Genc Gjokutaj shpërthen për takimin Gogu-Veliaj: Këtu nuk flitet për shtet, por për bandë

Genc Gjokutaj shpërthen për takimin Gogu-Veliaj: Këtu nuk flitet për shtet, por për bandë

Avokati Genc Gjokutaj ka bërë deklarata të forta në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon në Syri TV, duke komentuar takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me Erion Veliajn në burgun e Fierit.

Gjokutaj u ndal te rrethanat e këtij takimi, duke ngritur pikëpyetje për arsyen e vizitës së ministrit në orët e vona të mbrëmjes dhe procedurat që duhej të ndiqeshin.

Sipas avokatit, fakti që takimi është konfirmuar fillimisht nga mbrojtja dhe më pas nga vetë Veliaj përmes një letre të shkruar me dorë, e bën edhe më të rëndësishme zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gjokutaj solli në vëmendje edhe përdorimin e letrave të shkruara me dorë si një mënyrë për të vërtetuar autorësinë e tyre, duke përmendur si referencë edhe rastin e Mehmet Shehut.

“Këtu nuk flitet për shtet, flitet për bandë”, deklaroi avokati, duke akuzuar se institucionet shtetërore po funksionojnë jashtë rregullave dhe procedurave ligjore.

“Vërtetohet çdo dyshim që ministri i Drejtësisë, me tuta sportive, në orën 10 të darkës, shkon te Erion Veliaj. Fillimisht këtë e ka konfirmuar avokati dhe më pas vetë Veliaj, përmes një letre të shkruar me dorë.

Një letër të tillë e ka përdorur edhe Mehmet Shehu përpara se të vriste veten. Shkrimi me dorë shërben për të vërtetuar autenticitetin e dokumentit. Pra, ajo letër vërteton se është shkruar nga Veliaj.

Gjokutaj: Këtu nuk flitet për shtet, por për bandë!

Banda nuk regjistrohet në protokoll. Nëse regjistrohet takimi, atëherë duhet të shkarkohen të gjithë drejtorët, madje edhe drejtori i burgut duhet të kontrollohet.

Ky ministër, që pretendon se nuk dinte gjë për transferimin dhe se do të merrte dokumentet, çfarë pati që shkoi personalisht atje? Pse u shqetësua Toni Gogu për Veliajn?

Dy janë rastet kur mund të zhvillohet një takim i tillë: kur e kërkon i burgosuri ose kur cenohet siguria. Gjithsesi, personi që transferohet dhe avokati i tij nuk përbëjnë sekret shtetëror.

Edhe regjistrimi i këtij takimi do të shkaktonte dorëheqjen e ministrit, të drejtorit të burgut dhe të gjithë zinxhirit drejtues. Kjo punë nuk ka më ku të shkojë.

Në bazë të ligjit për të drejtat dhe trajtimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, hyrja e funksionarëve dhe deputetëve në institucionet e vuajtjes së dënimit rregullohet nga dispozita të caktuara. Ata lejohen të hyjnë brenda orarit zyrtar dhe u nënshtrohen kontrolleve, njësoj si të gjithë të tjerët.

Tani, ky ministër që nuk dinte gjë për transferimin dhe që do të merrte dokumentet, çfarë pati që shkoi atje?

Pra, pse u shqetësua ky që shkoi te Erioni? Veliajt thjesht i ishte zbatuar ligji. Ai nuk ka pse t’i japë llogari ministrit se përse po transferohet. Institucioni i jep dokumentin e transferimit dhe i njeh të drejtën e ankimit, siç ndodh në çdo rast tjetër.

Prandaj them se kjo është një sjellje si e një bande, ku peshku i madh e ha të voglin, përmes telefonit. Dhe pastaj nuk paraqitet asnjë regjistrim, asnjë dokument, asgjë.

Sepse ky është një shtet i privatizuar nga këta!”, deklaroi avokati Gjokutaj.

Share it :