Mbrojtësi është shprehur i mërzitur që nuk do të jetë pjesë e skuadrës së De Biasit për sfidën me Serbinë për shkak dëmtimi
Ekipi serb ka ftuar në skuadër Miralem Sulejmanin për t’u ndeshur kundër kuqezinjve
E teksa sfida Shqipëri-Serbi afrohet, një peng duket se ka ngelur. Është Mërgim Mavraj mungesa e madhe e kuqezinjve. Dëshira për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare në dy ndeshjet vendimtare ndaj Serbisë dhe Armenisë ishte shumë e madhe, por pavarësisht nga përpjekjet Mërgim Mavraj nuk ia doli dot dhe nuk do të jetë në fushë më 8 dhe 11 tetor. Si një luftëtar që nuk dorëzohet kurrë, mbrojtësi i Këlnit bëri gjithçka për t’u riaftësuar në kohë nga dëmtimi që po e mban jashtë prej disa muajsh, por për fatin e tij të keq do t’i duhet edhe pak kohë për t’iu rikthyer fushave të blerta. Nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Mavraj shpjegoi të gjitha sakrificat që ka bërë për të qenë gati për ndeshjen ndaj Serbisë dhe i vjen shumë keq nuk do ta ndihmojë kombëtaren në fushë, por mbështetja e tij qoftë edhe nga shkallët e stadiumit kuqezinjve nuk do t’u mungojë. “Dita më e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët është shumë afër… Me zemër të thyer ju njoftoj që nuk mund të jem ne fushën e lojës pavarësisht të gjithë sakrificave që kam bërë pas operacionit!”, – shkruan Mavraj në Facebook. Mbrojtësi 29-vjecar më tej vijon: “Kam sakrifikuar gjithçka muajt e fundit. Jam stërvitur 8 orë në ditë, çdo ditë për muaj me radhë pa pushim, me synimin që të isha në fushë për Kombin kuqezi, por lajmet e këqija për mua nuk po marrin fund… Për muaj me radhë lashë pas dore familjen dhe shoqërinë duke iu përkushtuar synimit që kisha… Jeta ime muajt e fundit kishte vetëm një qëllim, të isha gati për këtë ndeshje, por me dhimbje e pranoj që nuk ja dola dot… e megjithatë nuk jam dorëzuar, sepse besimi im është shumë i madh tek djemtë kuqezinj dhe tifozë tanë që do t’i tregojmë botës, pavarësisht se jemi një vend i vogël kemi vlera të jashtëzakonshme! #ForcaShqipëri #Nabënikrenar #MM”. Me këto fjalë mbyllet postimi i Mërgim Mavrajt në Facebook.





