Biznesmeni Ermal Beqiri, i arrestuar më 24 korrik në Francë pasi fluturoi me një avion mbi hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly, rezulton të jetë pronar i një kështjelle luksoze me vlerë rreth 2.6 milionë euro, e cila tashmë është pjesë e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas të dhënave të referuara nga SPAK, prona përputhet me Château d’Auteuil, një rezidencë historike e ndërtuar në shekullin XVI, me sipërfaqe rreth 1.200 metra katrorë, e vendosur në komunën Berneuil-en-Bray.
Kompleksi është i rrethuar nga një park i gjerë dhe ruan elemente të fortifikimit të epokës. Fasadat dhe çatitë e tij janë të klasifikuara si monument historik i mbrojtur nga shteti francez. Regjistrat zyrtarë tregojnë se kështjella është blerë më 30 dhjetor 2024 për shumën 2.612.200 euro, vlerë që përputhet me shifrën e bërë publike nga SPAK.






SPAK njoftoi se, në bashkëpunim me autoritetet franceze, janë identifikuar disa pasuri me origjinë të dyshuar kriminale në territorin francez. Mes tyre përfshihen llogari bankare me mbi 2 milionë euro, dy apartamente, automjete, një avion turistik, si dhe një kështjellë në departamentin Oise, rreth një orë larg Parisit.




