Frika dhe metafizika e tërmetit

Artan Fuga

 

Fuga_-_Photo1Tërmetet i krijon njeriu.

Kjo është metafizika e çështjes.

Sepse njeriu ndërton, afrohet më shumë se çfarë duhet te deti, banon në ndërtesa shumëkatëshe, me ndërtime problematike.

Njeri i shpellave, ho ho ho, lëkundej bashkë me tokën si shilarëse dhe nuk e kishte haberin nga tmerri i tërmetit.

Tërmeti është një fakt shoqëror, jo natyror.

Ky është kuptimi sociologjik i tij. Shpresoj se ndonjë ditë sociologjia e vërtetë do të nisi të njihet më gjerësisht edhe në Shqipëri. Lëkundja e tokës është natyrore, jo tërmeti.

Qytetërimet që gjenden nën dhé janë vepër e tërmeteve. Si një mushkë xanxare Toka na mban në shpinë dhe pastaj na tërheq kolektivisht në gjirin e saj, na kthen te vetja, sa mirë…

Vdekja individuale është e dhimbshme sepse të tjerët vazhdojnë të jetojnë, kurse rreziku kolektiv është si një lloj deliri sepse njeriut nuk i dhemb fakti, por humbja e të qenurit me të tjerët. Ja pse në luftë njerëzit e pranojnë më shpejt rrezikun sesa kur bien nga biçikleta…

Tërmeti e sjell përkohësisht në vete një shoqëri, sikurse një aksidenti sjell në vete një shofer që të mos vozisë si i çmendur. Tërmeti na tregon sesa të vegjël jemi para universit dhe sa pak dimë t’i parashikojmë proceset.

Tërmeti na zgjon instinktet e frikës të njeriut primitiv dhe nuk ka Zot të na i heqë megjithëse hiqemi se jemi shumë të ditur dhe se shkenca është zhvilluar shumë. Paniku kolektiv është shoqërues i njeriut dhe këtë të fundit shumë pak kohë e ndajnë nga njeriu primitiv nga frikërat, paniket, ndjenjat e tmerrit. Njeriu është një fëmijë i vogël që mund ta trembësh dhe pastaj ta manipulosh si të të duhet.

Tërmeti na mëson se për aq sa jemi mbi Tokë duhet të jetojmë si mbretër, si princër, në dinjitet, pa frikë dhe pa u nënshtruar ndaj askujt. Ja edhe u nënshtrove, nuk do vdesësh nga frika e padronit, por nga frika e tërmetit.

Krijuesi, Zot a Natyrë a Tjetërkush, e ka bërë bukur këtë Tokë. Ia lumsha duart. Të gjithë të barabartë para tërmetit edhe karrieristi, edhe pasaniku, edhe lypsari, edhe bankieri, edhe banakieri, edhe bujku…

Tërmeti na kujton se ne si shoqëri kemi bërë një zgjedhje, pra nuk kemi marrë parasysh rriskun e tërmetit. Kur të bien ndërtesat tona do të bien njëra mbi tjetrën, s’do të ketë mundësi hyrje në lagje me makinat e ndihmës, nuk do të ketë mjete për të shpëtuar ata që mbesin nën dhé. Mos thotë njeri atëherë: Ku janë? Ne që tani kemi vendosur të mos e marrim parasysh këtë mundësi sepse kjo do të kërkonte parà dhe kujdesje që ne kemi vendosur të jetojmë pa to. Është një zgjedhje, kemi marrë vdekjen në sy, shumë mirë, por kur çasti të vijë, le ta pranojmë e mos themi, ah sa keq duhet të kishim menduar më parë…

Krijuesi, na paralajmëroi, mos thotë njeri: Nuk e dija…

Dhe çfarë është progresi? Ai sigurisht ekziston, por mos harrojmë se nuk është e thënë se në të gjitha fushat. Njeriu në kasolle kashte as e çante kokën se çatia do t’i binte në kokë dhe po t’i binte nesër bënte tjetër. Ne? Eh, ne mbarojmë një herë e mirë.

Tërmeti, ky revolucion i natyrës na çliron nga iluzionet idiote dhe na kthen në jetë… ja përse gjithmonë e kanë konsideruar si emancipues… sigurisht nga popuj që e kanë dëshirë të emancipohen…

 

 

Share it :