praktikisht të trajtohet si mercenare. Ajo që bëri Edi Rama duke i paguar 2500 euro secilin prej atyre që janë të gatshëm, që mendoj një pjesë e tyre janë patronazhistë të futur në polici, janë ekstremistë të së majtës shqiptare të futur në polici për të rrahur rininë, për t’i verbuar ata, për t’ju thyer këmbët, për t’ju çarë kafkat, për t’i trajtuar si armiq, ndërkohë që ata janë shpresa dhe janë njerëzit që po bëjnë përpjekjen më dinjitoze për t’i dhënë vendit normalitet, tregon dekompozimin e kryeministrit, dekompozimin e mazhorancës, tregon atë që ne e kemi theksuar në këto 14 vite me dhjetëra herë, për të cilën e kemi bërë betejën. Sepse në fund të fundit këto protesta nuk janë asgjë tjetër vetëm vijimi i kauzave të Partisë Demokratike, përsëritja e atyre tezave politike që Partia Demokratike ka theksuar në çdo medium, në parlament, jashtë parlamentit, në protesta, me ndërkombëtarët.

Pra, është kapja e këtij shteti, shndërrimi i tij në një lloj institucioni privat, në një lloj emirati do ta quaja, një vend ku lulëzon trafiku, një vend që ka hyrë në agjendat e prokurorive evropiane, amerikane dhe kudo praktikisht, duke e konsideruar Shqipërinë ndoshta të vetmin shtet, narko-shtet në një farë mënyre ku bën eksport të lëndëve narkotike, dhe nga ana tjetër pastron paratë që vijnë pikërisht nga bota e trafikut siç i shohim nëpër kullat që lulëzojnë në Tiranë apo në shumë gjëra të tjera të dukshme dhe të padukshme.

Ndaj është për t’u përgëzuar le të themi fuzioni, bashkimi i protestës sepse bashkimi bën fuqinë, e bën atë më cilësore, e bën atë më të sigurt dhe mendoj që përtej ulje-ngritjeve që kjo protestë mund të ketë, sepse nuk është e thënë që të ketë të njëjtën vijueshmëri çdo ditë, kjo do të jetë një protestë që do të rrijë gjithmonë përballë kryeministrisë, do të jetë e gjatë dhe do të japë rezultatet e veta të cilat do të çojnë një ditë në dorëheqjen e Edi Ramës te krijimi i një qeverie teknike dhe kthimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Se në thelb cili është problemi madhor i Shqipërisë? Çdo gjë buron nga vota. Shkelja e votës është problemi. Fakti që vota trysnohet, vota blihet, vota shantazhohet, përdoret policia, përdoret narkotrafiku, përdoret paraja, përdoren drejtorët, ministrat në zgjedhje lokale, në zgjedhje qendrore dhe krijojnë atë që ne e kemi konsideruar dhe raporti i OSBE/ODIHR-it e ka konsideruar, zgjedhje farsë, zgjedhje fasadë. Dhe në momentin kur shkelet vota, dhunohet ajo, cenohet dinjiteti i qytetarit nuk shkon prej inerci. I gjithë zinxhiri i institucioneve shtetërore të cilat tashmë janë të kapura, në vrasjen e pluralizmit dhe në krijimin e kultit absolut të autokratit. Prandaj studentët janë në shesh dhe prandaj policia është e ashpër, e dhunshme sepse ndjen frikë dhe mendon që frikën që ka vetë, do t’ia pasojë shoqërisë për të shpëtuar autokratin”, theksoi Gjekmarkaj

Share it :