Fototeka “Marubi”, Rama: Do kthehet në pikë referimi të kulturës shqiptare

Fototeka_MarubiKryeministri Rama vizitoi një ditë më parë Fototekën Kombëtare “Marubi”, në qytetin e Shkodrës, e cila strehon një pasuri të çmuar të vendit, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Pas një prezantimit që Drejtori i Fototekës, Luçjan Bedeni i bëri ambienteve të Fototekës, sipas të cilit, “aty ku ruhen mjetet e pastrimit, ruhen edhe aparatet fotografikë”, Kryeministri i cilësoi kriminale kushtet e papranueshme, të lagështirës dhe ambienteve të pamjaftueshme, për këtë thesar kombëtar, që përfshin veprat e dinastisë Marubi, Pietro Marubit, Kel Marubi, Gegë Marubi, Mati Kodheli Marubi, Kel Kodheli Marubi, të Kol Idromenos, Shan Pici, Dedë Jakova, Pjetër Raboshta, Angjelin Nënshati etj.

“Ky thesar i kombit tonë nuk mund të rrijë më në këtë qeli, si të jetë i burgosur politik që duhet vdekur, pa dritë, pa ushqim, pa ajër, pa komunikim me publikun, pa asnjë gjë. Kjo është një gjë kriminale,” – u shpreh Kryeministri.

Ministrja Kumbaro informoi Kryeministrin se godina e Fototekës, edhe pasi pronarët e saj ia dhanë Ministrisë së Kulturës dhe jo ndërtuesve, edhe pse këta të fundit bënë oferta joshëse, prej dy vitesh është lënë një gërmadhë. “E lanë kështu. Të vetmet restaurime që janë bërë, janë ato jashtë, e që nga ai moment s’ka ndodhur asgjë,” – informoi ministrja Kumbaro.

Kryeministri Edi Rama premtoi kthimin e Fototekës Kombëtare “Marubi” në një pikë referimi të kulturës shqiptare. “Ne këtë do ta bëjmë model. Kjo duhet të transformohet në një pikë referimi, për të gjithë Shqipërinë dhe për gjithë çfarë e vizitojnë, apo duan ta dinë se çfarë është Shqipëria.”

 

 

 

Presidenti Nishani jep një pritje festive për Vitin e Ri Hënor kinez

Në kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe Zonjës së Parë Odeta Nishani dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Kinës në Tiranë, u festua Viti i Ri Hënor kinez.

Në pritjen e zhvilluar dje në mjediset e Institucionit të Presidentit merrnin pjesë krahas Ambasadorit të Republikës Popullore të Kinës, YE Hao edhe përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë, sipërmarrës si dhe miq të shumtë kinezë, të cilët jetojnë dhe punojnë në vendin tonë.

Në përshëndetjen e tij me këtë rast festiv, kreu i shtetit shqiptar u shpreh: “Kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’u përcjell urimet më të përzemërta miqve kinezë të pranishëm në këtë ceremoni, popullit mik kinez, në Kinë dhe kudo në botë, me rastin e Vitit të Ri kinez! Uroj për çdo individ dhe familje paqe, mirësi, lumturi dhe mbarësi në këtë vit dhe në vijim! Viti i Ri kinez, i njohur gjithashtu si Festivali i Pranverës, është një festë që kinezët duan ta festojnë me familjet e tyre. Dhe ne, ja ku jemi, në këtë familje të madhe të përbashkët, mes miqsh, duke gëzuar së bashku, në shtëpinë shqiptare, që është tradicionalisht shtëpia e mikut. Ky është Viti i Kalit, i cili simbolizon shpejtësi dhe mbarësi. Dy vendet tona, ndonëse me dimensione gjeografike shumë të ndryshme, kanë patur diçka të përbashkët. Gjatë dy dekadave të fundit kanë njohur një transformim dhe zhvillim të shpejtë. Dhe kështu, shpresoj se do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti dhe më pas. Në 65 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës, me kënaqësi, konstatojmë se bazuar në lidhjet tradicionale mes popujve tanë, bashkëpunimi mes vendeve tona është i mbarë dhe në rrugën e duhur. Më shumë mbarësi do të shohin lidhja dhe bashkëpunimi mes nesh, falë punës dhe vullnetit tonë të mbarë për t`i çuar sa më shpejt përpara. Planeti ynë është i mbushur plot halle dhe probleme, por ne jemi të gjithë të interesuar për një botë të ndërtuar mbi paqe, harmoni dhe stabilitet. Me punën dhe vendosmërinë tonë të përbashkët, ne mund ta bëjmë një gjë të tillë. Ky vit, qoftë i lumtur dhe fatlum, gjithashtu, për këdo dhe sjelltë mbarësi për të gjithë njerëzit dhe familjet në çdo cep të globit!”.

 

Share it :