Gati nisja e procesit zgjedhor për Tiranën, shifrat për anëtarësimet: 40% anëtarë të rinj

Gëzim Saliu

anetaresimet e pd partia demoratike partiseFlasin koordinatorët e PD-së: Në këto zgjedhje, PD ka frymë të re dhe rregulla të qarta

Dega më e madhe e Partisë Demokratike në vend, Tirana, është thuajse në mbyllje të procesit të anëtarësimeve të reja në kuadër të zgjedhjeve të brendshme në forcën më të madhe opozitare. Në listën e re dixhitale të anëtarësimeve ka pastrime nga emrat fiktivë si edhe rikonfirmime të emrave të cilësuar si tradicionalë në PD. Ndërkaq, ata që janë marrë në terren me këtë proces, si koordinatorët e deleguar nga kryetari Basha ashtu edhe përfaqësuesit e ndryshëm të PD-së, bëjnë të ditur se anëtarësimet e reja janë 40%. “Rreth 40% të anëtarësimeve në total janë anëtarë të rinj, duke i krahasuar në raport me listat e vjetra që kemi pasur. Gjëja që është më e rëndësishme, është që të gjitha anëtarësimet janë bërë vullnetare, nuk mund të mohojmë që ne kemi trokitur edhe në dyer të majta, ku edhe pse kemi marrë refuzime, kemi pranuar këtë reagim të tyre dhe kemi vazhduar procesin”, – tha një prej aktivistëve të PD-së që është marrë me procesin e anëtarësimeve në njësinë nr. 4.

 

Anëtarësimet

Çdonjëri prej koordinatorëve si edhe grupet që janë marrë me procesin e anëtarësimeve u është dashur të shkojnë derë më derë me letrën në dorë të firmosur nga kryetari Basha, ku nënvizohet ftesa për t’u bërë pjesë e PD-së. Ata që kanë pranuar të rikonfirmojnë anëtarësinë dhe të afruarit rishtas me forcën kryesore në opozitë kanë plotësuar një formular të detajuar, shoqëruar me dokumentin e identitetit. Sipas ish-sekretarit organizativ të PD-së, aktualisht koordinator për zgjedhjet e Tiranës në zonën e Paskuqanit, Jemin Gjana, tek anëtarësimet e reja ka rikonfirmime të vjetra, por edhe pastrime listash nga emra fiktivë. Ndërsa lidhur me emigrantët, ai bëri të ditur për “ABC News” se do të ketë një regjistër të veçantë. “Një pjesë e vogël e tyre mund të vijnë për të votuar, më shumë aktivët”, – deklaroi Gjana. Ndërkaq, lidhur me procesin zgjedhor në PD, ish-deputeti demokrat vlerësoi: “Shumë herë kemi bërë lista, shumë herë kemi bërë zgjedhje, duke ulur në një kafe apo një zyrë dhe duke vendosur se ky do jetë kryetar seksioni e grupseksioni dhe lista e kryetarëve të partisë do të jetë kjo. Nuk është bërë më kështu. Është rritur dhe po tejkalohet numri i atyre që kanë qenë të regjistruar gjatë gjithë kohës si anëtarë të PD-së”. Po ashtu një tjetër koordinatore, si Grida Duma, pohoi se këtë herë rol parësor do të kenë kontribuuesit realë dhe jo ata të rekomanduar. “Jemi përpjekur që të bëjmë atë pjesë të ndërgjegjësimit që ka të bëjë me atë se si qytetari duhet të marrë pjesë në një grupim politik, si një qytetarë i cili nuk duhet të lidhë atë më profilin sot, pra jo me idenë ç’do bësh ti për mua sot. Të kuptojmë kush punoi, kush dha kontributin e tij për partinë dhe mos jetë më çështje rekomandimesh, “unë kam dhënë, dikush m’i njohu, dikush s’m’i njohu”. Tashmë gjërat janë të protokolluara”, – theksoi ajo. Pas mbylljes së fazës së anëtarësimeve, do të jetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili do të nxjerrë udhëzimin e radhës për zgjedhjet në seksione e grupseksione, ndërkohë që ky proces po mbyllet në degët në rrethe.

 

 Takimi në Itali/ PD me simpatizantët e Pizës: Propozojmë ligj për shqiptarët me banim jashtë shtetit

Partia Demokratike zhvilloi disa ditë më parë një takim në provincën e Pizës me simpatizantë të saj, ku theksi u vendos tek rëndësia e komunitetit shqiptar në Itali. Në takimin e drejtuar dhe organizuar nga dr. Shkëlqen Hasanaj, i cili ishte dhe i deleguar nga PD-ja e Tiranës, u regjistruan në data-base simpatizantët demokratë si edhe u fol për problemet e tyre. “Komuniteti ynë, shumë ka vuajtur dhe po vuan mangësinë e një ligji i cili lejon, votimin e shqiptarëve në Itali për në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë, ku të kemi një përfaqësim të denjë të komunitetit shqiptar ne Parlamentin shqiptar, ku të merret me zgjidhjen e shumë problemeve që ka komuniteti ynë, si nga ana burokratike me ambasadat, me konsullatat, problemi i hapjes se shkollave për fëmijët e shqiptarëve me banim në Itali, problemet e pensioneve, problemet e diskriminimit në punë dhe ne marrjen pjese në administratën publike në Itali”. Ndërkaq u bë i ditur zotimi i PD-së ku sipas të cilit brenda këtij mandati, do të bëjë përpjekjet e veta për të propozuar ligjin për shqiptarët me banim jashtë vendit.

 

 Basha me delegacionin austriak/ “Shqipëria i ka plotësuar kushtet për statusin, qeveria në kundërshtim me kriteret e Kopenhagenit”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje në një takim ministrin e Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, dhe ministrin e Drejtësisë, Wolfgang Brandstetter, të cilin pasi e falënderoi palën austriake për gjithë kontributin e dhënë në këto vite ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit evropian kërkoi intensifikimin e angazhimit të këtij shteti mik për vendimin e javës së ardhshme. “Shqipëria i ka plotësuar të gjithë kushtet për marrjen e statusit”, – tha kreu i PD-së. Ndërkaq, Basha e njohu z. Kurz, me zhvillimet negative në vend që shkojnë në kundërshtim me kriteret e Kopenhagenit, që kanë të bëjnë me zëvendësimin e sundimit të ligjit nga arbitrariteti qeveritar, me moszbatimin e vendimit të gjykatave nga qeveria, me shkarkimet masive në administratë pa motiv ligjor, dhe me emërimet problematike të personave me precedent penalë në poste kyçe, çka ka ndikuar në përkeqësimin e ndjeshëm të gjendjes së rendit në vend. Kryetari i Partisë Demokratike i përsëriti ministrit të jashtëm austriak, qëndrimin e opozitës për mbështetje pa kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në mbledhjen e qershorit.

 

Share it :